Shkëlzen Dumani u largua në Shtetin Islamik bashkë me dy fëmijët në shkurt të vitit 2014. Eva dhe Endri Dumani tashmë qëndrojnë të ngujuar në Siri. Nëna e tyre, Mide Dumani kërkon nga shteti që ata të vinë pranë saj

Xhentila Gjoshi

Mide Dumani, nga Tirana ka mbi pesë vjet që po mundohet t’i kthejë dy fëmijët e saj nga Siria. Në vitin 2014, burri i saj mori vajzën dhe djalin dhe shkoi në Siri për të luftuar në krah të grupit ekstremist, Shteti Islamik. “Mi mori fëmijët, më tha do iki për në Mal të Zi. Kur erdhi kunati më tha të ka lënë një letër që ka ikur për Siri. Unë jam një nënë e vuajtur që pesë vjet. Unë dhe fëmijët e mi. Ata edhe me babanë kanë qëndruar shumë pak. Ai u vra”, ka thënë ajo për Radio Evropa e Lirë. Bashkëshorti, Shkëlzeni u vra më 27 janar 2014, pak muaj pasi shkoi në Siri dhe luftoi në krah grupit militant të Shtetit Islamik. Kohën kur ai shkoi në Siri, vajza ishte 8 vjeçe dhe djali 5 vjeç. Në Siri fëmijët tani kanë emra arabë dhe kërkohen nga Interpoli. “Po si çdo nënë, siç thonë ku rrinë fëmijët, të rrijë edhe nëna. Mendja është gjithmonë atje pavarësisht që u bënë pesë vjet këtu. Ata që janë prindër mund ta besojnë këtë që më ka ndodhur mua, tjetërkush nuk e beson. Tani vajza është 14 vjeçe, çuni është 12, shumë të vegjël”, shprehet Mide Dumani. Pas vrasjes, fëmijët mbetën vetëm dhe tek ta shkoi gjyshja e tyre. Ata jetojnë në kampin al-Hol në Siri. “Të keni durim ju dhe ne. Kemi qëndruar që gjashtë vjet këtu në luftë, tani jemi rehatuar pak a shumë me ushqime dhe veshmbathje. Mos na e keni gajlen, kur të ikin të gjithë shqiptarët, edhe ne me shqiptarët bashkë”, thotë gjyshja e fëmijëve në një video. Daja i fëmijëve, Xhetan Ndregjoni, ka bërë shumë kërkesa ndaj autoriteteve shqiptare që t’i ndihmojnë në kthimin e mbesës dhe nipit. Mbesa i shkruan shumë shpesh dajës së saj. “Kemi mesazhe të pafund të vajzës që çdo ditë thotë: O daja, o daja, çka po bëhet? Kur po vjen shteti të na marrë? A po vjen ambasada të interesohet për ne? Kërkesa të tilla thotë për t’u bashkuar me motrën dhe me nënën e vet. Edhe njëkohësisht edhe me ne, me fëmijët tonë, të rriten bashkë. Janë lot të përditshëm këta. Më ka rënë të udhëtoj 200 deri 300 kilometra në ditë, meditoj, kujtoj fëmijët, derisa e ndjej vetën të pafuqishëm për të ecur, hap krahun, ngopem, vazhdoj rrugën”, thotë ai me lot në sy. Ndër të tjera ai fajëson institucionet për këtë ngjarje. Para se të radikalizohej Shkëlzeni punoi si instalues uji në Arabinë Saudite. Gruaja e tij thotë se burri nisi të radikalizohej kur u kthye nga Arabia Saudite. Ajo shpreson që edhe fëmijët e saj të kthehen siç janë kthyer disa fëmijë nga Siria në Kosovë. Kujtojmë se, në prill të këtij viti Kosova ka riatdhesuar 110 persona të kthyer nga zonat e luftës në Siri. Prej tyre, 74 ishin fëmijë.

Dy fëmijët në Siri

Eva dhe Endri Dumani, tashmë 14 dhe 12 vjeç, janë dy prej shumë fëmijëve shqiptarë, të mbetur mes katër rrugëve në Siri. Babai i tyre, Shkëlzen Dumani u vra në një betejë, teksa luftonte në krah të militantëve të ISIS më 5 nëntor të vitit 2014, nëntë muaj pasi mori me mashtrim dhe pa dijeninë e së shoqes fëmijët dhe u nis drejt Sirisë. Pas udhëtimit në Siri, Dumani i ka ndryshuar emrat e fëmijëve në Sara dhe Talha. Pas vdekjes së Dumanit, me gjithë përpjekjet disa mujore të familjarëve dhe autoriteteve shtetërore shqiptare, fëmijët e tij nuk lejohen nga ISIS të kthehen në atdhe. Në një letër publike, nëna e fëmijëve Mide Dumani, kërkonte dëshpërimisht ndihmë për kthimin e fëmijëve në shtëpi. Pas dështimit të përpjekjeve personale, ajo kërkon nga shteti që t’i bëhet krah në këtë betejë për kthimin e Evës dhe Endrit. Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda i nisur atë kohë, ka zbuluar se autoritetet shqiptare ishin në dijeni të planit të Shkëlzen Dumanit për t’u larguar bashkë me fëmijët drejt Sirisë, e megjithatë nuk ndërhynë për ta penguar. Pozitat e Policisë shqiptare u rënduan edhe më tej, pas zbulimit se dy punonjës të policisë së Rinasit, njëri prej të cilëve inspektor antiterrori, ndihmuan xhihadistin për të kaluar pa probleme dy fëmijët e mitur përtej kufirit. Sipas dosjes hetimore, besimtari me origjinë nga Peshkopia ishte kujdesur gjatë për gjetjen e një mënyre për t’i nxjerrë jashtë vendit fëmijët, pa lejen e nënës së tyre me të cilën sapo kishte përfunduar në divorc. Ai arriti të largohej bashkë me Evën dhe Endrin më 1 shkurt të vitit 2014, edhe pse në atë kohë ishte nën përgjim nga Prokuroria dhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Pak ditë para nisjes, Dumani është përgjuar teksa fliste me imamin e tij, Bujar Hysa për rrezikun e ndalimit të fëmijëve në Rinas. Por Hysa, i arrestuar në fillim të vitit 2014 si organizator i rekrutimeve për luftën e Sirisë e qetësonte dhe instruktonte se si të sillej. Para se të nisej drejt aeroportit të Rinasit, Shkëlzen Dumani kishte marrë edhe masat paraprake. Me ndihmën e një noteri, ai mashtroi ish-bashkëshorten që të firmoste një prokurë për nxjerrjen e fëmijëve jashtë vendit.

Fëmijët, pengje në luftë

Eva dhe Endri Dumani nuk janë fëmijët e vetëm shqiptarë që kanë mbetur jetimë në mes të luftës civile siriane. Më shumë se dhjetë xhihadistë shqiptarë janë vrarë në këtë luftë nga viti 2012, dhe shumë prej tyre kanë marrë me vete edhe gratë dhe fëmijët e mitur. Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka zbuluar se pesë prej të vrarëve kanë lënë në mes të luftës bashkëshortet e tyre dhe fëmijët e mitur. Nga të vrarët në Siri, Hamit Myslija iku me katër fëmijët, Bledar Hamza me vajzën 2-vjeçare, Diamant Rasha me gruan dhe dy fëmijët ndërsa Hasan Korvafaj e Sherif Taushani kanë lënë pas nga 3 fëmijë. Pjesa tjetër e 31 fëmijëve shqiptarë që aktualisht ndodhen në Siri, i kanë të dy prindërit gjallë, edhe pse askush nuk mund t’u japë garanci për sa gjatë. Hetimi ka zbuluar se ata qëndrojnë me fëmijë e gra të xhihadistëve të huaj në kampet e luftës në qytete të ndryshme të Sirisë. Ato nuk janë të lirë të kthehen në vendin e tyre, edhe pse xhihadistët këmbëngulin për të kundërtën.

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All