Situata e krijuar nga reshjet në qarkun e Lezhës po shkon drejt normalizimit, ndërsa nuk evidentohen probleme serioze në banesa apo toka bujqësore. Në një prononcim për ATSH-në, prefekti i qarkut të Lezhës, Gjok Jaku, u shpreh se situata po vjen drejt përmirësimit.

”Sapo u ktheva nga Sanxhaku, pjesa më e dëmtuar me prezencë uji. Sasia e reshjeve në Kurbin ishte e jashtëzakonshme dje, ku për më pak se 2 orë kanë rënë 230 mm shi. Kjo ka sjellë daljen nga shtrati të përroit që përshkon Laçin”.

Një tjetër problem në këtë zonë, sipas tij, ishte thyerja e një argjinature të ujërave të larta, ku po punohet intensivisht. Jaku theksoi se në Kurbin në bashkëpunim me bashkinë dhe Bordin e Kullimit, ka nisur puna me 3 mjete për rehabilitimin e argjinaturës, ndërkohë që kryetarja e bashkisë, Majlinda Cara ndodhet me grupet e punës në terren për evidentimin e dëmeve.

Jaku tha se në zonën e Laçit është evakuuar një familje që rrezikonte nga përroi, por situata aktualisht paraqitet më e qetë dhe kemi tërheqje të dukshme të ujërave si pasojë edhe e mungesës së reshjeve gjatë orëve të fundit.

Flash Lajme

Më të lexuarat