Për dy orët e protestës dhe deri në përfundim të mbledhjes Voltana Ademi ka preferuar që të qëndrojë në zyrë e saj në bashki. Një pjesë e protestuesve kanë shkuar menjëherë në bashki, së bashku me një pjesë e ish-deputetëve demokratë

Erjon Dervishi

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi tha se ajo që u bë dje në Shkodër do të zhbëhet. Në fjalën e saj para qytetarëve pas konstituimit që Partia Socialiste bëri për këshillin bashkiak, Ademi garantoi se do të vazhdojë të jetë kryetare e bashkisë derisa të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjatë fjalës së saj Voltana Ademi u shpreh se: Ajo që ka ndodhur dje në Shkodër do të zhbëhet. Ne kurrsesi nuk mund të lejojmë që një uzurpator të uzurpojë qytetin dhe Shqipërinë. Për këtë e kanë meritën vetëm njerëzit. Ne do të vazhdojmë të gjithë bashkë ta duam qytetin, ta mbrojmë qytetin. Unë do të kem detyrën dhe përgjegjësinë që të jem kryetare e bashkisë Shkodër deri në momentin sa më të shpejtë për të gjithë ne, jo vetëm për Shkodrën po për gjithë Shqipërinë ku ne shqiptarët ne shkodranët të sigurojmë zgjedhje të vërteta dhe të rregullta.

Ku të gjithë mund të zgjedhin të lirë,  jo vetëm për kryetarin e bashkisë, por edhe për këshillin bashkiak. Përpjeka jonë vazhdon. Kjo që u bë sot (dje) është një demonstrim i së vërtetës që besoj se e lexojmë jo vetëm ne, por për gjithë ata që kanë vesh për të dëgjuar dhe të prekin të vërtetën e dhimbshëm të shqiptarëve, të cilët nuk do të lodhën duke kërkuar demokracinë. Është një betejë që do të vazhdojë, është një betejë jo e lehtë, por ne kemi popullin. Nuk mundet askush të vendosë në emrin e tyre. Duhet të vazhdojmë bashkë  për ta bërë këtë të mundur”, përfundon ën fjalën e saj Voltana Ademi.

Basha drejt Shkodrës

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha me anë një të postimi në rrjetet sociale u shpreh se kjo “është një betejë çdo shqiptari që nuk pranon dhunën, hajdutërinë dhe kriminelët e Edi Ramës, nuk pranon papunësinë, padrejtësinë dhe arrogancën e Hajdutit Psikik”. “Qëllimi ynë është t’i nxjerrim këta banditë dhe hajdutë nga institucionet, nga parlamenti, nga bashkitë e pushtuara dhunshëm, t’i nxjerrim nga lokalet dhe hotelet luksoze, t’i nxjerrim nga studiot e mediave të kapura, t’i nxjerrim nga ekonomia, e t’i çojmë para ligjit. Tu vëmë prangat dhe t’i pastrojmë institucionet dhe rrugët e Shqipërisë, të pastrojmë ekonominë shqiptare nga këta banditë dhe hajdutë dhe t’ua kthejmë Shqipërinë njerëzve”, shkruan Basha. Ndërsa më pas u mësua se Basha u nis pasdite drejt Shkodrës. “Shkodra nuk iu përkul komunizmit e kurrsesi nuk do ta pranojë as përkuljen ndaj Edvin Ramës.

Protesta e sotshme ishte shprehja më e qartë e vullnetit të qytetarëve të Shkodrës, e konstituimi i këshillit ilegjitim bashkiak, asgjë tjetër veç një shfaqje e turpshme që kurrsesi nuk i ngjan një konstituimi të vërtetë, kur vendi i organizimit ndërrohet në sekondën e fundit e mbledhja organizohet me prezencën e forcave të FNSH-së. Një shfaqje qesharake brenda një celule të uzurpuar me forcë nga klika e Ramës. Shfaqje që vazhdon me arrestimet politike njësoj si etërit e tyre, në mes të të arrestuarve edhe kryetari i forumit rinor të Partisë Demokratike, Shkodër Arvit Bushati. Ne jemi të gatshëm të mbrojmë me çdo kusht Shkodrën nga pushtimi i Rilindësve të cilët përveç krimit e drogës nuk ndjellin kurrë asgjë të mirë. Të gjithë bashkë për të mos pranuar që e keqja të mbysë djepin e demokracisë!”, thuhet në një deklaratë degës së PD-së Shkodër.

Tranzicioni i dhunshëm në Shkodër

Dorëheqja e kryebashkiakut Valdrin Pjetri pa bërë ende betimin përpara Këshillit Kashkiak, do të rindezë sërish debatin në arenën politike mbi dekretet presidenciale dhe datën 13 tetor. Ngërçi i ri që pritet të krijohet do të shkaktojë një përplasje të fortë institucionale mes qeverisë dhe Presidentit për faktin se duhet të firmoset një dekret i ri për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në Shkodër; e kjo vetëm për kryetarin dhe jo për Këshillin Bashkiak. Procedurë ligjore që duhet ndjekur pas konstatimit të vakancës së kreut të Bashkisë së Shkodrës, ku afatet përfshijnë vënien në lëvizje të KQZ-së dhe Presidentit. Sipas nenit 61 të Ligjit për “Vetëqeverisjen Vendore” mandati i kryetarit të bashkisë përfundon përpara afatit në rastet kur kryetari: “nuk pranon të bëjë betimin dhe/ose jep dorëheqjen”.

Këto dy kushte plotësohen nga Pjetri, i cili me dhënien e dorëheqjes, automatikisht refuzon të bëjë edhe betimin në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak. Sekretari i Këshillit, sipas pikës dy të këtij neni, për ndjekjen e procedurave të nevojshme, njofton Prefektin për dorëheqjen e kryetarit. “Për rastet e përfundimit të mandatit të kryetarit përpara afatit, Këshilli Bashkiak njofton Këshillin e Ministrave nëpërmjet Prefektit. Në rastet e përfundimit të parakohshëm të mandatit, organizohen zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë, në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në këtë nen. PS-ja dukshëm ka ndjekur një strategji për të mos e dëmtuar ligjërisht Valdrin Pjetrin, duke mos e shkarkuar për shkak të ligjit të “Dekriminalizimit”, por për ta “larguar” me dorëheqje ende pa marrë detyrën.

Romeo Gurakuqi

Ish-deputeti demokrat për Shkodrën, Romeo Gurakuqi, akuzoi qeverinë për sjellje arrogante me qytetarët e Shkodrës. Duke e cilësuar një proces të paligjshëm konstituimin e këshillit të ri bashkiak, Gurakuqi zbuloi në një intervistë për gazetaren e RTV Ora, se ka pasur sinjale për një tërheqje në bllok të këshilltarëve të PS-së pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit si kryetar bashkie, por shtoi se presionet e kryeministrit dhe grupeve të caktuara kanë influencuar në momentet e fundit. Romeo Gurakuqi: Sjellja e sotme është tërësisht arrogante. Kryeministri po tenton të japë dhe Shkodrën. Goditja që mori me zotin Pjetri do të duhej ta detyronte atë dhe mazhorancën të reflektonte. Së bashku me kryetarin do të binin dhe këshilltarët. Ka pasur zëra për tu tërhequr në bllok por siç duket presioni i kryeministrit dhe pjesës që do ta përdorë Shkodrën për qëllime të veta influencoi që ata të mblidhen sot të rrethuar me rreshta policorë për të kryer një proces të paligjshëm, realizuar përmes një thirrje të paligjshme të prefektit të qarkut, një ushtar i bindur i mazhorancës. Sot janë mbledhur me urdhër dhe presion të atij që komandon gjithçka. Por që duke filluar nga sot ai gradualisht do të bjerë, moralisht ka rënë me kohë, sundon përmes forcave të policisë. Edhe për zgjedhjen e Briselda Kadisë si kryetare e këshillit bashkiak, Gurakuqi thotë se u shkel rregullorja.

2 Kolonë

Shkurt

Shoqërohet në polici kreu i FRPD Shkodër, Spahia: Urdhër politik!

Pas ngjarjeve në Shkodër, policia ka shoqëruar në komisariat kryetarin e Forumit Rinor Demokratike. Denoncimi është bërë nga ish-deputeti i PD, Bardh Spahia. Në një deklaratë për mediat, Spahia tha se shoqërimi është bërë me urdhër politik. Sipas tij vendi është në prag të diktaturës. Bardh Spahia: Shqipëria po rrëshqet frikshëm drejt diktaturës dhe deri modeleve të shëmtuara të mbajtjes së pushtetit me dhunë dhe nëpërmjet përdorimit politik të policisë si formë reprezalje ndaj përfaqësuesve të opozitës. Ishte një ngjarje e shëmtuar për të cilën do të mbajnë përgjegjësi të gjithë personat përgjegjës, nga ata urdhëruesit politike deri tek zbatuesit e verbër të urdhrave politike të eprorëve të tyre. Oficeri i policisë nuk kishte asnjë mandat nga prokuroria. Ishte një grabitje e mirëfilltë e kryetarit të Forumit Rinor nga civilë. Në përgjithësi është në frymën e përdorimit politik të policisë së shtetit për të frikësuar qytetarët e Shkodrës.

Basha: Tu vëmë prangat banditëve

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas konstituimit të Këshillit Bashkiak në Shkodër. Në një status në Facebook, Basha thotë se “beteja e sotme në Shkodër është beteja e çdo shqiptari që nuk pranon dhunën, hajdutërinë dhe kriminelët e Edi Ramës, nuk pranon papunësinë, padrejtësinë dhe arrogancën e Hajdutit Psiqik”. “Qëllimi ynë është t’i nxjerrim këta banditë dhe hajdutë nga institucionet, nga parlamenti, nga bashkitë e pushtuara dhunshëm, t’i nxjerrim nga lokalet dhe hotelet luksoze, t’i nxjerrim nga studiot e mediave të kapura, t’i nxjerrim nga ekonomia, e t’i çojmë para ligjit. Tu vëmë prangat dhe t’i pastrojmë institucionet dhe rrugët e Shqipërisë, të pastrojmë ekonominë shqiptare nga këta banditë dhe hajdutë dhe t’ua kthejmë Shqipërinë njerëzve”, shkruan Basha në Facebook.

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All