Njëqind metra në thellësi të tokës, poshtë kufijve të Francës dhe Zvicrës, pranë qytetit të Gjenevës, ndodhet një tunel rrethor prej 27 kilometrash i quajtur “Large Hadron Collider”. Në këtë laborator gjigand, shkencëtarët po punojnë për t’iu përgjigjur një prej pyetjeve më të mëdha, se nga është krijuar universi.

Fizikantët që punojnë në Organizatën Evropiane për Kërkime Bërthamore, shkurtimisht CERN, po kërkojnë të zbulojnë gjëra si antimateria dhe materia si dhe materie të padukshme dhe se si universi funksionon. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Penny Dixon sjell më shumë hollësi nga Gjeneva.

Duket si një anije hapësinore që po i ndihmon shkencëtarët të studiojnë gjëra që nuk janë bërë më parë, në përpjekje për të deshifruar atë që shkenca nuk ka qënë asnjëherë në gjendje të shpjegojë: origjinën e universit.

Hulumtuesit mund të konfirmojnë egzistencën e grimcave më të vogla që shkencëtarët kanë përfytyruar në teori dhe të përshpejtojnë protonet, një prej blloqeve më të vogla ndërtuese të atomeve, me shpejtësi pothuasje sa ajo e dritës. Ata po ashtu mund të krijojnë antimaterie. Por kjo nuk do të thotë që shkencëtarët kanë arritur të kuptojnë gjithçka.

Hulumtuesit besojnë se në fillim, në atë që njihet si ‘Big Bang’ – materia dhe anti-materia – materia negative – u krijuan në sasi të barabarta. Fizikantja Ludivine Ceard është pjesëtare e ekipit hulumtues “CMS Collaboration”.

“Në parim, nëse diferenca mes të dyjave është vetëm ngarkesa, ato duhet të ishin rikombinuar dhe nuk do të kishin lënë asgjë përveçse radiacionit. Sidoqoftë ja ku jemi dhe po bisedojmë. Kjo nënkupton që në një pikë, materia e tejkaloi anti-materien. Kjo mund të ketë ndodhur sepse egzistojnë disa ndryshime mes materies dhe anti-materies, për të cilën ne nuk kemi njohuri”, thotë ajo.

Kërkimi i këtyre dallimeve është një prej detyrave të shkencëtarëve në atë që njihet si CMS “Compact Muon Solenoid”, pjesë e hulumtimeve në laboratorin gjigand CERN.

Grumbuj protonesh në formë rrezesh sillen përqark në drejtimin e akrepave të orës dhe në të kundërt. Kur fizikantët janë gati, rrezet komandohen që të përplasen në një prej katër zonave eksperimentale të rrethit ku kryhet eksperimenti. Rende Steerenberg kryeson grupin operacional në Departamentin e Rrezeve në CERN.

“Nëse do të përplasja rrezen pa patur drejtimin e duhur, mundësia që gishtat e mi të përplasen është shumë e vogël. Gjatë eksperimenteve përdorim magnetë që drejtojnë rrezen të futet në një zonë me dimensione të ngushta dhe për këtë arsye rritet mundësia e përplasjes”, thotë ai.

Nga 200 miliardë protone në dy rrezet e shtyra në tubacionin rrethor, vetëm 100 do të përplasen.

Aktualisht, laboratori dhe eksperimentet janë në mes të një mbylljeje dy vjeçare për mirëmbajtje dhe përmirësime, diçka që ndodh çdo tre vjet.

Zëri i Amerikës pati rastin të filmojë pamje të rralla të një bote që jo shumë njerëz kanë rastin ta shohin. Patricia McBride është zëdhënëse me “CMS Collaboration”.

“Për ne është mundësi për të përmirësuar detektorin, bërë riparime dhe për tu bërë gati për eksperimentet e ardhshme që shpresojmë se do të vazhdojnë deri në vitin 2035”, thotë ajo.

Rreth 4 mijë shkencëtarë janë pjesë e bashkëpunimit në CMS. Ata janë nga më shumë se 50 vende të botës, përfshi Indinë, Kinën, Korenë, Egjiptin dhe disa pjesë të Lindjes së Mesme dhe Rusisë.

Zonja McBride thotë se ndërsa shkencëtarët ndihen të kënaqur kur eksperimetet konfirmojnë parashikimet e tyre, ata nuk e japin veten kur gjërat nuk përputhen. Kjo për arsyen se mund të jetë diçka tejet thelbësore në lidhje me mënyrën se si u krijua universi. Sepse shumë gjëra ende nuk mund të shpjegohen.


Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All