Kreu i shtetit Ilir Meta kritikoi opozitën dhe maxhorancën për situatën e krijuar në vend. I dërgon  letër sekretarit të OSBE-së Thomas Greminger, të cilit i kërkon ndihmë që të ndërmjetësojë zgjidhjen e krizës

Lindita Bushgjokaj                                                  

Presidenti Ilir Meta i lodhur nga sjellja e Kryeministrit, kryetarit të PD dhe kryetares së LSI, ka kërkuar që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe jo të japin shfaqje teatrale politike. Gjatë fjalës së tij në Durrës, paraditen e djeshme kreu i shtetit nuk i ka kursyer kritikat ndaj kryeministrit Rama, kreut të PD-së Lulzim Bashës dhe Kryemadhit, të cilëve ju ka kërkuar që të bashkëpunojnë për të ardhmen europiane. Ilir Meta ngulmon për tre palë zgjedhje në 13 Tetor që sipas tij do të zgjidhnin krizën politike, ndërsa akuzoi kryeministrin Rama e se po u bën presion dhe shantazh institucioneve për të penguar zbatimin e dekretit për 13 Tetorin, si datë të re për zgjedhjet lokale, pasi anuloi 30 Qershorin. Në prononcimin e tij për mediat, Meta nuk kurseu kritikat për opozitën, dukë thënë se nëse do të ishte me këmbë në tokë do të kishte penguar shumicën që po kap institucionet. “Kam insistuar prej shumë kohësh për dialog dhe jo për diversion dhe demagogji, por për marrje përgjegjësish nga të gjitha palët për të rivendosur normalitetin dhe demokracinë në vend dhe që të funksionojë llogaridhënia.Ajo që na shqetëson është ky teatri i madh, politik absurd i cili kërcënon që Shqipëria të dërrmojë çdo mundësi për të çelur negociatat më 17-18 tetor. Prandaj i bëj thirrje të gjithëve në mënyrë të veçantë të tre artistëve t’i japin fund këtij absurdi. Të marrin masa për 13 tetor, sepse qytetarët shqiptarë kanë nevojë të kenë qetësi, normalitet qeverisje vendore të ligjshme dhe legjitime dhe që garanton llogaridhënie.Sigurisht që 13 tetori dhe zgjedhjet më 13 tetor për zgjedhjet vendore nuk besoj se zgjidhin gjithçka por ky është detyrim ligjor dhe kushtetues i pashmangshëm. Në radhë të parë është detyrim për kryeministrin, që të heqë dorë nga presionet dhe shantazhet ndaj të gjithë institucioneve të tjera duke penguar zbatimin e këtij dekreti dhe padyshim është përgjegjësi e të tjerëve të bëhen gati për të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit”, theksoi Meta.

Moment historik

Mesa duket Ilir Meta nuk është dorëzuar për të ulur në dialog 3-shen politike të cilët sipas tij janë shkaktarë të një situate të padenjë për imazhin e Shqipërisë. Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta i ka dërguar një letër OSBE kur shprehet se është një moment historik për të negociuar me dy palët shqiptare, opozitën dhe qeverinë, për zgjidhjen e krizës politike që ka përfshirë vendin. “Por kështu sot kam formalizuar edhe një letër drejtuar sekretarit të Përgjithshëm të OSBE që vizitoi dje Tiranën por edhe kryetarit të radhës së OSBE, ministrit të Jashtëm të Sllovakisë dhe presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE, meqë Shqipëria përgatitet për të marrë kryesimin e OSBE vitin e ardhshëm. Dhe ky është një moment i rëndësishëm dhe historik për të negociuar me të dyja palët këtu për arritjen e një zgjidhje sa më të shpejtë në ditët që vijnë, pasi nuk kemi kohë jo vetëm për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të kësaj situate aspak të favorshme për gjithë qytetarët tanë por edhe të padenjë për një vend, i cili duhet të jetë një shembull në kryesimin e BE për çështjet e zgjedhjeve, të funksionimit të institucioneve  demokratike dhe të kontribuojë në rritjen e sigurisë në të gjithë hapësirën e kësaj organizate jashtëzakonisht të rëndësishme”, tha Meta.

Situata politike në vend

Kreu i Shtetit në fund të fjalës së tij u shpreh se Shqipëria nuk mund të ecë në dy rrugë paralele, në atë të kapjes së institucione dhe atë të deligjitimitetit, po ka nevojë për një rrugë të përbashkët europiane. “Kam insistuar prej shumë kohësh për një dialog të qëndrueshëm politik jo për diversion, jo për demagogji se ky lloj dialogu nuk i duhet Shqipërisë por për marrje përgjegjësish nga të gjitha palët në mënyrë që të rivendoset normaliteti i funksionimit të institucioneve, demokracisë në vend dhe njëkohësisht që të funksionojë kontrolli dhe balanca midis pushteteve të ndryshme dhe mbi të gjitha llogaridhënia. Sot kemi një Parlament që nuk jep llogari para askujt, një shumicë që kontrollon gjithçka. Sot kemi një situatë jashtëzakonisht kaotike në të gjitha drejtimet. Kjo është përgjegjësi e palëve politike në vend. Asnjë nuk mund të shfajësohet sepse edhe opozita i ka pasur të gjitha mundësitë për të parandaluar me propozime me komb në tokë dhe të përgjegjshme shumë nga këto marrëzitë që kanë ndodhur në drejtim të përparimit të skenarit të qartë të kapjes së gjithë institucioneve në vend. Shqipëria nuk mund të ecë në dy rrugë që nuk mund të takohen me njëra-tjetrën të paktën hapur ose publikisht dhe në interes të qytetarëve shqiptarë që janë rruga e kapjes së institucioneve nga njëra ana në mënyrë tërësisht jodemokratike dhe rruga tjetër ajo e delegjitimimit të gjithë institucioneve. Ne jemi një vend dhe kemi nevojë për një rrugë të përbashkët që është ajo e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian që është vullnet i gjithë qytetarëve shqiptarë dhe duhet që dy palët të tregojnë përgjegjësi të mos e cenojmë më tej këtë vullnet,”-shtoi Meta.

Reagimi

Pas apelit të Metës ndaj palëve në vend, i cili i bëri thirrje opozitës dhe maxhorancës për të reflektuar për 13 tetorin, duke i bërë përgjegjëse për krizën politike, ka reaguar Ministrja Elisa Spiropali. Përmes një postimi në “Facebook”, Spiropali shprehet se Presidenti Ilir Meta me vendimin për t’i kërkuar OSBE-së të ndërmjetësojë krizën në Shqipëri, pranoi se nuk është më mbi palët, por udhëheqësi i njërës palë. “Baba Xhikja i paska kërkuar OSBE të bëhet arbitër mes palëve! Në fakt me atë letër ai paska pranuar thjesht që nuk është më as mbi palët, as mes palëve po thjesht udhëheqësi i njërës palë. Dmth s’është më President! Kurse letra mbetet si të tjerat: Export-Import Kafeje Qamili shpk”, shkruan Spiropali. Kreu i Shtetit i dërgoi një letër sekretarit të përgjithshëm të OSBE-së Thomas Greminger duke i kërkuar që të bëhet arbitër për zgjidhjen e krizës politike, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se përmes shantazhit dhe presonit po tenton që të pengojë zbatimin e dekretit për zgjedhjet e 13 tetorit.

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All