Velipojë, 26 Korrik – Për të dytin vit është hapur Shtëpia e Pushimit në Velipojë, ku do të kalojnë pushimet fëmijët që jetojnë në institucionet e përkujdesit social në vend.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi shtëpinë e pushimit në Velipojë, ku aktualisht po kalojnë pushimet 35 fëmijë të Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”.

“Për të dytin vit hapim shtëpinë e pushimit këtu në Velipojë për fëmijët e institucioneve tona të përkujdesit. Pas fëmijëve të Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” në këtë shtëpi pushimi do të vijnë me rradhë, të gjithë fëmijët e institucioneve publike të përkujdesit për fëmijë pa përkrahje prindërore për të gëzuar në këto ditë vere si të gjithë fëmijët e tjerë”, tha Manastirliu.

Gjatë vizitës në Velipojë, Manastirliu tha se krahas ofrimit të shërbimeve sociale me standarde në qendrat e përkujdesit social, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është duke punuar me plane të individualizuara për bashkimin e fëmijëve me familjet biologjike apo kujdestare.

“E gjithë vëmendja jonë, e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është tek fëmijët, duke transformuar institucionet tona, në mënyrë që të krijojmë një ambient sa më të ngjashëm me atë familjar, për çdo fëmijë. Plani i deinstitucionalizimit, rikthimi në familje biologjike dhe sigurimi i një kujdesi alternativ për ta pas daljes nga institucionet mbetet një nga prioritet e punës sonë në drejtim të përkujdesit social ndaj fëmijëve.
Nga muaji Janar janë 9 fëmijë në institucionet e përkujdesit që janë rikthyer në familjet biologjike dhe 12 fëmijë janë birësuar”, tha ministrja.

Aktualisht janë 260 fëmijë në shtëpitë e fëmijëve rezidenciale dhe ditore publike në të gjithë vendin. 141 fëmijë 3-18 vjeç janë përfitues në Qendrat e Zhvillimit rezidenciale dhe ditore publike.

Flash Lajme

Më të lexuarat