Mbahen zgjedhjet lokale në 61 bashkitë e vendit. Sipas KQZ-së, pjesëmarrja e qytetarëve në votime rezultoi 21.6 për qind, më e ulëta në 29 vite demokraci. Akuza për manipulim dhe fryrje të shifrave

Lindita Bushgjokaj

Votimet e 30 qershorit, të cilat u paraprinë nga një konflikt i fortë mazhorancë-opozitë, mes thirrjeve për pjesëmarrje dhe bojkot, u zhvilluan dje në një klimë të qetë, ku në mbyllje të procesit rezultoi se vetëm 20 për qind e elektoralit iu drejtua qendrave të votimit. Në dukje, votimet e djeshme rezultojnë të kenë afruar drejt kutive punonjësit e administratës dhe familjarë të tyre, pas presioneve të ditëve të fundit të publikuara me mesazhe edhe në media, ndërsa prania vetëm e komisonerëve të majtë ka nxitur edhe një debat të ri se shifrat për pjesëmarrjen mund të jenë manipuluar. Kjo edhe falë të dhënave që KQZ ka nxjerrë dje me disa orë vonesë, ndryshe nga historiku i zgjedhjeve të kaluara kur pjesëmarrja është përditësuar më shpejt. Sipas Partisë Demokratike pjesëmarrja në këto zgjedhje nuk i ka kaluar 16 për qind, duke denoncuar në këtë mënyrë manipulimet që janë bërë në disa qendra votimi. Por, ajo çka mund të përmblidhet në gjithë procesin e djeshëm është fakti se populli vendosi përmes protestës së heshtur apo indifernetizmit të refuzojë të bëhet pjesë e votimeve. Në total, rezulton se më shumë se 2.7 milionë qytetarë me të drejtë vote refuzuan të hedhin votën në kutitë e votimit.

Hapja e votimeve

Në orën 07:00 ka nisur dje procesi i votimit në 61 bashkitë e vendit. Ndryshe nga socialistët, Partia Demokratike, LSI-në dhe dhjetëra parti të tjera kanë bojkotuar procesin e votimit, pasi sipas tyre në këto zgjedhje nuk përfaqësohet vullneti i popullit dhe qeveria Rama është e lidhur me krimin dhe drogën. Kujtojmë se ditët që kemi lënë pas fushata është shoqëruar me tensione në disa KZAZ-të vendit, madje ka pasur edhe persona të lënduar. Votimi ka nisur me probleme në Shkodër në njësinë administrative Postribë, në të cilën janë hapur vetëm 8 qendra votimit nga 15 gjithsej. Në orën 07:25 minuta, situata është pozicionuar në qendrën e votimit në Kukës. Ndërkohë, në orën 09:00 opozita ka zhvilluar një protestë paqësore para bashkisë, ku qytetarët përmes valles kanë ironizuar votimin socialist njëpartiak të 30 qershorit. Gjatë votimit ka pasur edhe tërheqje kandidatësh nga gara. Në orën 07:00, në Belsh mësohet se është tërhequr nga kandidimi Jashar Elezi i PKSH-së, duke mbetur në garë i vetëm kandidati socialit Arfi Tafani. Më pas, nga ora 07:40 deri në orën 08:30 në qendrat e votimit janë paraqitur vetëm deputetë dhe kryetar bashkie të PS-së, më në krye kreun e qeverisë Edi Ramën, të cilët kanë votuar dhe kanë bërë thirrje për të pasur sa më shumë pjesëmarrje. Probleme ka pasur në Pogradec mësohet se në 20 qendra nuk kanë mundur të nisin punën që në fillim të orarit zyrtar, pasi komisonerët e shoqërisë civile nuk janë paraqitur duke bllokuar procesin. Rreth orës 08:40 e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones ishte e pranishme për 30 minuta në shkollën “Edit Durham” për monitorimin e procesit të zgjedhjeve.

Procesi

Në orën 10:00, Partia Demokratike ka denoncuar me anë të një videoje blerjen e votës nga Partia Socialiste. Nënkryetari i PD, Edi Paloka publikoi një video ku sipas tij një grup personash nga Partia Socialiste kryejnë aktin e blerjes së votës. Video, siç tha Paloka tregon momentin e dhënies së parave një vajze që voton për herë të parë. Nënkryetari i PD tha se ka identifikuar një prej personave që ka qenë pjesë  e këtij rasti. Paloka e konsideroi këtë veprim një operacion kriminal të Kryeministrit Rama.  “PD identifikoi se njëri nga personat e përfshirë në këtë krim zgjedhor, është Edmond Ajro, komisioner i PS te njësia numër 9. Edhe kur është i vetëm në votime, edhe kur kontrollon çdo hallkë të zinxhirit që ka lidhje me votën, Edi Ramës i duhet të blejë votues, të vjedhë e të manipulojë rezultatin.” Më tej, Paloka iu bëri thirrje qytetarëve që të bojkotojnë Ramën dhe të bashkohen me protestat e PD. Me një tjetër deklaratë gjysmë ore më vonë, Partia Demokratike në Shkodër i bëri thirrje qytetarëve për bojkot masiv të procesit të votimit. Kreu i PD-së, Xhevdet Amuli tha se shkodranët nuk do të lejojnë që në Shqipëri të rikthehet komunizmi. “Të gjithë qytetarët shkodranë kanë qenë pjesë e një skenari dhune dhe të paprecedentë, të urdhëruar nga Edi Rama dhe zbatuar nga drejtues të PS-së së Shkodrës nën mbrojtjen e ministrit Sandër Lleshaj dhe ushtrisë. Të gjithë kemi parë se si kanë shpërthyer dyert e shkollave me pinca speciale dhe gurë fresibël në shkelje të ligjit. Rama-Lleshaj dhe banda e tyre janë përgjegjës për këtë dhunë të paprecedentë. 30 qershori është grahma e fundit e pushtetit të tyre kriminal, të cilët po mundohen ta trukojnë. Ne e dimë se këto janë votime moniste, antikushtetuese, joligjore dhe të pavlefshme. Shkodra i ka thënë jo njëherë komunizmit dhe nuk do të lejojë që projekti i Edi Ramës dhe kriminelëve që e rrethojnë të shndërrohet në realitet”. Në orën 10:33 në Elbasan votuan 10%, në Librazhd 9.5%, Elbasan 5%,  Peqin 4.5%, Cërrik 8%, Belsh 11%, Përrenjas 9%. Ndërsa në orën 10:47 ka nisur procedim penal, në gjendje të lirë kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi.

Apeli

Në orën 11:26 KQZ u ka bërë apel qytetarëve t’u drejtohen kutive të votimit, dhe të shprehin vullnetin e tyre me votë pasi zgjedhjet në demokraci mund dhe duhet të dalin vetëm nga vota. Në një tjetër deklaratë, KQZ ka njoftuar se pjesëmarrja në votime deri në këto momente ka qenë 12%. Në orën 11:37 mësohet se në Lezhë pjesëmarrja ka qenë 9.3%, ndërsa në kryeqytet, në KZAZ-në nr 36 me 57600 votues, votuan 6000 votues. Zyrtarë të lartë të PS kanë pranuar jo publikisht, se në këto zgjedhje Partia Socialiste në këtë zonë ka humbur elektorat të ndjeshëm. Ata përmendin vitin 2011 kur PS fitoi 14.000 vota dhe kulmin e arriti me Saimir Tahirin në 2017 me 17.000 vota. Tani PS e pranoi se me votimet e djeshme e kanë shumë të vështirë të arrijnë 10.000 vota, duke humbur një elektorat prej 70000 votash vetëm prej 2 vitesh. Në Korçë ka pasur në total 13,374 votues në orën 13:25 minuta, ndërsa në Shkodër, por në të njëjtën orë, në KZAZ-në numër 4 kanë votuar 900 qytetare. Në Kukës morën pjesë vetëm 13%, ndërsa në Skrapar 15%. Ndërsa në orën 14:10 në Mallakastër votuan 3 mije e 900 persona nga 31 mije votues ne total. Nga Saranda, është bërë e ditur se në KZAZ 88 pjesëmarrja deri në orën 13:00 ka qenë 5.558 votues nga rreth 46.000 votues gjithsej. Në orën 14:27, në qendrën e Votimit në shkollën “Vasil Shanto” në dy orë janë paraqitur vetëm 10 njerëz për të votuar.

Zguri: Shifrat e dala nga KQZ, jo të besueshme!

Shifra e KQZ-së 12% për pjesëmarrje në votime, është hedhur poshtë nga vetë Kreu i KQZ, Klement Zguri, i cili tha se nuk është e besueshme pa u konfirmuar zyrtarisht nga KQZ. “Janë shifra paraprake dhe vijnë vetëm përmes komunikimit telefonik. Unë akoma nuk kam votuar,-tha ai. Pavarësisht paqartësisë së një shifre zyrtare të besueshme nga KQZ-së, pas deklaratës së Zgurit ka vijuar votimi normalisht në të tjera qendra votimi. Në orën 15:23, në KZAZ-në nr.26 në Vlorë, në orën 14:45, kanë votuar 3550 persona nga 29 316 që ndodheshin në lista. Dy minuta më vonë, raportohet se në Gjirokastër pati  7400 votues, në Këlcyrë 1800 votues, Në Përmet mbi 3654 votues, Në Tepelenë 3286 votues, Në Dropull 2100 votues. Deri në orën 15:00 pjesëmarrja në Vlorë ishte 14 %, në Selenicë 12%,  Himarë 10%. Në orën 15:00, në një tjetër deklaratë për mediat, zëdhënësja e KQZ-së Drilona Hoxha u shpreh: “Komisioni Qendror Zgjedhor deklaron se deri në orën 15:00 kanë votuar vetëm 15.5% e votuesve. KQZ informoi se deri tani kanë votuar 546 338 votues. Deri tani në Tiranë kanë votuar 117 mijë votues”.

Akuza

PD ka denoncuar se shifrat që ka publikuar KQZ në lidhje me pjesëmarrjen në votime, të cilat sipas tij janë të falsifikuara. Ivi Kaso në një deklaratë për mediat tha se numri i saktë i pjesëmarrjes së votueseve deri në orën 11:00 ishte 6% dhe jo 12% ndërsa në orën 15:00 ishte 10% dhe jo 15.5%. “Kemi falsifikim të pjesëmarrjes në votimet një partiake të paligjshme. KQZ është në krye të këtij operacioni manipulimi duke mashtruar shqiptarët dhe partnerët për numrin e vërtetë të atyre që kanë votuar. Nga monitorimi i të gjitha qendrave të votimit ka rezultuar se pjesëmarrja faktike në rang vendi deri në orën 11 ka qenë 6% dhe 12% siç raportuan kamikazët e KQZ. Pjesëmarrja faktike deri në orën 15:00 ishte 10%”, është shprehur Kaso.

Tentativat për shtyrje orari

Kryetari i KQZ, Klement Zguri nisur nga disa deklarata për shtyrje të procesit të votimit thotë se pas përfundimit të orarit zyrtar, askush nuk mund të shkelë ligjin. “Në rastin konkret dua të citoj kodin zgjedhor, orari fillon në 7 dhe mbaron në 19, e vetmja mundësi është nëse ka radhë, komisioni duhet të marrë dokumentet e identifikimit dhe kjo është mundësia e vetme që qytetarët të votojnë. Përtej kësaj votimet janë të mbyllur dhe askush nuk ka të drejtë të tejkalojë normat dhe ligjet.  Marr shkas nga deklarata mediatike, ku bëhej fjalë për kërkesa që duhej shtyrë me rreth 30 minuta votimi. Votimi fillon në orën 7 dhe mbaron në orën 19. Askush nuk duhet të kalojë këtë orar. Është kërkesë e ligjit dhe askush nuk mund të tejkalojë këtë normë”.

Përplasjet

Thirrjet e palëve për pjesëmarrje dhe bojkot

Në orën 19:00 është ka përfunduar procesi i votimit në të gjitha qendrat e votimit. Sipas raportimit të procesit në çdo 30 minuta, mësohen shifrat e votuesve nga njëra QV në tjetrën. Në orën 17:00 në Vlorë, deri ne 16:10 nga KZAZ 26 raportohet se kane votuar 4524 votues nga 29 316. Ora 17:30 në Kukës, sipas përfaqësuesve te KZAZ, nga 44 962 votues, kanë marrë pjesë 8800 persona, ose 19%.  Në orën 18:11 në Lezhë kanë votuar 11.1 %,  në Mirditë 14.2% dhe në Lezhë  14.49%. Ora 18:00, në Skrapar OSBE vëzhgoi zgjedhjet. Ora:18:23 në Korçë:  Kreu i PD-së, Andrea Mano denoncoi PS se po merr me dhunë qytetarët për të votuar. Mano tha se ka raportime për blerje votash. “Në Ersekë vota u ble me 5 mijë lek të reja. Blerja e votës është dokumentuar” tha ai. Ora 18:24 në Tiranë: Rama që pas votimit në Surrel ka ndjekur të gjithë procesin e votimit nga selia e PS-së. Ora 18:25 në Shkodër: Denoncimi i Voltana Ademit: Komisionerët në Bërdicë plotësonin fletët e votimit. Ora 18:26 në Klos: Komisionerët e PS-së godasin me leva dy vëllezër se i filmuan duke transportuar votues. Në orën 18:27 në Berat, nuk është votuar sepse s’ka pasur njerëz. Në orën 18:31 në Lezhë: Partia Demokratike në Lezhë deklaroi se ka monitoruar dhe vazhdon të monitorojë procesin pothuaj në të gjitha Qendrat e Votimit. PD paralajmnëron se çdo “lajthitje” e komisioneve të votimit në këtë orë të fundit do kontestohet fuqishëm ligjërisht dhe me argumente të sakta. Ora 18:39 në Kavajë: Dërgohen dy kuti votimi në KZAZ numër dy, në gjimnazin “Tre Dëshmorët”. Raportohet se në 84 Qendrat e Votimit kanë votuar deri në këtë orë 6700 votues nga 63 mijë që janë thirrur për të votuar. Në orën 18:41 në Shkodër:  Raportohet se në një Qendër Votimi rrugës për në Velipojë komisionerët i kanë mbushur vetë kutitë e votimit në një numër të konsiderueshëm. Qendra e Votimit është një bar-kafe. Ora 18:45 në Kavajë: Mbyllet para kohe votimi në lagjen “Bukaq”. Kryetari i Komisionit vendosi ta mbyllë Qendrën e Votimit për arsye të numrit të ulët të votuesve. Në orën 18:30: kryetari i bashkisë Finiq denoncoi procesin e votimit, pasi sipas tij emrat e votuesve janë shtuar me shkrim dore. Në orën 19:12 në Krujë:  KZAZ numër 20 ishte në pritje të kutive të para. Ndërsa në orën 19:28 ka nisur zhvendosja e kutive të votimit nga QV në KZAZ, ku do të bëhet edhe numërimi

 

Flash Lajme

Më të lexuarat