Republika e Greqisë, duke iu përgjigjur menjëherë thirrjes së Autoriteteve Shqiptare, dërgon ndihmë humanitare në Tiranë për përballimin e pasojave dhe lehtësimin e të dëmtuarve prej tërmeteve dhe përmbytjeve që goditën së fundmi Shqipërinë.
“Ndihma humanitare greke përfshihet në kuadrin e Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, i cili koordinon përballimin kolektiv europian të fatkeqësive natyrore.
Nesër, ditën e dielë, më 29 shtator 2019, në orën 09.45, mbërrin në aeroportin RINAS të Tiranës një avion transporti i Aviacionit Luftarak Grek, i cili sjell nga Greqia gjeneratorë, ushqime, ilace, tenda, krevate, batanije dhe materiale të tjera të nevojshme”, njofton ambasada e Greqisë në vendin tonë.