Në komisariatin e Policisë Poliçan, janë shoqëruar 12 shoferë të kamionëve të firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ në fshatin Novaj.

Shoferët janë ndaluar që prej orës 12:00 të mesditës së sotme dhe aktualisht ndodhen brenda ambienteve të Komisariatit të Policisë në Poliçan.

Në momentin e ndalimit shoferët kanë qenë duke zbritur me kamionët të ngarkuar dhe të gjithë kanë qenë të pajisur me dokumentacionin përkatës.

Pa asnjë arsye, forcat e shumta të policisë, u kanë kërkuar shoferëve të fikin kamionët dhe pasi i kanë mbajtur disa orë në mal, i kanë shoqëruar në Policinë e Poliçanit.

Vetë drejtuesit e kamionëve dhe pronarët e firmave deklarojnë se ndalimi i tyre është në kundërshtim me ligjin pasi çdo biznes disponon dokumentacionin e plotë për të vijuar punën në rrasë e Novajt.

Sipas shoferëve, në ambientet e Policisë së Poliçanit askush nuk ju ka dhënë shpjegim për arsyen e ndalimit, ndërkohë që vazhdojnë të qëndrojnë prej disa orësh brenda ambienteve të Komisariatit të Policisë Poliçan, pa u pyetur nga askush.

Ngërçi mes policisë së Beratit dhe pronarëve të firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ vazhdon prej më shumë se një muaji, kur Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit hodhi poshtë VKM-në e qeverisë dhe u dha “OK” për fillimin e punës firmave të gurit. Që prej asaj dite, çdo ditë që kanë tentuar të fillojnë punën, firmat e nxjerrjes së gurit në rrasën e Novajt, janë përballur me forca të shumta policie, të cilët kanë bllokuar të gjitha rrugët që të çojnë në karrierat e gurit, duke bllokuar në këtë mënyrë jo vetëm aktivitetin e këtyre subjekteve por edhe makinat e rastit dhe turistët që kanë dashur të vizitojnë Kulmakun dhe Malin e Tomorrit. Aktualisht në të gjitha rrugët që çojnë drejt Malit të Tomorrit, duke filluar që nga fshati Pronovik janë pozicionuar rreth 140 forca të policisë Berat Skrapar e Poliçan si dhe forca të ndërhyrjes së shpejtë Fier dhe forcat Shqiponja.

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All