Artikulli i Zërit të Amerikës

Në Shqipëri, procesi i votimit për 61 kryetarët e rinj të bashkive dhe këshillat e rinj bashkiakë, u mbyll sipas afatit në orën 19:00.

Përkundër dilemave dhe shqetësimeve që i paraprinë ditës së sotme, procesi u zhvilluar normalisht.

Përjashto një episod në Sukth të Durrësit ku një person hyri i armatosur në një qendër votimi, duke marrë kutinë e votimit e duke dëmtuar më pas materialet zgjedhore, e që u arrestua nga policia, nuk u regjistruan episode të tjera të rënda.

Në të gjithë vendin, pavarësisht vështirësive, qendrat e votimit u hapën në kohë, përveç disave në Shkodër.

Të dhënat më të fundit për pjesëmarrjen që i takojnë orës 18:00 flasin për shifra të ulëta në nivelin e 19,4 përqind.

Pjesëmarrja duket se po perceptohet si sfida mes shumicës dhe opozitës e cila përveç bojkotit të saj, i ka bërë thirrje dhe qytetarëve që ta braktisin ditën e votimit. Në këtë betejë të interpretimit politik të pjesëmarrjes, opozita mund ta shohë veten fitimtare, jo vetëm sepse ajo dy ditët e fundit i mëshoi këtij fakti, por sepse dhe mungesa e saj automatikisht çon në të paktën mosmarrjen pjesë të mbështetësve të saj.

Nga ana tjetër, ajo pjesë e elektoratit që është e pavendosur, nuk kishte asnjë motiv për t’u përfshirë në një proces me një rezultat të ditur, duke qenë se në gati gjysmën e bashkive, kandidatët socialistë nuk kishin asnjë rival.

Nuk përjashtohet as fakti se dita e sotme, me temperatura të larta ka bërë që të jenë të shumta ata që i janë drejtuar plazheve. Sikundër, dhe situata e tensionuar që i parapriu ditës së votimit, dhe frika për përplasje të mundshme, ka patur efektin e saj.

Flash Lajme

Më të lexuarat