Partia “Zgjidhja” e drejtuar nga Koço Kokëdhima ka reaguar sot përmes një deklarate për shtyp, pas vendimit të Krimeve të Rënda për dënimin vetëm me 3 vite shërbim prove për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Partia “Zgjidhja” e cilëson qesharak dhe tallje me shqiptarët dhe miqtë e vendit tonë farsën gjyqësore me ish-ministrin e brendshëm, “yllin” e Edi Ramës gjatë mandatit të parë qeverisës.

Në deklaratë theksohet se në sallën e gjyqit duhej të ishte edhe Edi Rama, “shefi i madh” që përmendte dje qëllimisht ish-ministri në sallën e gjyqit.

Deklaratë shtypi e partisë ‘Zgjidhja’

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi mbrëmë që ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, të mos bëjë asnjë ditë burg për tri akuzat e ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ai u akuzua për ‘shpërdorim detyre’ dhe jo për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, me kushërinjtë ‘Habilaj’.
Partia ‘Zgjidhja’ e cilëson qesharak dhe tallje me shqiptarët dhe miqtë e vendit tonë farsën gjyqësore me ish-ministrin e brendshëm, ‘yllin’ e Edi Ramës gjatë mandatit të parë qeverisës. Sado që të dënohej Tahiri, drejtësia nuk do të ishte vendosur. Tahiri ishte CEO i kartelit qeveritar që kanabizoi Shqipërinë, ndërsa Edi Rama ishte ‘shefi i madh’ që përmendte dje qëllimisht ish-ministri në sallën e gjyqit.
Bashkë me Tahirin në sallën e gjyqit duhet të ishin Rama, vartësit e tij në qeveri, drejtorët e policisë në qarqe dhe shefat e komisariateve për t’u përgjigjur për akuzën e krijimit dhe drejtimit të grupit të strukturuar kriminal. Qeveria e Ramës ia kaloi edhe Eskobarit, duke u vënë vetë në krye të kartelit dhe shtetin në shërbim të trafikantëve të drogës. E gjitha piramida e Policisë së Shtetit u bë hamalle e trafikantëve dhe mori përqindjen në cash për trafikun e drogës. Foto më poshtë, një përzierje mes imazheve të Ramës dhe Tahirit, është ilustrimi më i mirë i bashkëpunimit të tyre në kanabizimin e vendit dhe kriminalizimin e Shqipërisë.
Çdo shqiptar sot ndjehet i zhgënjyer me drejtësinë e munguar. Ajo do të rivendoset kur të mos jetë nën terror dhe e kontrolluar nga qeveria që mbron krimin, trafikantët dhe korrupsionin.

Flash Lajme

Më të lexuarat