Nis prishja e shtëpive te Unaza e Re. Banorët përplasën me policinë bashkiake dhe atë të Rendit. Banorët shprehen se ky është një provokim nga ana e qeverisë dhe do t’i mbrojnë banesat me çdo mënyrë

Enida Vërça

Banorët e Unazës së Re vazhdojnë betejën me Qeverinë duke mos lejuar shembjen e shtëpive, të cilat i hapin rrugë projektit të Unazës së Re. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm ata janë ndeshur sërish me policinë, pas sinjaleve të marra për prishjen e disa banesave. Policia bashkiake dhe ajo e rendit rrethuan zonën me perimetrin e sigurisë, duke nisur aksionin për prishjen, por u ndeshën nga rezistenca e banorëve. Këta të fundit janë shprehur se do t’i mbrojnë banesat e tyre me jetë duke mos lejuar ekzekutimin e një vendim të tillë. Familjarët janë shprehur se nuk mund të lejojnë prishjen e banesave të tyre, pa pasur asnjë lloj dëmshpërblimi nga shtetit.

Reagime

Në fjalën e tyre, banorët janë shprehur se shtimi i forcave të policisë në këtë zonë ka qenë në kuadrin e një provokimi nga ana e kryetarit të bashkisë, Erjon Veliaj dhe kryeministrit Rama. “Ky është një shoë i kryetarit të bashkisë dhe kriminelit Edi Rama. Ata nuk do te kenë shanse të prekin shtëpitë tona. Unë di të them që prishja e këtyre banesave nuk është në kuadër të projektit të Unazës së Re, por është një tjetër projekt i cili lidhet me rikualifikimin e një rruge që lidh zonën e Unazës me Kasharin. Ky është një provokim nga ana e tyre, gjë të cilën ne nuk do ta tolerojmë”, u shpreh një nga banorët e zonës. Më tej ai shtoi se banorët janë të kërcënuar dhe të detyruar për të bërë rezistencë deri në anulimin e këtij urdhri. “Ne jemi të kërcënuar, çdo natë bëjmë rezistencë deri orët e para të mëngjesit. Ne nuk lejojmë asnjë të na prekë djersën e ballit, le të vinë ta provojnë, por do t’i bëjmë kufoma në pragun e shtëpisë. Kurrsesi nuk do të lejojmë që të na prishen banesat”, përfundoi ai.

Përplasja

Forcat e shtuara të policisë në këtë zonë, sollën revoltimin e banorëve, të cilët pas një rezistence disa orëshe lejuan prishjen e katër prej banesave. Policia u kërkojë që të zbrazin shtëpitë për të nisur aksionin e prishjes, një urdhër ky i cili nuk kaloi pa përplasje. Pas një debati, disa orësh mes policisë dhe banorëve që u prekeshin shtëpitë, u hodhën në tokë 4 ndërtesa, mes tyre dhe një biznes privat. Banorët i kërkuan policisë të mos e ekzekutojë një këtë vendim, pa u njohur më parë me dëmshpërblimin. “Nuk mund t’i lirojmë shtëpitë, nuk kemi asnjë informacion se çfarë do të bëhet me ne. Na trajtojnë si të mos ishim njerëz të këtij shteti. Ne nuk po na do më vendi jonë, po na hedhin në rrugë pa të keq. Me këta duhet të tregosh vetëm muskuj, vetëm forcë për të përballuar këta horra të Rilindjes. Këto janë urdhra të kundërligjshëm, duke ushtruar terror te populli. Ne nuk kemi frikë, kush do ndezë zjarrin i pari do të digjet i pari. Bandat e policisë bashkiake nuk mund të përballen me ne, duhet ta harrojnë “Unazën e Re.” Ne këtu do japim jetën”, u shpreh një tjetër banorë i kësaj zone.

Njoftimi

Lajmin për prishjen e banesave në zonën e Unazës së Re në Tiranë, e ka dhënë ish-kryeministri Sali Berisha dy ditë më parë. Nëpërmjet një postim në rrjetet sociale, ish-kryeministri citon një oficer policie, i cili i ka dërguar një mesazh, teksa e lajmëron për prishjen e banesave. “Jam oficer policie dhe dua të njoftojë që nesër do të shemben disa shtëpi te “Unaza e Re”. Se sa janë nuk e dimë saktë dhe as e vendin konkrete. Vetëm dimë që po behën gati që sonte forca e ndërhyrjes së shpejtë dhe do jenë aty që në orën 3 të mëngjesit”, shkruan ish-kryeministri në faqen e tij të ‘Facebook-ut’. Pas këtij njoftim, banorët dy net më parë, kanë marshuar drejt shtëpisë së kryeministri Rama në Surrel. Me thirrjet “Rama ik”, dhe “O laper” ata shfaqen në shenjë revolte në kodrën sipër banesës së kreut të Qeverisë.

Rezistenca

Banorët e Unazës kanë mbi 10 muaj që protestojnë çdo ditë në rrugë, duke kundërshtuar shembjen e banesave. Projekti i Unazës së Re, pritet që bashkojë shkollën Teknologjike me rreth-rrotullimin Shqiponja. “Pjesa e unazës lidh shkollën Teknologjike me sheshin Shqiponja dhe përbëhet nga dy korsi vajtje-ardhje prej 11.5 metra, të cilat në projektin e ri do të trajtohen në mënyrë ndryshe sikurse pjesa e unazës që bashkon shkollën Teknologjike me pjesën e Kopshtit Botanik. Do të jenë tre korsi aktive sipas standardeve europiane 2 nga 3.75 m njëra dhe një tjetër për emergjenca prej 3 metra. Do të ketë një ndarje të trafikut me gjelbërim dhe do të ketë bankina 0.7 nga të dyja krahët dhe do të ketë nga secila nga anët rrugë dytësore me korsi secila 3.5 metra”, sqaroi në krye të herës së këtij projekti zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Artan Shkreli.

Polemikat Unazës, qeveria ndryshoi projektin pas skandalit

Loti i parë i Unazës së re, i cili krijoi furtunë, me zbulimin e falsifikimit të firmës së kompanisë “DH Albania”, vjen me një tjetër zhvillim. Pas shumë përpjekjeve, nga ana e qeverisë për të fshehur gjurmët e saj në këtë aferë me vlerë 20 milionë euro, dhe me disa konkurse farsë në gara tenderësh, përfaqësues të institucioneve që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ndërtimin e veprës, kanë lëshuar në tryezë një projekt të ri afro një muaj më parë. Kjo tentativë,duket si një kapitullim i qeverisë, por këtë herë jo pa kushte, pasi sedra për të mos u lënë hapësirë banorëve në zonë që protestojnë prej afro gjysmë viti, nuk ka shkuar me anulim, por me devijim projekti. Projekti Në dhjetor të vitit të kaluar projekti i lotit të parë që kushtonte 20 milionë euro nga 40 në total që shkonte projekti të Unazës së Re u anulua në mënyrë të njëanshme nga pala shqiptare pas konfirmimit nga autoritetet amerikane se kompania fituese “Dunwell Haberman Albania” ka falsifikuar bilancet me të cilat është paraqitur në tender. Pas këtij vendimi, po në dhjetor Autoriteti Rrugor Shqiptar rihapi tenderin për ritenderimin e ndërtimit të mbikalimit tek sheshi “Shqiponja”, ndërsa dje pasdite, kryetari i bashkisë Erion Veliaj së bashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku prezantuan projektin e ri. Projekti ka ndryshuar dhe tashmë nuk parashikon mbikalim te sheshi Shqiponja, por vetëm një nënkalim duke ulur kostot, pasi i pari shkonte 20 milionë euro. Ekspertët e bashkisë së Tiranës nuk dhanë shifër sa do të kushtonte, por u shprehën gjatë prezantimit të projektit se objektivi është që të mbetemi brenda tavanit financiar që ishte parashikuar. “Objektiv ishte që të mbeteshim brenda tavanit financiar që kishte projekti dhe brenda gjurmës së shpronësimeve, por edhe të optimizmin e transportin publik”. Nga pamjet e renderave, projekti nuk do të ketë mbikalime, por vetëm nënkalime. Veliaj tha se kalimi nëntokë i rreth-rrotullimit i jep qytetit një pamje krejt tjetër. “Një nga temat kryesore që kemi adresuar ka të bëjë me mundësinë dhe propozimin për transformimin e rrethrrotullimit “Shqiponja”, nga një zgjidhje në lartësi në një zgjidhje në thellësi. Kur infrastrukturat masive, pra autostradat, përshkojnë zona urbane, si ato që kemi parë në kryeqytete ose qytete të mëdha të Europës, kemi parasysh këtu rastin e Brukselit apo Milanos, zgjidhja ka qenë në thellësi. Pra, në vend që të kemi kate, që pengojnë pamjen e hyrjes së qytetit me infrastrukturë masive të betonizuar në lartësi, këto i çojmë në thellësi. Propozimi kryesor fillestar ka të bëjë me kalimin në kate nëntokësore, që nuk ndërpresin qarkullimin”, tha Veliaj. Po ashtu, ai theksoi se ky propozim sjell mosndarjen e qytetit me një mur artificial, i cili do të krijohej nga lidhja e unazës me rrethrrotullimin nëpërmjet këmbëve dhe murit të betonit. “Propozimi ynë shkon nga alternativa ku autostrada ngrihet në këmbë dhe në njëfarë mënyre krijon një urë artificiale midis Njësisë 7 dhe zonës së Astirit, Kasharit apo Yzberishtit, në kalimin në nivel zero, çka për këmbësorët, bizneset dhe ata që duan të shfrytëzojnë hapësirat e trotuareve apo mini-sheshet që krijohen në çdo kryqëzim, të kemi mundësi që t’i shtojmë vlerë dhe jo të krijojmë një mur ndarës, që shërben vetëm për makinat si mjet lidhës, kurse për dy komunitetet shërben si mjet ndarës”, theksoi kreu i bashkisë. Ndërkohë, ai vuri theksin në fjalën se askush që preket nga zhvillimi i këtij projekti nuk do të mbetet pa strehim. “Sigurisht, për ata që janë pa asnjë pronë, pa asnjë të ardhur, pa asnjë letër, kemi filluar një trajtim social. Kemi sot familje që jetojnë shumë herë më mirë te banesat sociale, që i kanë me letra dhe që i kanë me gjithë rregullat e shtetit, krahasuar me çfarë i kemi gjetur mbi pusetat dhe kolektorët te zona e Astirit”, tha Veliaj.

Flash Lajme

Më të lexuarat