Shtyrja e mëtejshme e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, thënë shkurt, paraqet rrezik, deklaroi sot sekretarja e përgjithshme e Këshillit Për bashkëpunim Rajonal (RCC), Majlinda Bregu.

“Cilido qoftë moment pozitiv shpejt mund të shkatërrohet, nëse edhe më tej shtyhen perspektivat për anëtarësim. Nuk ka moment më të mirë për fillimin e (negociatave) nga i tanishmi, duke pasur parasysh se dy anëtare të Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (RMV dhe Bullgaria) bashkërisht e ndërmarrin kryesimin me Procesin e Berlinit, me çfarë rritet përgjegjësia e rajonit në këtë proces”, thekson Bregu në hapjen e takimit të 11-të vjetor të RCC-së, që po mbahet sot në Sarajevë në suaza të takimit të nivelit të lartë të Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (SEECP).

Bregu theksoi se viti i kaluar ishte shumë dinamik për RCC-në, duke theksuar se Këshilli do të vazhdojë të punojë me “tonin dinamik” të njëjtë edhe në periudhën e ardhshme.

“Këshilli për Bashkëpunim Rajonal është i gatshëm dhe dëshiron të përballet me çfarëdo sfide në të cilën do të hasë, por këtë nuk mund ta bëjë pa mbështetje të plotë të partnerëve të rajonit dhe Bashkimit Evropian. Nuk ka nevojë të humbasim kohë, që pastaj përsëri ta kërkojmë”, theksoi Bregu.

Në fjalimin e takimit, drejtoresha për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme, Anxhelina Ejkhorst deklaroi se BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë RCC-së dhe u ka bërë thirrje partnerëve të rajonit “të përmbahen nga komunikimi përmes mediave” dhe të tentojnë t’i tejkalojnë mospajtimet.

Ejkhorst theksoi se BE-ja dëshiron ta realizojë këtë që e ka premtuar në fushën e ndërlidhjes, integrimit evropian për Ballkanin Perëndimor, në bashkëpunim me RCC-në dhe të gjithë partnerët e rajonit.

Pjesëmarrësit në takim i kanë konfirmuar raportin vjetor të RCC-së për periudhën 2018-2019, si dhe strategjinë dhe planin për punën e organizatës për periudhën 2020-2022, që duhet të miratohet në takimin e ministrave të punëve të jashtme të SEECP-së.

Flash Lajme

Më të lexuarat