Publikimi i raportit të OSBE/ODIHR mbi 30 qershorin, ku evidentoheshin shkeljet në zgjedhje ka bërë sot bashkë në një takim Lulzim Bashën, Monika Kryemadhin dhe aleatët e tjerë të opozitës.

Mësohet se takimi ka nisur rreth orës 19:00 në selinë blu, ku do të koordinojnë aksionin e përbashkët opozitar të vjeshtës.

Në selinë blu për të dytën ditë radhazi ka mbërritur kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Kujtojmë që një ditë më parë kreu i Partisë Demokratike dhe kryetarja e LSI-së takuan edhe zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, David Kostelancik.

“Raporti i OSBE/ODIHR e ka rrëzuar farsën e 30 qershorit në çdo aspekt. Raporti tregon se 30 qershori ishte procesi më problematik dhe më i pandershëm i dy dekadave të fundit. Për herë të parë në historinë e pluralizmit politik, kemi një raport i cili nuk flet thjesht për parregullsi teknike, apo shkelje, por për krime të mirëfillta dhe veprime të qëllimshme antiligjore të të gjithë strukturës elektorale në vend, dhe për një shkatërrim të qëllimshëm të të drejtës së popullit për të zgjedhur”, ka deklaruar kreu i PD.

Më herët Basha dhe aleatët paralajmëruan se me shtatorin do të rikthehen edhe protestat anti-qeveritare të opozitës. Kryedemokrati kërkon zgjedhje të parakohshme, të lira dhe të ndershme, pa Edi Ramën kryeministër.

Flash Lajme

Më të lexuarat