Papritur vendi nga një sezon veror që po shkonte drejt fundit, zyrtarisht kaloi në stinën e vjeshtës. Dita e hënë në të gjithë vendin ka patur shtim të vranësirave dhe të erës.

Qyteti i  Elbasanit është goditur nga stuhia e cila shkaktoi menjëherë përmbytje dhe kaos në qarkullim. Në qytet ka patur edhe reshje breshri e rrëshqitje dherash që kanë bllokuar rrugët. Po ashtu raportohet se nga erërat e forta janë shkulur edhe disa pemë. Si pasojë e reshjeve të dendura në qytet janë krijuar edhe disa probleme ku në lagjen 5 Maj janë përmbytur disa bodrume dhe disa rrugë.

Në terren për të vëzhguar situatën ka qenë edhe kreu i Bashkisë, Gledian Llatja. Shërbimet zjarrfikëse kanë dalë në terren duke ndihmuar në heqjen e ujit në rrugë dhe në bodrumet e përmbytura. Edhe në qytetet e tjera të vendit ditën e djeshme janë shtuar vranësirat dhe rrymat ajrore kanë qenë më të forta. Drejtori i Emergjencave në Bashkinë e Elbasanit, Taulant Sinani, në një prononcim për mediet, ka thënë se situata nuk është aspak emergjente megjithatë bashkia dhe emergjencat e qytetit kanë marrë të gjitha masat për të bërë të mundur pastrimin e rrugëve dhe bodrumeve nga uji.

“Rreth orës 16:20 kemi patur reshje intensive të shoqëruar edhe me breshër për rreth 30 minuta. Kjo zonë ose siç quhet ndryshe zona e Teqes ka një problematike të veçantë pasi sistemi i kullimit nuk funksionon por edhe është nën nivelin e kolektorëve qendror. Pavarësisht se tre muaj më parë në kishim një situatë të ngjashme nuk kemi përmbytje përjashtim dy familjeve. Problemi është të kanalizimi do bëjmë ndërhyrje që të mos behët më kështu. Tashmë falë ndërhyrjeve situatat nuk përsëriten me përmbytjet. Aktualisht kemi nxjerrë në terren skuadrat e agjencive të shërbimeve publike përfshirë edhe fadromat, komplet stafi i zjarrfikësve dhe nuk kemi asnjë problem apo situatë emergjente. Edhe stafi është në shërbim në 24 orë. Gjendja nuk ka për tu rënduar”.

Sipas Meto-Alb pasditja shtoi vranësirat në jug dhe qendër të vendit duke sjellë shira të përkohshëm. Herë pas here do të ketë stuhi afat-shkurta të erës, më të theksuara në zonat bregdetare. Pas qytetit të Elbasnit edhe në Berat reshjet e shiut kanë sjell probleme. Shiu krijoi një kaos në lëvizjen e makinave ku janë krijuar radhë të gjata automjetesh nga Kombinati në hyrje të Beratit e deri në Uznovë në dalje të qytetit. Uji ka vërshuar në rrugët e qytetit për shkak se disa puseta kulluese kanë shpërthyer nga prurjet e larta të shiut dhe amortizimit të tubacioneve. Ky aks rrugor krijon gjithmonë problematika pas reshjeve të shiut. Ndërkohë punonjësit e bashkisë dhe të ujësjellësit po punojnë në kanalizime për të zhbllokuar pusetat.

Flash Lajme

Më të lexuarat