Gjersa Shtetet e Bashkuara janë më afër autorizimit të një vaksine COVID-19, shumë njerëz tani po e pyesin veten se si do të ndihen me rastin e vaksinimit.

A do të jetë si vaksina e gripit? A do të jetë më me shumë dhimbje? Dhe çfarë efekte anësore do të përjetojmë?

Dy kandidatët kryesorë për marrjen e një autorizimi të përdorimit emergjent nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA – Pfizer/BioNTech dhe Moderna – përdorin teknologjinë e re mARN, raporton CNN.

Asnjë vaksinë e licencuar nga SHBA-ja nuk e ka përdorur atë, megjithëse shkencëtarët e kanë studiuar atë për dekada, kundër infeksioneve si gripi, tërbimi dhe Zika, madje edhe për disa lloje të kancerit, transmeton Telegrafi.

Mënyra se si funksionojnë këto vaksina të mARN-së është se ato i japin trupit tonë udhëzime, në formën e ARN-së dërguese, për të bërë një copë të vogël të këtij coronavirusi të veçantë (SARS-CoV-2) – specifikisht proteina.

Kur trupi ynë i merr këto udhëzime, ai fillon të prodhojë këto proteina. Kjo nga ana tjetër provokon sistemin tonë imunitar, i cili e njeh proteinën si “të huaj”, për të bërë antitrupa kundër saj.

Pra, kur infektohemi me virusin e vërtetë, trupi ynë tashmë është i përgatitur ta luftojë atë. Këto vaksina kërkojnë dy doza: njëra për të injektuar në trupin tonë dhe pastaj disa javë më vonë, një e dytë për të rritur përgjigjen.

Por për shkak se teknologjia është kaq e re për një vaksinë, ajo ka ngritur shumë pyetje dhe disa shqetësime tek ata për të cilët është menduar.

Një pjesëmarrës në testimin e Moderna-s tha se vaksinimi nuk ishte “si një shëtitje në park”, por ai me siguri do ta bënte përsëri.

Yasir Batalvi, një 24-vjeçar i sapo diplomuar i kolegjit që jeton në zonën e Bostonit, tha se fillimisht u regjistrua për t’iu bashkuar grupit të vullnetarëve në testim sepse ndihej i prekur për të bërë diçka që të ndihmojë gjatë pandemisë.

“Unë u ndjeva kaq i pafuqishëm. Unë dua të them, kjo pandemi me të vërtetë ka prekur jetën e të gjithëve kaq shumë. Dhe kjo nuk është vetëm jetë, ju e dini, është edhe mënyrën e jetës”, tha Batalvi dhe më tej e shtoi “kështu u regjistrova sepse thjesht doja të bëja atë që mundja. Dhe nuk mendova se domosdoshmërisht do të më zgjidhnin. Por unë u telefonova, përfundimisht, në shtator. Dhe pastaj nga mesi i tetorit unë u regjistrova”.

Ai ishte pak nervoz derisa po hiqte mëngën, veçanërisht kur iu dha një formular pëlqimi prej 22 faqesh për të nënshkruar. Por ai tha se ndjehej sikur po bënte një shërbim publik.

“Mendoja se coronavirusi ka përçarë jetët tona, saqë vendosa se ishte ajo që duhej të bëja. E ndjeja si detyrë qytetare”, tha ai. “Për shkak se unë mendoj se vaksinimi në masë është me të vërtetë e vetmja mënyrë reale për të dalë nga pandemia në të cilën jemi”, pohoi Balatvi.

Atëherë, si u ndie?

“Injektimin e ndjeva, në fillim, ashtu sikurse me rastin e gripave, e cila është në thelb vetëm një majë e vogël në anën e krahut tuaj”, tha Batalvi.

“Sapo u largova nga spitali, atë mbrëmje, ngurtësia u përkeqësua pak. Ishte e menaxhueshme, por ju me të vërtetë nuk ndiheni sikur e lëvizni krahun shumë larg mbi supe. Por, efektet anësore janë mjaft të lokalizuara. Dua të them, është thjesht në muskujt e krahut tuaj. Në të vërtetë nuk ndikon në asgjë tjetër dhe ju ndiheni mirë”, tha ai.

Kjo ishte pas dozës së parë. Por doza e dytë ishte e ndryshme.

“Në të vërtetë kisha disa simptoma mjaft të rëndësishme pasi mora dozën e dytë. Sapo mora dozën e dytë, isha mirë ndërsa isha në spital. Por, ajo mbrëmje ishte e ashpër. Dua të them, unë zhvillova ethe të shkallës së ulët dhe lodhje e të dridhura”, tha Batalvi, transmeton Telegrafi.

Ai tha se i thirri mjekët e studimit për t’ua bërë të ditur simptomat e tij. Ata nuk u shqetësuan dhe i thanë se nuk duhet të ishte as ai i shqetësuar.

Ndjenja e lodhjes nuk do të thotë që ju jeni infektuar me COVID-19 – në fakt, ekspertët thonë se kjo lloj reagimi tregon se trupi juaj po përgjigjet ashtu siç duhet dhe nuk duhet të pengojë askënd të vaksinohet ose të shkojë përsëri për dozën e dytë.

Anthony Fauci, drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, tha “pothuajse e gjithë kjo zhduket brenda 24 ose më së shumti, 48 orëve” dhe shtoi se është e rëndësishme të jesh i sinqertë me njerëzit për efektet anësore që ata mund të përjetojnë.

Ndërsa këshilltari Shkencor Kryesor i Operacionit Warp Speed, Moncef Slaoui tha të hënën se afërsisht 10 deri në 15 për qind të subjekteve të studimit të imunizuar do të zhvillojnë “efekte anësore mjaft të dukshme”.

“Shumica e njerëzve do të kenë efekte anësore shumë më pak të dukshme. Kjo sinqerisht – në krahasim me një mbrojtje prej 95 për qind kundër një infeksioni që mund të jetë vdekjeprurës ose dobësues i konsiderueshëm – unë mendoj se është një ekuilibër i përshtatshëm”, tha ai.

Gjithsesi, efektet anësore si ato që ka përjetuar Batalvi nuk duhet të ngatërrohen me çështjet e sigurisë.

Çdo prodhues i vaksinave që kërkon miratimin ose autorizimin e FDA-së duhet të tregojë të dhëna në vlerë prej dy muajsh pas dhënies së dozës së dytë – sepse kjo është kur çështjet më serioze të sigurisë kanë ndodhur në provat e hershme.

Në këtë aspekt qëndrojnë mirë dy kompanitë farmaceutike, Moderna dhe Pfizer. Por, vetëm koha do të tregojë nëse ndonjë çështje serioze e sigurisë shfaqet në dy vitet e ardhshme.

“Gjersa dimë se 90,95 për qind e vaksinave të Modernas dhe Pfizer nuk shkaktojnë efekte anësore brenda dy muajve pas imunizimit, nuk kemi informacione se çfarë ndodh pas një ose dy viti”, tha Slaoui.

Batalvi nuk e di me siguri nëse ka marrë vaksinën aktive apo një placebo. Por, bazuar në përvojën e tij, ai tha se mundet vetëm të hamendësonte.

“Ju e dini që është një studim i verbuar, i rastësishëm i dyfishtë. Pra, as unë, as mjekët e studimit, as Moderna nuk e dinë nëse e kam marrë vaksinën apo jo. Por, kam besim të bazuar në efektet anësore që kam marrë”, tha ai.

Batalvi tha se mezi po e pret përfundimin e pandemisë në mënyrë që të takojë binjakët e motrës së tij – një djalë dhe një vajzë – të lindur në fillim të javës.

“Shpresoj që sapo të dalë kjo vaksinë, njerëzit të ndjehen të sigurt për ta marr. Dua të them, jam këtu: kam marrë vaksinën – ishte në rregull. Unë mendoj se mund ta kalojmë këtë”, tha ai. /Telegrafi


Flash Lajme

Më të lexuarat