Këshilli i Evropës tërheq delegacionin nga Kongresi i Autoriteteve Lokale, për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale,. Anulimi vjen një ditë pas deklaratës së Presidentit Meta se “ligjërisht nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor”

Erjon Dervishi

Deklarata e plotë e Presidentit i Kongresit

“Në dritën e zhvillimeve të fundit dhe pasigurisë në Shqipëri në lidhje me pjesëmarrjen e plotë të spektrit politik ë kandidatëve dhe partive në zgjedhjet lokale më 30 qershor 2019, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale ka vendosur të mos vendosë vëzhgimin e saj zgjedhor”, është kjo fjalia kryesore e deklaratës së Presidentit të Kongresit të Këshillit të Europës, vetëm pak ditë para datës 30 qershor.  Në deklaratën e Këshillit shpjegohet më tej se “Duke pasur parasysh faktin se në 31 nga 61 njësitë vetëm një kandidat është në pozitë për votimin lokal, është e vështirë të pritet një konkurrencë e rëndësishme politike dhe kjo nënkupton rrezikun logjistik për Kongresin se nuk është në gjendje të vendosë një mision të plotë përgjatë gjithë vendit, i cili është një procedurë standarde gjatë Misioneve të Zgjedhjeve të Kongresit në përputhje me rregullat tona. Misionet e Kongresit bazohen në vëzhgimin e zgjedhjeve lokale dhe rajonale me pjesëmarrje të gjerë të forcave të ndryshme politike të një vendi, dhe kështu Kongresi nuk ka vërejtur asnjë zgjedhje pa pjesëmarrje kuptimplotë të opozitës. Lidhur me këtë pyetje është vlerësimi ynë për një vendosje të sigurt për vëzhguesit tanë të Kongresit. Vendimi i Kongresit është marrë në konsideratë të të gjithë informacioneve të disponueshme për ne, si në lidhje me situatën politike dhe logjistike. Kongresi nuk bën asnjë deklaratë këtu për ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve dhe kjo nuk ka të bëjë fare me pyetjen nëse dhe kur do të mbahen zgjedhjet lokale. Ky është vendimi i vetëm autonome i Shqipërisë”.

Përbërja e delegacionit

Vetëm më 21 qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të miratonte kërkesën për vëzhgues ndërkombëtarë të Këshillit të Evropës me 19 persona dhe 8 përkthyes. Ata do të ishin vëzhgues afatshkurtër, çfarë nënkupton se do të ishin prezent vetëm ditën e zgjedhjeve. Lista e miratuar nga KQZ përbëhej nga Christina Binder; Zdenek Broz; Pedro Cegonho; Violeta Crudu; Stewart Dickson; Adam Drnovsky; Mario Gauci; Gyorgy Illes; Isabelle Joiret; Jean-Pierre Liouville; Josan Meijers; Cristian Menghetti; Vladimir Prebilic; Eduar Rivas Mateo; Martine Roudolff; Soren Schumacher; Bernd Strobl; Jelena Trifunovic dhe Renate Zikmund. Por pas 5 ditësh nga vendim, mësohet se ky mision është anuluar dhe për këtë shkaktar duket se është kriza politike, e siç theksohet për shkak të rreziqeve të mundshme për sigurinë. Këshilli i Evropës nëpërmjet Kongresit të Autoritetit Rajonale Lokale të Këshillit të Evropës monitoron zgjedhjet lokale në Shqipëri prej vitesh, madje edhe zgjedhjet parlamentare jo vetëm ato vendore. Në vitin 2015 ato mbajtën një raport mbi monitorimin e zgjedhjeve lokale, ndërsa ishin pjesë e vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentar të vitit 2013 dhe ato lokale të vitit 2011. Sipas procedurave misionet e vëzhguesve kryhen me kërkesë zyrtare të autoriteteve kombëtare përkatëse (p.sh. një ministri ose Komisioni Qendror Zgjedhor). Me marrjen e një kërkese të tillë, Kongresi krijon një delegacion përgjegjës për vëzhgimin e zgjedhjeve, zakonisht përbëhet nga 10 deri në 15 anëtarë të saj (përfaqësues të zgjedhur të bashkësive territoriale në 47 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës).

Para ditës së zgjedhjeve trupa e vëzhguesve zhvillon disa takime për të vlerësuar gjendjen e demokracisë zgjedhore, me pjesëmarrjen e institucioneve qeveritare, përfaqësuesve të zgjedhur lokalë dhe rajonalë, përfaqësuesve të administratës publike (komisionet zgjedhore), partive politike (qeveria dhe opozita) mediat, rrethet diplomatike dhe shoqëria civile. Në varësi të një vendimi nga Byroja e Kongresit, një delegacion parazgjedhor (që përbëhet nga dy deri në pesë anëtarë) mund të detajojë gjithashtu për të vlerësuar situatën e përgjithshme politike të vendit dhe fushatën zgjedhore dhe të hetojë kuadrin ligjor për zgjedhjet. Përbërja politike e delegacioneve është proporcionale me përfaqësimin e grupeve politike në Kongres. Kongresi gjithashtu siguron përfaqësim të drejtë të anëtarëve të saj të paregjistruar. Opozita ka paralajmëruar bllokimin të procesit zgjedhor më 30 qershor dhe pikat më të nxehta duket se janë në ato njësi vendore ku janë drejtuar nga PD dhe LSI.

Kështu Kukësi, Lezha, Shkodra, Kavaja, Pogradeci, Tropoja janë disa bashkitë e drejtuara nga opozita ku gjatë këtyre ditëve ka pasur tensione të ashpra, duke djegur materialet e fletëve të votimit pranë Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor. Në total janë 27 njësi vendore që drejtohen nga opozita, ku krerët e tyre në bllok i janë drejtuar me shkresë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të liruar ambientet që janë në pronësi të tyre si KZAZ, Qendrat e Votimit apo Vende të Numërimit të Votave. Mos prezencën e Këshillit të Evropës e ka konfirmuar edhe OSBE/ODIHR. Tashmë monitoruesit e vetëm të zgjedhjeve nga prezenca e ndërkombëtarëve do të jetë vetëm OSBE dhe ODIHR, e cila e ka deklaruar se do të vijojë misionin pavarësisht vendimit të KiE-së. Por zhvillimi i Lokaleve 2019 në Shqipëri, në prag të 30 qershorit, sa vjen dhe bëhet fakt real. Maxhoranca socialiste dhe partitë opozitare parlamentare po vazhdojnë fushatën zgjedhore deri në ditën e heshtjes zgjedhore, 24 orë para ditës së zgjedhjeve. Ndërkohë, opozita jashtë sistemit politik, e kryesuar nga Partia Demokratike(PD) vijon të deklarojë e do të pamundësojë zhvillimin e zgjedhjeve. Një situatë e tillë sjell paqartësi dhe ngre pyetjen:  A do të ketë apo nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor? Pikërisht kësaj paqartësie dhe rreziqeve që mbart ajo i referohet KiE në vendimin e sapo marrë.

ODHIR konfirmon prezencën në Shqipëri gjatë zgjedhjeve

Ndonëse Këshilli i Evropës anuloi misionin e vëzhguesve për zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri, OSBE/ODIHR do të vijojë misionin e saj. Katya Andrusz, Zëdhënësja e OSBE/ODIHR thotë në një komunikim për gazetën “Shekulli”, se vëzhgimi do të vijojë dhe se aktualisht të dërguarit janë në terren për të monitoruar cilësinë e procesit. “Po, vëzhgimi i zgjedhjeve nga ODIHR-it do të vazhdojë. Ne jemi politikisht tërësisht neutral dhe prandaj nuk kemi asnjë opinion për rezultatin e zgjedhjeve. Ne jemi në terren për të monitoruar cilësinë e procesit zgjedhor”, thotë për gazetën “Shekulli”, zëdhënësja e OSBE/ODIHR.

Tërheqja e KiE vendim politik! Sinjal që s’ka zgjedhje më 30 qershor

Këshilli i Evropës anuloi misionin vëzhgues të zgjedhjeve të 30 qershorit duke dhënë si arsye pasigurinë me të cilën mund të përballen vëzhguesit e këtij institucioni në disa zona të vendit. Por, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se pas këtij vendimi ka një tjetër arsye. Në një konferencë të shkurtër për mediat, Basha e cilësoi vendimin krejtësisht politik dhe sinjal i qartë dhe i prerë që 30 qershori nuk është datë zgjedhjesh. “Vendimi i Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale të Këshillit të Evropës për të anuluar dërgimin e Delegacionit Vëzhgues për farsën elektorale që po tenton të zhvillojë Edi Rama, është fakt kuptimplotë se në 30 Qershor nuk ka zgjedhje në Shqipëri. Ky është një vendim qartësisht politik, sepse është një tërheqje që Këshilli i Evropës nuk e ka bërë as për zgjedhje të zhvilluara në zona konfliktesh të armatosura, apo konflikti civil nga Ukraina në Gjeorgji nga Armenia dhe Azerbajxhani apo edhe gjatë konfliktit të armatosur në Maqedoni”, deklaroi Basha. Për herë të parë nga rënia e komunizmit, Këshilli i Evropës ka vendosur të mos dërgojë Delegacion Vëzhgues për zgjedhjet, pavarësisht ftesës që i ka bërë Qeveria shqiptare. Këtë vendim Këshilli i Evropës e ka marrë jo sepse ia ka kërkuar opozita, por sepse 30 Qershori nuk është ligjërisht ditë zgjedhjesh në Shqipëri”, tha Basha. Kreu i PD-së e interpreton këtë vendim të KiE si qëndrim të këtij institucioni që vlerësoi se 30 qershori nuk është datë zgjedhjesh. “Tërheqja e Këshillit të Evropës, institucionit kryesor evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe demokracisë, është distancim i qartë nga votimet farsë një partiake, antidemokratike dhe antikushtetuese që kërkon të bëjë Edi Rama”, tha Basha. Kjo ishte pjesa e parë e deklaratës së kreut të PD-së.

Flash Lajme

Më të lexuarat