(Analiza ime botuar sot në gazetën DITA)

Koço Kokëdhima

E nderuar redaksi! E lexova pyetësorin tuaj, që hapte dje gazetën ‘Dita’.
Ju perifrazoni korrekt Edi Ramën të thotë shpesh që më të mirë se qeveria e tij Shqipëria “nuk ka patur, nuk ka dhe nuk do të ketë për ca kohë”.

Realiteti është krejt ndryshe. Shqipëria ka qeverinë më të papërgjegjshme, më mizore, më antikombëtare, më vasale, më arrogante, më të korruptuar dhe më të lidhur me krimin se të gjitha qeveritë e 29 viteve të fundit. Qeveria është vetë krimi në pushtet.
Edi Rama është maniak për pushtet dhe për pasuri. Për to ai ka bërë dhe bën gjithçka. Ndaj jemi këtu, të fundit në gjithçka, në rajon. Vendi më i varfër, plot me njerëz të uritur dhe në mjerim, me të pashpresë, të ndrydhur, të vrarë, të përbuzur, të vjedhur dhe të zvetënuar nga gjithçka, që ka përzënë pjesën më vitale dhe më të ditur rrugëve të botës.
Fajtore është elita e vjetër politike që është rrotulluar në shtratin e pushtetit në këto tri dekada dhe që ka pjellë këtë sistem politik të deformuar, antidemokratik, autokratik: thjesht një regjim despotik që nuk e llogarit popullin, por e rrjep atë. ‘Zgjidhja’ që drejtoj e ka vënë në shënjestër këtë elitë që është armike e lirisë dhe e demokracisë, që ka marrë peng një popull të tërë.
Kështu nuk mund të vazhdohet më. Kemi vite që e themi. Duhet të marrë fund sundimi i kësaj klase të dështuar politike. Sepse Shqipëria nuk e meriton varfërinë, padijen dhe arrogancën e pushtetit. EUROSTAT tha dje se Shqipëria është në fund fare në rajon për rritjen e të ardhurave për frymë, kur fqinjët tanë po i rritin thelbësisht, edhe pse s’kanë as burimet tona të çmuara natyrore, as pozitën tonë gjeografike, as njerëzit tanë të mrekullueshëm dhe punëtorë.
Këto para që u merren shqiptarëve, shkojnë në llogaritë e bajlozëve të korrupsionit, kryetarëve të partive të vjetra, qeveritarëve dhe klientëve të tyre, të gjithë të pangopur. Nuk mund të krahasohemi me asnjë nga vendet ish-komuniste. Shumica janë me kohë në BE, kanë prosperuar bindshëm. Madje na ka lënë pas edhe Kosova që ka vetëm 11 vite shtet i pavarur, probleme të shumta politike e etnike dhe luftën e sabotimin e përditshëm të Serbisë.
Partitë e vjetra nuk kanë asnjë projekt për ta bashkuar Shqipërinë me pjesën tjetër të botës demokratike. U leverdis status-quo-ja. PD dhe LSI adhurojnë rotacionin e pushtetit, jo hapjen dhe demokratizimin e sistemit.
Kjo duhet të marrë fund, ndryshe Shqipërisë po i vjen fundi, në çdo kuptim. Fatkeqësi! Votimet e 30 qershorit paralajmëruan fundin e elitës së vjetër politike, e cila prej 25 vitesh vjedh vota për të grabitur vendin. Siç thotë poeti Arben Duka: ‘Sot kemi përballë dy kampe armike, krejt ka degraduar, kjo klasë politike!’ Detyra jonë është t’i bëjmë funeralin kësaj kufome që po qelb dynjanë.
Ju pyesni: A ka ardhur koha për një forcë të re politike, jo prej atyre që prodhohen në laboratorët e të njëjtëve dhe a është Shqipëria gati?
‘Zgjidhja’ që nisi si lëvizje brenda PS-së në vjeshtën e vitit 2016, nuk ishte prodhim laboratori i të njëjtëve. Ndryshe nuk do ta sulmonte Rilindja bashkë me mëkatarët e mëdhenj të tranzicionit me aq armiqësi, të më përndiqte mua dhe bashkëpunëtorët e mi, duke mos lejuar demokratizimin dhe hapjen e PS-së.
Kjo nuk pranoi të bëhej demokratike për të nisur demokratizimin e qeverisjes, institucioneve dhe të vetë partive të tjera, që janë thjesht bashkësi parapolitike, organizata kriminale që plaçkisin shtetin dhe popullin për pushtetin dhe pasurimin e kryetarëve të tyre. ‘Zgjidhja’ është forca e re politike që i duhet vendit. Prej mëse dy vitesh e gjysmë udhëheq debatin politik, tezat e saj janë bërë gjithnjë e më popullore, thithen dhe shpërndahen në debatin politik nga partitë, shoqatat dhe individët.
Pakti Kombëtar për zgjidhjen e krizës nuk është pranuar vetëm nga partitë e vjetra që shohin te ai rrëzimin e tyre dhe dorëzimin e pushtetit që i kanë rrëmbyer popullit. ‘Zgjidhja’ nuk kërkon pushtet për veten, por liri për shqiptarët. Pakti Kombëtar dhe Platforma e Lirisë që ‘Zgjidhja’ propozon janë rruga e vetme e shpëtimit.
Sa më shpejt ta kuptojnë këtë gazetarët, studentët, akademikët, intelektualët dhe sipërmarësit, aq më shpejt do të ndodhë ndryshimi hyjnor. Ndjej keqardhje të thellë kur shoh nëpër studiot televizive, çdo mbrëmje, përfaqësues të grupeve të mësipërme që gjejnë pa fund arsye për të përligjur skllavërimin e shoqërisë.
-Për shkak të rrethanave, thonë ata, është mirë që mamuthët e korrupsionit t’i ushtrojnë edhe për disa kohë të drejtat e sovranit! Kur populli të bëhet sovran dhe zot i fateve të tij, në atdheun tonë do të rilindë shpresa dhe zhvillimi.
Atëherë kjo qeveri dhe Mëkatarët e Mëdhenj të tranzicionit do të duken ashtu siç janë në të vërtetë, turpi i turpit të historisë!
Në fakt, Shqipëria është gati, shqiptarët janë gati për këtë ndryshim! Ata që adhurojnë dhe shërbejnë shtypësit e gjithëpushtetshëm nuk do të luftojnë kurrë për lirinë e tyre, aq më pak për lirinë e vendit.

Flash Lajme

Më të lexuarat