Presidenti Ilir Meta ka replikuar me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç, gjatë Samitit SEECP, që po zhvillohet në Sarajevë.

Ilir Meta kërkoi që Kosova të njihet dhe respektohet si shtet i pavarur nga fqinjët, çka ka nxitur reagimin e Bërnabiç.

“Në këtë tryezë ka disa vende që nuk e njohin Kosovën, dhe unë sugjeroj që të mos ketë përplasje për këtë çështje mes shteteve të tjera. Më vjen keq që përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme të Prishtinë nuk janë këtu. Kjo tregon se çfarë bashkëpunimi dëshiron Prishtina”, ka thënë Bërnabiç, shkruan “Blici” serb.

Deklaratat e Metës

Në këtë këndvështrim dua të shpreh keqardhjen për faktin se Republika e Kosovës, Kryesuesja jonë e ardhshëm, u detyrua të mos marrë pjesë në këtë Samit.

Si mund të pretendojmë që të kemi një bashkëpunim të efektshëm ku disa nga pjesëmarrësit e këtij forumi bëjnë të pamundurën për të përjashtuar një popull dhe një shtet të tërë fqinj nga përfitimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe projektet rajonale në fusha kaq të rëndësishme si siguria, arsimi, kultura, etj.

Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe respekti i ndërsjellë janë thelbësore për të pasur një bashkëpunim të efektshëm rajonal, për sigurinë dhe begatinë ekonomike për të gjithë ne. Kështu që tani është koha e duhur që jo vetëm Bosnja dhe Hercegovina, që duhet të kishte bërë të gjitha përpjekjet për të garantuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Samit, por edhe çdo vend tjetër të bëjë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të këtij realiteti.

Republika e Kosovës është shtet i pavarur e sovran dhe duhet të trajtohet me respekt, para së gjithash nga vetë fqinjët e saj.

Flash Lajme

Më të lexuarat