Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duket se janë penduar për vendimin ekstrem që morën në shkurt të këtij viti për të dorëzuar “në bllok” mandatet. Një gjë të tillë e tregojnë fare qartë tentativat e ish-deputetëve për të siguruar rrogë gjatë kësaj kohe që janë “të papunë”.

Në Gjykatën Administrative të Apelit janë regjistruar 11 padi nga ish-deputetët e opozitës, kryesisht të Partisë Demokratike të cilët kërkojnë nga Kuvendi i Shqipërisë që t’iu japë rrogën për periudhën e bojkotit. Që nga shtatori i 2018 e deri në janar të vitit 2019 opozitarët nuk morën pjesë në aktivitetet parlamentare. Për këtë periudhë kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, jua ndërpreu financat, por tani përfaqësuesit e PD-LSI kërkojnë para nga Kuvendi.

Në fund të korrikut, pra 4 muaj pas djegies së mandateve, ish-deputetet e PD, Jorida Tabaku dhe Nadire Meçorapaj i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Apelit, ku kërkojnë paratë e periudhës së bojkotit. “Paditës: Nadire Meçorapaj, Jorida Tabaku; I paditur: Kuvendi i Shqipërisë; Objekti: Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë të më paguajë përfitimet financiare të papaguara që burojnë nga legjislacioni për “Statusin e Deputetit” dhe që lidhen me ushtrimin e funksionit si deputet për periudhën korrik 2018 – janar 2019”, thuhet në kërkesën e opozitarëve. Gjykatës Administrative të Apelit për të kërkuar pagat për një periudhë kur nuk ka marrë pjesë fare në Kuvend i është drejtuar edhe Luan Baçi. Të tjera emra që si duket nuk po e përballojnë fort mirë djegien e mandateve janë edhe ato të Albana Vokshit, Genc Pollos, dhe Shezai Rrokajt. Ky i fundit deri tani është i vetmi nga radhët e LSI që ka kërkuar pagën për periudhën e bojkotit. Kërkesat e tyre të regjistruara në gjykatë vijnë vetëm pak muaj pas djegies së mandateve.

Flash Lajme

Më të lexuarat