Data e 11 shtatorit shënoi një nga ngjarjet më të rënda e tragjike në historinë njerëzore: një sulm me aeroplan mbi kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë në New York, në të cilin më shumë se 3,000 njerëz humbën jetën.

Të gjitha raportimet rreth asaj dite u shënuan me fotografi të aeroplanëve, kullave dhe rrënojave. Por një foto është ndryshe.

Njeriu në vetëhedhje është një foto nga Richard Drew i Associated Press dhe tregon një person shkon drejt vdekjes së sigurt gjatë rënies nga lartësia e njërës prej kullave. Në sfond është fasada prej çeliku.

Ishte një ditë në të cilën mijëra njerëz kanë humbur jetën, është një ditë në të cilën rrjedha e historisë botërore ka ndryshuar dhe vdekja e një njeriu mund të duket e parëndësishme.

Fotot e rënies së tij shpejt ranë në harresë, kryesisht për shkak të presionit të publikut. Çdo media që e publikoi atë u kritikua menjëherë për pashpirtësinë e saj në publikimin e momenteve të fundit të një njeriu.

Identiteti i personit vdekja e të cilit u përjetësua nga lentet e fotografit të Associated Press nuk është konfirmuar kurrë. Vlerësohet se gati 200 njerëz u hodhën ngjashëm drejt vdekjes së sigurt për të shmangur një vdekje edhe më të rëndë në flakët e kullave. Pas rënies së kullave, mijëra trupa e gjetën veten nën ton çeliku dhe betoni duke e bërë edhe më të vështirë identifikimin e viktimave.

Në dy hetime të ndryshme, kishte spekulime në lidhje me identitetet e ndryshme të vetëhedhësve.

Së pari, reporteri kanadez i The Globe and Mail, Peter Chaney arriti në përfundimin se fotografia tregon Norberto Hernandez, një kuzhinier në restorantin “Windows on the World” që ndodhet në majë të Kullës Binjake veriore. Edhe disa anëtarë të familjes së Hernandezit ishin të bindur se ishte Norberti i tyre. Megjithatë, me një inspektim më të afërt të fotografive të tjera, ata arritën në përfundimin se jo, nuk ishte ai njeriu në foto.

Në një hetim tjetër nga revista Esquire, reporteri Tom Junod arriti në përfundimin se mund të ishte Jonathan Briley. Në atë kohë, 43-vjeçari Briley punonte si teknik i zërit në “Windows on the World”. Ekziston një teori që nëse do të ishte me të vërtetë Briley, ai patjetër do hidhej nga restoranti. Kjo pasi Briley ishte një astmatik dhe e dinte se ishte në rrezik për vdekje kur tymi filloi të futej në restorant.

Michael Lomonaco, shefi i tij, tha se ekzistonte një mundësi reale që të ishte Briley. Një nga fotot, poshtë këmishës tregon një bluzë portokalli që Briley shpesh e mbante. Motra e madhe Gwendolyn gjithashtu mendon se në foto është pikërisht Jonathan. “Kur pashë për herë të parë foton dhe pashë një burrë të gjatë dhe të dobët, thashë me vete: Nëse nuk do duhej të kisha më shumë të dhëna, do të mendoja pa diskutim se Jonathan është në foto”, u tha ajo gazetarëve në 2003.

Identiteti i personit në foto nuk do të përcaktohet kurrë me siguri, por ai do të mbetet i regjistruar në histori si treguesi më i qartë i pafuqisë njerëzore përballë çmendurisë së terrorizmit…


Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All