Në kulmin e debatit politik mes mazhorancës dhe opozitës, PS ka filluar punën për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Mësohet se deri më tani janë kaluar nga grupi i punës mbi 10 nene, ndërkohë që puna vijon edhe për pjesën tjetër.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Konferencës së Kryetarëve, ka pasur një debat të fortë mes kryeparlamentarit Gramoz Ruçi dhe kryetarit të grupit parlamentar të PS Taulant Balla në lidhje me procedurën që do të ndiqet.

“Këshilli i Legjislacionit drejtohet një herë në 6 muaj me rotacion nga deputetët, tani e ka radhën zoti Fino. Me rotacion është drejtuar 2 herë nga ish-deputetët e opozitës.

Ky Këshill për këtë pikë është mbledhur dhe pothuajse ka arritur në përfundime në finale. Ne, sa herë ndryshojmë kryetarin, rifillojmë nga e para. Pse rifillojmë nga e para?! Çfarë diskutojmë?! Diskutojmë nëse do t’i implementojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, apo jo? Këtë po diskutojmë?! Jemi të detyruar t’i bëjmë. Është me detyrim përcaktim.

Çfarë po diskutojmë ne në këtë mes?! Gjykata Kushtetuese ka thënë: “kjo po, kjo jo”. Atëherë, ne do ta shkruajmë, do ta hedhim dhe jemi të detyruar. Nuk mund të dalim ne mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ka 2 vjet kjo histori; është që nga legjislatura e kaluar dhe pak më parë fola me organet e sistemit të drejtësisë. Jam i bindur që do të vinë në parlament apo në Komisionin e Ligjeve dhe do të thonë: “Zotëri, çfarë na kërkoni neve”?

Gjykata Kushtetuese, ligji që ke miratuar ti, më ka vënë këtë pezullim, unë nuk veproj dot, sepse kam këtë ngërç juridik, prandaj e kam zvarritur punën”. E kuptoni se ku jemi, apo jo?! Nuk mban më uji pilafi për këtë çështje.

Edhe unë po të jem kryetari i KED–së, kryetari i KLP-së e të tjera them: “Çfarë kërkoni nga ne ju”?! Ju keni 2-3 vjet, që keni miratuar paketën ligjore, keni bërë ndryshimet kushtetuese, ka pasur ankesë në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese për këtë nen kërkon llogari, e ka hedhur poshtë, të ka kërkuar riformulim dhe ti, ore zotëri, nuk e ke bërë, nuk e kam bërë unë. Tani çfarë kërkoni, duhet të dalim ne para popullit dhe t’u themi: na falni ne deputetëve që jemi zgjedhur, sepse nuk jemi në gjendje për 2 vjet të bëjmë dy nene?!

Këto dy nene, janë referuar nga Gjykata Kushtetuese. Ju lutem, kur ulemi në tavolinë, t’i lëmë partitë atje nga kemi ardhur dhe të vendosim, sepse disa gjëra nuk janë punë partish! Të gjithë po betohemi për reformën në drejtësi kur vjen puna për 2, 3, 4 apo 5 nene e pengojmë reformën në drejtësi”, tha Ruçi.

/Tirananews.al

Flash Lajme

Më të lexuarat