Vazhdojnë replikat në distancë mes gazetarit të “Bild” Peter Tiede dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Gazetari i “Bild” ka komentuar në postimin e Ramës në “Twitter”, pasi kryeministri e kërcënoi se do të përballet me të në gjyq në Gjermani.

Tiede i përgjigjet me ironi, ndërsa e pyet përse do e padisë kur përgjimet janë reale ndërsa i kujton se në Shqipëri nuk punojnë gjykatat.

“Z. Kryeministër, ju doni të më padisni? Për shkak se fyeva madhërinë tuaj, apo çfarë? Përgjimet janë reale. Apo dyshoni për materialin e prokurorëve tuaj? Në Shqipëri, ju nuk mund të më paditni: cila gjykatë punon? I kënaqur që e konfirmuat”, shkruan Peter Tiede.

Rama e kërcënoi me gjyq, reagon gazetari i “Bild”: S’ke dëgjuar për drejtësi të pavarur

Gazetari i “Bild” Peter Tiede ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Rama se do të përballet me të në gjykatat gjermane.

Rama reagoi, pasi gazetari gjerman publikoi sot në gazetën “Bild” 16 audio-përgjime ku zyrtarë të lartë të PS-së bisedojnë për blerje votash. Në njërën prej përgjimeve dëgjohet vetë kryeministri Rama.

Peter Tiede ia ka kthyer një përgjigje Ramës, duke u shprehur se: “Kreu i qeverisë nuk ka dëgjuar për drejtësi të pavarur”.

“Mesa duket, kreu i qeverisë së Shqipërisë ende nuk ka dëgjuar për drejtësi të pavarur: Meqë është në Londër tani, Rama duhet të marrë një mësim atje, se si funksionojnë gjykatat reale funksionale me prokurorë të pavarur (për të cilat janë fajtore edhe qeveritë e mëparshme)”, shkruan Peter Tiede në “Facebook”.

Në një postim në “Twitter” Rama do të shprehej: “Kam vendosur ta çoj në gjykatat gjermane këtë gazetar dhe në atë vend të bekuar, ku drejtësia nuk bën lojëra me sekretet hetimore e ku dinjiteti i njerëzve dhe i shteteve respektohet si vlerë e pacënueshme, le të shohim kush është me të drejtën në këtë histori drejtësie të munguar”, shkruan Rama.

Flash Lajme

Më të lexuarat