Komisioni i Ekonomisë ka rrëzuar kandidaturën e Petraq Milos për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit, propozim ky i bërë nga presidenti Ilir Meta. Kjo është kandidatura e tretë e paraqitur nga presidenti, që refuzohet nga shumica

Lindita Bushgjokaj

Me 9 vota kundër dhe 4 vota pro, Komisioni i Ekonomisë ka rrëzuar kandidaturën e Petraq Milos për të drejtuar KLSH, propozim ky i bërë nga Presidenti Ilir Meta. Konkretisht, kandidati Petraq Milo nuk ka kaluar në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend, duke u bërë kandidati i tretë, pas Bahri Shaqirit dhe Vitore Tushës, që rrëzohen si kandidat për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit. Ka qenë deputetja Evis Kushi, ajo që i ka drejtuar tre pyetje kyçe Petraq Milos, në lidhje me karrierën e tij. Sipas deputetes socialiste, në CV e Milos mungojnë të dhënat për detyrën që ka mbajtur nga vitit 1998 deri në vitin 1991. Gjithashtu, sipas deputetes Kushi, në karrierën e tij Petraq Milo ka mbajtur një funksion në Bankën e Shqipërisë në kundërshtim me ligjin, pasi ai ka qenë kandidat për anëtar të Këshillit Kombëtar të PD-së. Në pyetjen e tretë, Kushi ka kërkuar dhe informacion, rreth arsyeve të dorëheqjes së Petraq Milos nga posti që ka mbajtur në Bankën e Shqipërisë.

Ndërkohë, kandidati i prezantuar nga Ilir Meta, që më herët ka qenë këshilltar i Berishës, u shpreh se sipas ligjit në CV duhet të jenë të shënuar 10 vitet e fundit të karrierës së tij, ndërsa sipas tij, informacioni i dhënë në CV është për 20 vitet e fundit. Ndërkohë, Petraq Milo ka mohuar që ka dhënë dorëheqjen nga BSH. “Në periudhën 88-91, kam qenë drejtor i drejtorisë ekonomike të kombinatit të autotraktorëve. Funksioni në Bankën e Shqipërisë është para PD. Nuk kam dhënë dorëheqjen nga Banka e Shqipërisë. Në punën time kam qenë model për të qenë bashkëpunues, për të mbështetur çdo qeveri. Nuk ka pasur asnjë qëndrim politik në punën time”, deklaroi Milo. Të martën, Kuvendi rrëzoi përsëri kreun e shtetit, i cili i kishte kthyer disa ligje për rishqyrtim, të cilat u rimiratuan në Komisionin e Ekonomisë, dhe do t`i shkojnë përsëri Kuvendit për miratim.

Kush është Petraq Milo?

Prof. Dok. Petraq Milo është një personalitet me eksperiencë brenda dhe jashtë vendit në fushën e financave, të auditit, të bankave dhe të ekonomisë në tërësi, gjithashtu me një kontribut në drejtimin e institucioneve financiare, fiskale e bankare në Kosovë. Përvoja e tij akademike, brenda dhe jashtë vendit, si edhe bashkëpunimi me institucionet më të rëndësishme financiare botërore dhe të Bashkimit Europian, janë një faktor i rëndësishëm për këtë zgjedhje. Po ashtu, Petraq Milo është dhe kushëriri i parë i kreut të PDS-së, Paskal Milo, i cili është një ndër aleatët e PS-së dhe Edi Ramës, që iu bashkua dhe grupit të subjekteve politike që morën pjesë në votimet monopartiake të 30 qershorit. Ndërsa në reagimin e zëdhënësit të Presidentit, Tedi Blushi thuhet: “Prof. Dok. Petraq Milo është një personalitet me një eksperiencë të jashtëzakonshme, brenda dhe jashtë vendit në fushën e financave, të auditit, të bankave dhe të ekonomisë në tërësi, gjithashtu me një kontribut të spikatur në drejtimin e institucioneve financiare, fiskale e bankare në Kosovë. Përvoja e tij akademike, brenda dhe jashtë vendit, si edhe bashkëpunimi me institucionet më të rëndësishme financiare botërore dhe të Bashkimit Europian, janë një faktor i rëndësishëm për këtë zgjedhje”, ka thënë më herët Presidenca.

Agron Duka: Rrëzimi Milos licencoi vjedhjen

Kryetari i PAA-së, Agron Duka përmes një postim në rrjetet sociale ka reaguar dje për vendimin e Kuvendit, i cili rrëzoi kandidaturën e Petraq Milos, propozuar nga Presidenti Meta për të drejtuar institucionin e KLSH-së. Sipas tij, mosaprovimi i kandidaturës së propozuar nga Kreu i Shtetit automatikisht po kthehet në një licencë për të vjedhur pasi mungon kontrolli. “Sot (dje) Kuvendi rrëzoi kandidatin e tretë për Kontrollin e Lartë të Shtetit. Kjo bën që ky institucion i rëndësishëm, që monitoron dhe kontrollon mënyrën e përdorimit të Buxhetit të Shtetit, administrimin e shpenzimeve publike, i cili është edhe burim bazë i referimit për rastet e shkeljes së ligjit dhe dëmit ekonomik ndaj shtetit e interesave publike, të jetë prej 10 muajsh pa drejtues. Ky është një tjetër rekord i zi për një vend që është pa Gjykatë të Lartë, pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa KLSH funksionale. Automatikisht kjo kthehet në një licencë për të vjedhur, pasi mungesa e kontrollit, shton makutërinë e një grupimi që ndër vite nuk ka qenë kurrë i kursyer në prodhimin e skandaleve. Njëkohësisht, kokëfortësia për ta lënë KLSH pa kryetar, rrezikon të përkthehet në një tentativë për të imponuar një kandidaturë sa më pranë interesave të mazhorancës. Kësodore, në një kontekst në të cilin ndarja e pushteteve ka rënë dhe Presidenti është nën trysninë e mazhorancës, kapja e KLSH-së do të ishte pika që do të shënonte mbushjen e kupës prej babëzisë. Një babëzi që do të marrë fund vetëm kur të largojmë arkitektët e shkatërrimit”-  shkruan Duka.

KLSH është institucion i pavarur kontrolli i jashtëm në Republikën e Shqipërisë. Funksionet dhe detyrat e KLSH janë përcaktuar shprehimisht në Kushtetutë dhe në ligjin organik nr. 8270, datë 23.12.1997. Në organizimin e drejtimit, KLSH i referohet rregullave e udhëzuesve organikë të brendshëm që veprojnë në përputhje me legjislacionin shqiptar. Pavarësia e institucionit është e garantuar me pozicionin kushtetues dhe ligjin organik të KLSH, duke filluar nga pavarësia e Kryetarit, pavarësia financiare, imuniteti i Kryetarit, pavarësia organizative dhe funksionale. Kryetari zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës dhe qëndron në detyrë për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. Mandati kushtetues dhe mbrojtja ligjore e Kryetarit të KLSH-st është shprehur në ligj duke përcaktuar në mënyrë taksative vlefshmërinë e mandatit, rastet kur ky mandat përfundon para kohës së caktuar dhe mënyrën e ndalimit dhe mbrojtjen ligjore për ato raste që vërtetohet kryerja e një krimi. Në këtë rast është Gjykata Kushtetuese që jep konfirmimin për ndalimin ose jo të Kryetarit të KLSH-së.

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All