Av.Dr. Suela Mëneri

Publikohet vlera totale e pronave, e cila duhet të shkojë në llogari të 23 mijë pronarëve. Fondi Shtetëror i Tokës për kompensim vlerësohet të jetë rreth 700 milionë euro.

Për 10 vite u ekzekutuan vetëm 900 kërkesa

Neritan Gjergo

Në një relacion të plotë të përpiluar nga Avokatja, Suela Mëneri, për kushtetutshmërinë e ligjit për Trajtimin e Pronës, por edhe sfidën e shtetit për mbylljen e procesit që është i hapur që nga viti 1993, del në pah se barra financiare e shtetit për 24.317 vendime të pazbatuara ende vlerësohet të jetë 10.5 miliardë euro. Kjo shumë është llogaritur, bazuar mbi raportet e dala nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, duke iu referuar hartës së vlerës së tokës të vitit 2014, por edhe nga të dhënat që disponon Shoqata e Pronarëve “Pronësi me Drejtësi”.

Referencat

Më datë 23 Shkurt 2016 hyri në fuqi Ligji për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronës. Ky akt juridik shënon përpjekjen e tretë të shtetit shqiptar për të siguruar një zgjidhje të drejtë të çështjeve që kanë të bëjnë me të drejtat pronësore që rrjedhin nga shpronësimi i mëparshëm, shtetëzimi ose konfiskimi i pronës së paluajtshme. Ligji nr. 133/2015 krijon një formulë dhe një mekanizëm për të kompensuar pronarët. Para hyrjes në fuqi të ligjit, shteti raportoi se 53,115 vendime ishin lëshuar që nga fillimi i procesit në vitin 1993 dhe se kishte edhe 10,131 kërkesa të mbetura pezull. Shteti raportoi, gjithashtu, se që prej vitit 1993 iu kthyen pronarëve të origjinës rreth 74,420 ha truall, tokë bujqësore, pyje, kullota dhe livadhe, si edhe u parashikua të kompensohen në lidhje me rreth 73,390 ha të tjera. Përveç kësaj, pretendimet e mishëruara në kërkesat për kthim dhe kompensim të pronave të depozituara para hyrjes në fuqi të Ligjit dhe të pa trajtuara ende mbartin kërkesa për 148,209 ha të tjera truall, tokë bujqësore, pyll, kullota dhe livadhe. Barra financiare e shtetit që rezulton nga rreth 24.317 vendime të pazbatuara (duke iu referuar hartës së vlerës së tokës të vitit 2014) vlerësohet të jetë 10.5 miliardë euro, ndërsa barra totale e mundshme financiare që rezulton nga kërkesat e pa trajtuara është vlerësuar në 7.065 miliardë euro. Vetëm 900 nga 26,000 vendimet që parashikonin kompensim u ekzekutuan (pjesërisht) nga shteti gjatë periudhës 2004 – 2014. Kompensimi financiar (në shumën prej 15.9 milionë euro, ose 4.41 miliardë lekë) që u është paguar tashmë pronarëve duket i parëndësishëm në vështrim të detyrimit total që shteti ka ndaj pronarëve. Në mënyrë të ngjashme, Fondi Shtetëror i Tokës i disponueshëm për kompensim thuhet se përbëhet nga toka bujqësore, toka pyjore, kullota dhe livadhe që arrijnë 23.000 ha dhe vlera e atij fondi vlerësohet të jetë rreth 700 milionë euro.

Padia

Me vendim nr. 1, datë 16.01.2017 Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht kërkesën e paraqitur nga shoqatat e pronarëve, Avokati i Popullit dhe Presidenti i Republikës mbi kushtetueshmërinë e Ligjit nr. 133/2015 datë 5.12.2015 “Për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronave”, duke shpallur si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë nenin 6, pikat 3 dhe 5, të ligjit.Në mungesë të shumicës së nevojshme, Gjykata Kushtetuese refuzoi kërkesën për shfuqizimin e nenit 6, pika 1, shkronja “b”, si edhe të nenit 7, pika 2, shkronjat “a” dhe “b”, të ligjit të mësipërm. Më datë 23.03.2016 hyri në fuqi VKM nr. 222/2016 “ Për Trajtimin e Kërkesave për Njohje të Pronës e të Kompensimit të saj” dhe VKM nr. 223/2016 “ Për Përcaktimin e Rregullave dhe të Procedurave për Vlerësimin dhe Shpërndarjen e Fondit Financiar e Fizik për Kompensimin e Pronave”. Këto VKM, në linjë me ligjin nr. 133/2015 përcaktojnë, ndër të tjera, edhe formulën e kompensimitAktualisht, si rrjedhojë e aplikimit të ligjit nr.133/2015, nenit 7.2, pika (a), si edhe VKM-ve të ndërlidhura rezultojnë 1.197 vendime, vetëm për vitet 1993-1995, të cilat ATP-ja i konsideron si të ezauruara (shih Regjistrat e publikuar në faqen elektronike të Agjencisë së Trajtimit të Pronave). Lënia në fuqi e nenit 6, pika 1, shkronja (b), si edhe e nenit 7, pika 2, shkronja (a) dhe (b), të ligjit nr. 133/2015 bie në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike, parim ky që është cilësuar nga vetë Gjykata Kushtetuese si bazë e shtetit të së drejtës: Konkretisht, duke iu referuar parimeve të zbatueshme në rastin konkret, Gjykata Kushtetuese është shprehur se: “është kërkesë e parimit të sigurisë juridike fakti se një ligj në tërësi, pjesë apo dispozita të veçanta të tij në përmbajtjen e tyre duhet të jenë të qarta, të përcaktuara dhe të kuptueshme. Prandaj është detyrë e gjykatave ose organeve të tjera shtetërore e shoqërore, të ngarkuara me ligj, që mangësi të caktuara të një ligji t’i plotësojnë natyrshëm përmes interpretimit dhe zbatimit të tij në praktikë. Por që të realizohet një gjë e tillë, para së gjithash ligji duhet kuptuar saktë dhe drejtë. Prandaj duhet të dalë qartë qëllimi i hartimit të tij. Ai duhet të përcaktojë mjetet e ndërhyrjes,subjektet të cilave u drejtohet, raportet e caktuara të sjelljes dhe mënyrën e zbatimit të tij. Rezultati që synohet duhet të jetë i pritshëm dhe pasojat të parashikueshme për subjektet të cilave u drejtohet ligji në tërësi ose dispozita të veçanta të tij (shih vendimet nr. 34, datë 20.12.2005 dhe nr. 31, datë 19.11.2003 të Gjykatës Kushtetuese)”.

Po kështu, Gjykata Evropiane  në jurisprudencën e saj ka pranuar, se: “Siguria juridike presupozon respektimin e parimit të gjësë së gjykuar, i cili është parimi kryesor i një vendimi të formës së prerë. Ky parim konsiston në faktin që asnjë palë nuk ka të drejtë të kërkojë rigjykimin e një çështjeje që është zgjidhur me vendim të formës së prerë thjesht, sepse do të donin një rishqyrtim të çështjes së tyre. E drejta e gjykatave më të larta në shqyrtimin e ankimeve në lidhje me vendimet e gjykatave më të ulëta të cilat kanë marrë formë të prerë, duhet të përqendrohet në ndreqjen e gabimeve apo pasaktësive gjyqësore, dhe jo në rigjykimin në themel të çështjes. Ndreqja e gabimeve apo pasaktësive nuk duhet të trajtohet si një simulim në të vërtetë i ankimit, dhe mundësia e të paturit të dy vendimeve për të njëjtën çështje nuk përbën justifikim për një rishqyrtim të ri. Shmangia nga ky parim justifikohet vetëm kur vërtetohen rrethana thelbësore dhe të pakonstatueshme, se një gjë e tillë rezulton e domosdoshme”.  Bazuar ne parimet e sipërcituara me Vendimin nr. 1/2017 datë16.01.2017, Gjykata Kushtetuese shpalli papajtueshmerinë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të nenit 6, pika 3, sipas të cilit parashikohet se: “Në rastet kur subjektet e shpronësuara kanë përfituar me vendim kthimi dhe kompensimi, diferenca e llogaritur, sipas shkronjës “b”, të pikës 1, zbritet nga vlerësimi i pronës së njohur për kompensim, e llogaritur sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni.” dhe të nenit 6, pika 5, sipas të cilit parashikohet se: “5. Në rast se ATP-ja merr vendim për njohje dhe kompensim fizik në pronën e subjektit, prona vlerësohet sipas pikës 1 të këtij neni. Kur nga ky vlerësim rezulton se subjekti përfiton një pronë që ka vlerë më të lartë sesa prona që ka pasur në momentin e shpronësimit, atëherë subjektit i kompensohet fizikisht sipërfaqja që i korrespondon vlerësimit dhe pjesa tjetër e pronës kalon në fondin e tokës me vendim të ATP-së.” Përsa më sipër, Gjykata Kushtetuese vlerëson, se: “këto dy pika, sipas përmbajtjes së tyre, të çojnë në përfundimin se ato janë konceptuar si një shpronësim i ri duke qenë se parashikojnë rivlerësimin e pronave të kthyera ose të kompensuara më parë. Në këtë këndvështrim, këto dy dispozita krijojnë probleme lidhur me sigurinë juridike konkretisht për sa i takon paqartësisë dhe paparashikueshmërisë së legjislacionit.”

 Konkluzione

Pa dyshim, vendimi i pritshëm i Gjykatës Europiane për pajtueshmërinë e Ligjit nr. 133/2015 me Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut do japë indikacione të qarta lidhur me përparësitë dhe mangësitë e këtij ligji, si edhe lidhur me të ardhmen e tij. Sidoqoftë, edhe sikur në skenarin më të mirë të mundshëm, Ligji nr 133/2015 të konfirmohet si i pajtueshëm me parimet e Konventës, sërish çështjet e trajtuara më sipër do të prekin pa asnjë dyshim parashikueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e tij për dy arsye kryesore.

Së pari, vlerësimi i masës së kompensimit rast pas rasti mbi bazën e VKM-së nr. 89/2016; më tej, zbrijta e kryer sipas nenit 7, pika 2 shkronja a dhe b, të Ligjit nr 133/2015, si edhe caktimi i formës së kompensimit me VKM dhe jashtë fushës së veprimit të vetë Ligjit nr. 133/2015 ka shpënë shumë pronarë në dyert e gjykatave. I njëjti konstatim vlen edhe për efektet e VKM-ja nr. 222, datë 23.3.2016 “Për trajtimin e kërkesave për njohje të pronës e të kompensimit të saj” ndryshuar me VKM-ja nr. 765, datë 20.12.2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 222, datë 23.3.2016, të Këshillit të Ministrave “Për trajtimin e kërkesave për njohje të pronës e të kompensimit të saj”. Gjithashtu, këto VKM kanë shpënë dhe priten të shpien në dyert e gjykatave shumë pronarë. Ky realitet nuk është fort i pëlqyeshëm nëse mbajmë në vëmendje se Ligji n. 133/2015 erdhi si një reagim ndaj vendimit pilot “Manushaqe Puto kundër Shqipërisë”, ku ,Gjykata Evropiane konstatoi mungesë të mjeteve juridike efektive që cënuan te drejtën për mbrotjen e pronës. Në këtë kuptim, si formula, edhe mekanizimi i mishëruar në Ligjin n. 133/2015 presupozohen që të përfaqësojnë mjetin juridik efektiv, i cili do të shmangte gjithë shkaqet e inefektivitetit, që kanë karakterizuar sistemin e brendshëm para hyrjes në fuqi të ligjit n. 133/ 2015.

Së dyti, formula dhe mekanizmi i parashikuar në ligj kushtëzojnë pandashmërisht njëri tjetrin. Në këtë kuptim është i dëmshëm të debaturit nga pikpamja e së drejtës kushtetuese të tri çështjeve që prekin thellësisht ose formulën, ose mekanizmin e kompensimit të pronarëve, sepse vetëm shfuqizmi i mundshëm i një aspekti të debatuar të Ligjit nr. 133/2015 është në gjendje të zhbalancojë efektivitetin e atij ligji, i cili sikurse u theksua më sipër mishëron një mjet juridik kompakt për adresimin e shkeljeve të konstatuara nga Gjykata Evropiane në çështjet përkatëse me palë vendin tonë.

Flash Lajme

Më të lexuarat