Debatet/ Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri deklaron se vendimi i Presidentit nuk mund të refuzohet. Anëtarët e PS nuk njohin vendimin e Metës për të shtyrë zgjedhjet. Miratohet rendi i ditës.

Nuk ka vendimmarrje për dekretin

Lindita Bushgjokaj

Të gjithë juristët e njohur të vendit, kanë komentuar së fundmi se dekreti i Presidentit për rrëzimin 30 qershorit mund të gjykohet për vlefshmërinë e tij vetëm nga gjykata Kushtetuese. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe kryetari i KQZ-së Klement Zguri, por jo anëtarët e majtë të Komisionit të Zgjedhjeve. Pas debateve për vendimin e Metës, Zguri ka braktisur mbledhjen dje, por 4 anëtarët e tjerë, kanë zgjedhur linjën e kryeministrit Edi Rama, për të mos e lëvizur 30 qershorin. Me 3 vota kundër dhe një pro, nën drejtimin e nënkryetarit Denar Biba, anëtarët kanë miratuar tre pikat e rendit të ditës, që kishin të bënin me shpërndarjen e fondeve për partitë e regjistruara në zgjedhje; listën shumëmërore të shtetasve të cilët mund të emërohen anëtarë të KQV-ve si dhe lirimin e emërimin e disa anëtarëve të KZAZ-ve. Ndërkohë, përveç debateve, për dekretin e Presidentit Meta, nuk pati vendimmarrje. Partia Socialiste dhe KQZ e cilësuan të pavlefshëm vendimin e Presidentit për të shtyrë zgjedhjet, duke vijuar normalisht punën përgatitore të procesit zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zhvilluar dje një mbledhje urgjente pas vendimit të Presidentit Ilir Meta që firmosi para kamerave dekretin për zhdekretimin e zgjedhjeve dhe anulimin e tyre në një afat të pacaktuar. Kreu i KQZ-së Klement Zguri e quajti një sfidë, pasi nga njëra anë ka dekretin e Presidentit të cilin është i detyruar ta zbatojë, dhe nga ana tjetër kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së për ta shpallur të pavlefshëm dekretin e Metës për të anuluar zgjedhjet. Zguri kërkoi t’i bashkëngjiteshin në këtë vendim edhe kolegët e tjetër të KQZ, por asnjë nuk u ngrit nga tavolina duke bërë që mbledhja të vijojë nën drejtimin e Denar Bibës.

Largimi

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri e quajti një situatë mjaft të vështirë, një sfidë vënien në tryezën e KQZ-së të dekretit të presidentit Meta për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, dhe për të detyruar këtë institucion ta zbatojë dekretin. Duke e cilësuar një situatë të rëndë, dhe që mund të ngjallë debat të fortë, kreu i KQZ-së ka braktisur mbledhjen. “Duket si një lloj sfide nga një anë kam një dekret që zhdekreton datën e zgjedhjeve përmes një dekreti dhe tjetra kërkesa e dy kolegëve, sfida në raport me vlefshmërinë e dekretit Ka një hierarki ligjore, personalisht në 22 vite që kam, e them dhe një herë nuk më ka rastisur të ndodhem në një situatë të tillë. të vëmë në diskutim një dekret të presidentit. Ka ndodhur e njëjta gjë edhe më parë, janë tre raste që presidentët kanë zhdekretuar dekretet e tyre dhe kanë vendosur një datë tjetër”, theksoi Zguri.

Akti

Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba u shpreh se akti i presidentit për anulimin e zgjedhjeve është i pavlefshëm. “Me të marrë vesh ardhjen e dekretit ne vendosëm ta shtynim me dy orë për ta analizuar atë. Nuk ka hierarki mes nesh dhe presidentit. Ne jemi organe të ndryshëm. Presidenti ka nxjerrë dekretin për zhvillimin e zgjedhjeve “Zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor 2019″. Kodi zgjedhor detajon se data e zgjedhjeve përcaktohet nga presidenti i Republikës, zgjedhjet zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit. Sot vetëm 20 ditë para datës së zgjedhjeve presidenti vendos shfuqizimin e dekretit për anulimin  e zgjedhjeve. Ky dekret i dytë është një akt i pavlefshëm sipas kodit të procedurës civile. Praktikisht dekreti i ri bie ndesh me parimin e ligjshmërisë ku thuhet se organet publike ushtrojnë detyrat brenda kompetencave të tij. Nxjerrja e dekretit është brenda kompetencave të presidentit, por ai nuk mund të anulojë apo të mos caktojë fare një datë zgjedhjesh. Pasi duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit Shqipëria është sot pa një datë zgjedhjesh. Duke e lënë vendin pa datë zgjedhjesh presidenti refuzon të përmbushë detyrimin që organi publik ia ka kaluar për ta ushtruar. Shfuqizimi i dekretit është një shkelje e hapur sepse lë vendin pa datë zgjedhjesh. Unë vlerësoj se KQZ ka detyrimin të vijojë me organizimin e zgjedhjeve për 30 qershor”, tha Biba.

Vendimet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e ditës së djeshme shqyrtoi projektvendimet:

  1. “Për shpërndarjen e fondeve për partitë politike të regjistruara si subjekte zgjedhore, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor”. KQZ vendosi të shpërndajë si paradhënie, fondet e vëna në dispozicion nga Buxheti i Shtetit, partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor 2019.
  2. “Për miratimin e listës shumemërore të shtetasve të cilët mund të emërohen kryesisht anëtarë të KQV-ve, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor 2019”.
  3. “Për lirimin dhe emërimin e disa anëtarëve të KZAZ nr. 79, nr. 89, anëtarit të emëruar kryesisht të KZAZ nr. 3 dhe sekretarit të emëruar kryesisht të KZAZ nr. 15, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor 2019”.

PD krijon Aleancën për mbrojtjen e Demokracisë

Ka zgjatur më shumë se një orë mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike, dje pasdite, pas të gjitha zhvillimeve politike për çështjen e zgjedhjeve. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, së bashku me aleatët, kanë marrë një sërë vendimesh, por më i rëndësishmi mes tyre është ai për t’i propozuar Këshillit Kombëtar krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në çdo Bashki. “Kryesia e Partisë Demokratike vendosi që t’i propozojë Këshillit Kombëtar të PD-së, angazhimin e strukturave të Partisë Demokratike dhe të Opozitës së Bashkuar në 61 Bashkitë e vendit për krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë. Kjo Aleancë do të krijohet si bashkim qytetar dhe intelektual, që do të ndërgjegjësojë qytetarët për rrezikun që po i kanoset demokracisë në vend dhe marrjen e të gjitha masave për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues”, sqaron kryesia e PD. Ndërkaq, krye demokrati Lulzim Basha ka përsëritur qëndrimin e tij se nuk ka negociata me Edi Ramën kryeministër. Më herët, qëndrimin e Bashës e përqafuan edhe aleatët e tij, me të cilët zhvilloi një mbledhje. Krijimi i aleancës qytetare vjen si intensifikim i aksionit politik për të ndaluar mazhorancen për zhvillimin e zgjedhjeve me 30 qershor. Po ashtu kryesia ka diskutuar intensifikimin e aksionit ne çdo qytet kur Rama ka takim elektoral apo prezantim kandidatesh. Po ashtu Kryesia ka diskutuar intensifikimin e aksionit në çdo qytet kur Rama ka takim elektoral apo prezantim kandidatësh. Më herët, Basha zhvilloi në selinë blu një takim edhe me aleatët e koalicionit opozitar ku mësohet se është theksuar domosdoshmëria për zgjedhje të lira dhe të ndershme,  por pa Edi Ramën kryeministër.

Lajçak: Udhëheqësit politik të respektojnë legjislacionin

Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Sllovakisë, Miroslav Lajçák shprehu dje shqetësimin e tij lidhur me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, të cilat mund të thellojnë më tej krizën politike dhe si pasojë të sjellin ndalimin e funksionimit të institucioneve shtetërore. Në njoftimin e OSBE thuhet se Kryesuesi në detyrë u bëri thirrje udhëheqësve politikë të demonstrojnë përmbajtje dhe respekt për legjislacionin në fuqi, si dhe për rolet kushtetuese të institucioneve përkatëse demokratike. Ai theksoi se udhëheqësit do të veprojnë në përputhje me parimet demokratike dhe do të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar për përfaqësuesit e tyre brenda afatit kohor të përcaktuar nga kuadri ligjor shqiptar. Ai gjithashtu shprehu besimin e tij se Shqipëria është e aftë të merret me situatën e saj, brenda kornizës së saj kushtetuese dhe ligjore dhe do të gjejë një zgjidhje që do t’i mundësojë vendit të përqendrohet në sfidat që qytetarët e Shqipërisë i konsiderojnë të rëndësishëm.

Flash Lajme

Më të lexuarat