Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha së bashku me drejtuesit e partive aleate në opozitë kanë vendosur se kush do të jenë përfaqësuesit e tyre në konferencën e nesërme të organizuar nga OSBE.

Mësohet se ata që do të përfaqësojnë opozitën në nivel teknik, në konferencën për Reformën Zgjedhore janë: Ivi Kaso i PD-së, Muharrem Caka i LSI-së dhe Arjan Madhi i PR-së.

Kujtojmë se Partia Demokratike së bashku me aleatët e saj pranuan ftesën e OSBE-së për t’iu bashkuar konferencës për reformën zgjedhore.

Vendimi u mor pas mbledhjes së mbajtur në selinë blu mes Partisë Demokratike dhe aleatëve.

Takimi do të nis me fjalën e kryetarit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, e ndjekur nga fjala e dy bashkëkryetarëve e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari e Damian Gjiknuri.

Faktori ndërkombëtar së fundmi ka theksuar nevojën e një reforme zgjedhore dhe kushtetuese, si dhe nisjen e dialogut mes palëve. Tryeza për reformën zgjedhore vjen më pak se tre muaj nga votimet e 30 qershorit, ku mazhoranca shkoi e vetme në zgjedhje duke mosrespektuar vendimin e presidentit, ndërsa opozita i bojkotoi votimet.

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All