Partia Demokratike ka lajmëruar nisjen e protestave, ndërsa përpjekjet për zgjidhjen e krizës do të vijojnë me vizitat e gjermanëve dhe delegacionet e BE-së. 13 tetori mbetet ende një datë e paqartë për zgjedhjet e kërkuara nga Meta

Lindita Bushgjokaj

Fillimi i sezonit të ri politik parashikohet të ketë shumë zhvillime të rëndësishme. Partia Demokratike edhe këtë fillim shtatori do të nisë me një valë protestash kundër qeverisë, ndërsa do ketë takime të shumta me ndërkombëtarët për të shqyrtuar krizën në vend. Bashkë me vjeshtën pritet që të hyjë edhe stina e re e protestave të opozitës. Gjatë muajit gusht, Partia Demokratike ka paralajmëruar se do t’u rikthehet tubimeve para godinës së Kryeministrisë me të nisur sesioni i ri politik. Për organizimin e këtyre protestave, PD pritet që të mbledhë në ditët e para të javës që po vjen strukturat drejtuese. Protestat do të jenë të parat pas dorëzimit të bashkive në duart e socialistëve, që i fituan në zgjedhjet e kontestuara të 30 qershorit. Vetë kryetari i PD-së, Lulzim Basha e paralajmëroi rikthimin në shesh kundër Edi Ramës në përfundim të takimit që pati me Katja Leikert, nënkryetaret e grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman. “Së bashku me qytetarët shqiptarë, opozita, përveç protestave, që do të jenë edhe më të mëdha, edhe më të fuqishme, në një situatë që është edhe më e vështirë, edhe më e pakapërdishme për njerëzit, siç është kjo e sotmja, me ekonominë, me gjendjen e një krize totale, me buxhetin e vjedhur e të grabitur, me taksa të rritura edhe më shumë, që parashikojnë e parathonë protesta edhe më të fuqishme”, deklaroi Basha. Protesta e fundit kombëtare e opozitës së bashkuar u mbajt pas 30 qershorit. Basha mblodhi drejtuesit e degëve të partisë dhe kryebashkiakët e djathtë për të përcaktuar rrugën me anë të së cilës opozita do t’i kundërvihej Edi Ramës. Sipas burimeve pranë selisë blu, në këtë mbledhje Lulzim Basha nuk ka folur për protesta. Por, presioni i kryebashkiakëve demokratë e detyroi që të përcaktonte 8 korrikun si protestën e radhës kombëtare. Që prej asaj date, opozita nuk ka zhvilluar më protesta masive, por protestoi në Devoll, Kavajë, Lezhë dhe Shkodër kundër konstituimit të organeve të reja të pushtetit vendor të dala nga 30 qershori.

Denoncimet

Tani, Basha dhe drejtuesit e tjerë të opozitës premtojnë që bashkë me vjeshtën hyn edhe stina e protestave edhe më masive se më parë. Por, çfarë ka ndryshuar nga korriku deri më tani? As Basha dhe as drejtuesit e tjerë kryesorë të demokratëve nuk morën pushime të zgjatura këtë verë. Ata u përqendruan në denoncimin e asaj që e quajnë në rastin më të mirë keqqeverisje të Edi Ramës dhe në rastin më të keq qeverisje e tij në bashkëpunim me krimin e organizuar. Gjatë kësaj periudhe PD publikoi dokumentacionin që e detyroi Valdrin Pjetrin që të japë dorëheqjen pa marrë ende detyrën e kryebashkiakut të Shkodrës, ndërsa në shënjestër ka vënë Agim Kajmakun e Vorës. Opozita e interpreton përzgjedhjen e këtyre dy emrave nga Edi Rama si kandidatë për dy bashkitë në fjalë si provë e kapjes së tij prej krimit të organizuar. Veç kësaj, PD është përqendruar edhe në denoncimin e atyre që i konsideron afera korruptive në përmasat e skandaleve. Si fillim iu referua denoncimit mediatik të shpenzimeve të ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj gjatë udhëtimeve jashtë vendit, ndërsa vetë publikoi faturën e një hoteli në Barcelonë ku zëvendëskryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku kishte qëndruar në një dhomë për 900 euro nata. Skandali, thotë PD, është se paratë janë paguar nga biznesmeni Shkëlqim Fusha, që zotëron Fusha Shpk, kompani që rezulton fituese në numrin më të madh të tenderëve të bashkisë së kryeqytetit. Por, me shtatorin nuk vijnë vetëm protestat.

Vizitat zyrtare

Në ditët në vijim pritet që Tirana të vizitohet nga delegacione me peshë të Bashkimit Europian dhe të Gjermanisë, me mision zgjidhjen e krizës politike. Sinjalet se ndërkombëtarët do të jenë më aktivë në ndërmjetësimin e krizës u dhanë me vizitën e nënkryetares së grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Katja Leikert. Në fund të takimit me zyrtaren gjermane në selinë e Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu gatishmërinë për t’u ulur në dialog nëse ky i fundit ndërmjetësohej nga Gjermania. Një tjetër zhvillim që pritet të ndikojë në drejtimin që do të marrë kriza e thellë politike dhe institucionale në Shqipëri është ai i emërimit të Mattheë Palmer si përfaqësues i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, detyrë që do ta ushtrojë krahas asaj të zv.ndihmëssekretarit në Zyrën për Europën Jug-lindore dhe Euroazinë në Departamentin e Shtetit. Palmer bën pjesë në grupin e zgjeruar të ndërkombëtarëve që këmbënguli për zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor. Për këtë deklaratë dhe të tjera si këto, ai u cilësua si i njëanshëm dhe në mbështetje të Edi Ramës nga ana e Presidentit Ilir Meta.

Rikthehet Kuvendi, shumë dekrete për tu shqyrtuar

Parlamenti do të nisë sesionin e ri në sot në orën 18:00, duke riaktivizuar në këtë mënyrë debatin për krizën politike, e cila ka hyrë në muajin e 8 të saj. Seanca e parë për sesionin  ri, do të miratojë programin  dhe kalendarin e punës ndërsa, do të jetë i mbushur me dekrete të presidentit, i cili këtë verë riktheu për rishqyrtim një seri ligjesh, kryesisht marrëveshje financiare për investime infrastrukturore. Presidenti i refuzoi socialistëve, “Ligjin për Akademinë e Shkencave”, ligjin për miratimin e “kontratës Koncensionare për rrugën Orikum-Llogara”, kontratën “koncesionare për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren”. Gjithashtu Presidenti në muajin korrik i riktheu Kuvendit për rishqyrtimin edhe ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat. Të njëjtin fat, kishte edhe kodi penal, i cili qëndroi për disa vite në sirtarët e Kuvendit, deri kur opozita u zëvendësua me deputet të rinj, të cilët i dhanë konsensus Partisë Socialiste. Presidenti Ilir Meta, ka refuzuar gjithashtu edhe ligjin për zhvillimin dhe planifikimin e territorit, dispozita të cilat lidhen me praktika të ngjashme me atë për ndërtimin e “tetarit të ri”.  Gjithashtu me nisjen e sesionit të ri parlamentar, do të riciklohet edhe debati president-qeveri, për faktin se do të nis nga puna edhe komisioni hetimor për shkarkimin e Metës. Ndërsa opozita, e cila në muajt e verës la protestat, duke u fokusuar në denoncime të rasteve korruptive të  pretenduara  apo zyrtarë socialist të lidhur me krimin, ka intensifikuar takimet. Në selinë blu, takimet e Bashës janë shtuar ndjeshëm jo vetëm me aleat apo bashkëpunëtorë të tij, por dhe me faktorin ndërkombëtarë. Protestat do të jenë sërish arma e fortë që pritet të përdorë opozita për largimin  qeverisë, ndërsa paralelisht do të parashtrohet edhe oferta e opozitës për nesër në qeveri. Partia Demokratike dhe aleatët e saj, ende nuk kanë përcaktuar një axhendë të qartë, ndërsa mbetet e paqartë ajo çfarë do të ndodhë me Shkodrën, por edhe me 13 tetorin si datë e dekretuar nga presidenti për zgjedhje vendore.

Reforma në Drejtësi, ISP: PS e zvarrit, opozita e Presidenti e sulmojnë

Instituti i Studimeve Politike ka publikuar raportin e radhës nga monitorimi i reformës në drejtësi. Krahas problematikave ligjore e burokratike të zbatimit të kësaj reforme dhe zvarritjes në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, raporti del në përfundimin se të gjitha partitë politike po e pengojnë këtë reformë. ISP thotë se pavarësisht diskursit publik, partitë kryesore politike janë de facto kundër jetësimit cilësor të reformës, duke e konsideruar drejtësinë e re si rrezik potencial për gjithçka ato kanë administruar dhe administrojnë në shtet e në shoqëri. “Secila parti politike e shikon reformën si mjet kërcënues për palën tjetër dhe vettingun si proces që po pastron mbështetësit e palës tjetër politike në sistem. Asnjë parti politike nuk ka dhënë deklarim zyrtar publik në mbështetje të një vendimmarrjeve të KPK apo KPA, si dhe nuk ka përfshirë në rregullat e tyre të brendshme heqjen e mbështetjes politike për individët e larguar nga sistemi i drejtësisë dhe që mund të kenë ambicie politike”, thuhet në raport.

Përplasja president-kryeministër

Raporti interpreton si “shkop nën rrotat e reformës” edhe përplasjen mes Presidentit dhe Qeverisë dhe retorikën e opozitës për këtë reformë. “Konflikti midis Presidentit dhe Qeverisë, kritikat e Presidentit ndaj rolit të faktorit ndërkombëtar në reformën në drejtësi, nisma e mazhorancës për shkarkimin e kryetarit të shtetit në momentin kur ai duhet të emërojë anëtarët në Gjykatën Kushtetuese, si dhe retorika denigruese ndaj reformës nga opozita apo keqpërdorimi i sukseseve të reformës si suksese politike nga mazhoranca, janë e mbeten tregues të faktit se elita politike është e mbetet opozita më e fortë ndaj një sistemi drejtësie të ri, të ndershëm, të pavarur, me integritet dhe profesional”, thuhet më tej. Duke analizuar qëndrimet e tre partive kryesore, PS, PD dhe LSI, raporti vëren se pavarësisht deklaratave, veprimet e të trija këtyre partive kanë penguar ritmet e reformës.

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All