Mbrëmjen e të dielës, përhapja e lajmeve të rreme mbi një tërmet të pritshëm shkaktoi panik te një pjesë e madhe e popullsisë, sidomos në Tiranë dhe në Durrës.

Kjo krijoi një ide të dëmit që mund të bëjnë lajmet e rreme në epokën e internetit dhe informacionit që shpërndahet në kohë reale nga portalet. Për shkak të pasojave të shkaktuara nga lajmet e rreme, prokuroria madje nisi procedim penal ndaj punonjësve të disa portaleve për përhapje të lajmeve të rreme që ngjallin panik.

Siç ndodh shpesh në Shqipëri, pasi një dëm serioz ka ndodhur, institucionet kujtohen për detyrat e përditshme. Kështu, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) njoftoi zotëruesit e domaineve të regjistruar në Shqipëri të bëjnë përditësimin e të dhënave, sipas kërkesave të rregullores përkatëse. AKEP ka publikuar edhe një listë me mbi 760 domaine të cilët janë të regjistruar direkt pranë këtij institucioni, zotëruesit e të cilëve duhet të saktësojnë të dhënat brenda 30 ditëve, ose përndryshe rrezikojnë mbylljen. Ironik është fakti që mes adresave, shumë syresh i takojnë edhe institucioneve publike, përfshi atë të Presidentit të Republikës. Sidoqoftë, AKEP thekson se detyrimi për përditësimin e të dhënave vlen për të gjitha domainet, përfshi ato që janë të regjistruara pranë ofruesve privatë të autorizuar për këtë shërbim.

Portalet janë një kanal i thjesht dhe praktik komunikimi, por lehtësia e hapjes dhe administrimit të tyre është bërë një thikë me dy presa. Shumë prej portaleve nuk publikojnë adresë, numër kontakti apo informacion për kompaninë apo individët që i zotërojnë. Askush nuk mban përgjegjësi për atë çka publikohet në këto portale. Në teori, qindra prej tyre mund të shpërndajnë lajme të rreme si ai i ditës së dielë dhe institucionet ligjzbatuese nuk do të dinin ku të trokisnin për të kërkuar llogari.

Për këtë arsye, AKEP kërkon plotësimin dhe përditësimin e të dhënave, të paktën për domainet e regjistruara në Shqipëri dhe që administrohen prej saj.

Një fushatë e ngjashme nisi edhe në tetor të vitit të kaluar, kur kryeministri prezantoi të ashtuquajturën “paketë antishpifje” dhe nismën për “legalizimin” e portaleve. Pas deklaratave të Ramës, AKEP ju kërkoi të gjitha portaleve informative informale që të regjistroheshin në Qendrën Kombëtare të Biznesit brenda tre ditësh ose në të kundërt do të mbylleshin. /Scan

Flash Lajme

Më të lexuarat