Dhjetë punonjës të policisë Kufitare janë hetuar për shpërdorim detyre pasi kanë lejuar hyrjen kontrabandë të automjeteve në Shqipëri.

Në një konferencë para gazetarëve, prokuroja e çështjes Mirela Zalavani, përfaqësues të SHÇBA dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave zbardhën detaje të operacionit të kontrabandës së automjeteve.

Hetimi

Në shkurt 2019 nisi procedimi penal në ngarkim të personit nën hetim Arben Grabovari për “kontrabanda me mallra të tjera më shumë se njëherë “. Procedimi u regjistrua në shkurt 2019, pas shkëmbimit të informacionit ndërmjet autoriteteve doganore franceze dhe atyre shqiptare. Për këtë u arrestua Arben Grabovari, shqiptar me nënshtetësi greke.

Si u kaluan mbi 50 makina pa dogane

Prokurorja e çështjes tregoi skemën e kontrabandës- “Në muajin prill të vitit 2019, ky shtetas i cili është shtetas shqiptar por edhe me nënshtetësi greke duke hyrë në pikën e kalimit kufitar Qafë Botaj Sarandë me njërin prej mjeteve të sekuestruara me targa të huaja ka përdorur një pasaportë duke u paraqitur si nënshtetas grek. Aktualisht  ky shtetas hetohet me masën e sigurimit  arrest me burg.

Gjatë hetimit në bashkëpunim të ngushte më hetimin doganor, ka rezultuar se ky shtetas për periudhën e viteve 2017 deri në prill 2019 ka hyre 53 herë me mjete tokësore, me autovetura, me targa të huaja, me numër shasie të ndryshme te cilat kanë përfituar regjimin e qëndrimit të përkohshëm në shkelje të legjislacionit doganor  akteve nënligjore” 

Procedohen 10 punonjës të Policisë Kufitare

“Procedimi penal është regjistruar për veprën penale të “Kontrabandës me mallra të tjera, më shumë se një herë” parashikuar nga neni 174/2 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit A.G., i cili është nën masën “Arrest në burg”.
Gjatë hetimit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Doganave, janë kryer verifikimet ku ka rezultuar se vetëm ky shtetas, ka arritur të futet në territorin shqiptar me 54 automjete (relativisht të shtrenjta) për të cilat vetëm për 5 prej ka kryer zhdoganimet, për periudhën 2017–2019.  Dyshohet përmes lidhjeve me punonjës në strukturat e Policisë Kufitare është kryer veprimtaria e kontrabandimit të mjeteve motorike, kryesisht në Pikat Kufitare Qafë-Botë dhe Kapshticë” informon SHÇBA në një njoftim për median

Policet e arrestuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”:

– Inspektor Sh.G., me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë–Botë, Sarandë;
– Inspektor N.L., me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë–Botë, Sarandë;
– Inspektor K.Ç., me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë–Botë, Sarandë;
– Inspektor Th.Gj., me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë–Botë, Sarandë.

Policët e pezulluar 

Gjithashtu është caktuar dhe masa e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, për punonjësit e policisë:

– Inspektor A.P., me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë-Botë, Sarandë;
– Inspektor A.H., me detyrë kontrollor në P.K.K Qafë–Botë, Sarandë;
– Inspektore E.Sh., me detyrë kontrollore në P.K.K Kapshticë, Korçë;
– Inspektore E.D., me detyrë kontrollore në P.K.K Kapshticë, Korçë;
– Inspektore F.M., me detyrë kontrollore në P.K.K Kapshticë, Korçë;
– Inspektore J.K., me detyrë kontrollore në P.K.K Kapshticë, Korçë.

Hetimet vazhdojnë në bashkëpunimin ndërinstitucional me Prokurorinë e Tiranës dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Flash Lajme

Më të lexuarat