I shtruar në pavionin e kirurgjisë në Spitalin e Durrësit, Bledar Toçi u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg”, të vendosur nga gjykata. Vëllai i tij, akuzohet për prodhim dhe shitje të lëndës narkotike, kokainë

Xhentila Gjoshi

Gjykata e Kavajës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për dy vëllezërit Toçi. Fillimisht, masa i është komunikuar Bernard Toçit, dhe më pas vëllait të tij, Bledar Toçit, në ambientet e spitalit të Durrësit. Bledar Toçi, shefi i sigurisë së brendshëm në burgun e Durrësit, akuzohet për vrasjen e Dritan Haxhollit në shtëpinë e Marsida Qatjas. Ai do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve. Masa iu komunikua në ambientet e spitalit të Durrësit aty ku po mbahet nën kujdesin e mjekëve, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, pasi gjatë ngjarjes mbeti edhe vetë i plagosur. Nga shtrati ku ndodhet i shtruar, prokurori i çështjes i komunikoi akuzat 36-vjeçarit, atë të vrasjes me dashje dhe prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Provat e siguruara në vendngjarje dhe referuar dëshmisë së personave prezentë në momentin e krimit ka dyshime që kemi të bëjnë me atë të vrasjes me dashje, kryesisht referuar 16 plumbave të qitura nga pistoleta e Bledar Toçit. Në seancën e mbajtur me dyer të mbyllura, 36-vjeçari nuk ka folur vetë, por nëpërmjet avokatit të tij ka pohuar se gjithçka ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes. Fillimisht, avokati sqaroi se kundrejt Bledarit, Avokati tha se do ta apelojnë vendimin, ndërsa akuza e dytë ajo e trafikimit dhe shitjes së lëndëve narkotike ende nuk është sqaruar.

Vëllai i oficerit

Ndërkohë, më parë Gjykata la në burg edhe vëllanë e 36-vjeçarit, Bernard Toçin. Ai akuzohet për veprën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Prokurori i çështjes Gëzim Çopa, tha se shtetasi Xhulio Bitraku natën kur ndodhi ngjarja kishte marrë lëndë narkotike tek shtetasi Bernard Toçi për ta konsumuar më pas. Mirëpo kjo deklaratë e prokurorit është hedhur poshtë nga avokati mbrojtës, Altin Sinelli. Sipas tij 3,4 gramë kokainë e ndarë në 7 doza dhe e gjetur në shtëpinë e familjes Toçi nuk është e Bernardit. Në këto kushte avokati e quajti të paligjshëm arrestimin e klientit të tij. Ai tha se Bernardi nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se prokuroria ka harruar të pyesë se në shtëpi ishin katër persona, nëna, babai dhe vëllai tjetër i Bernardit. Sipas avokatit, droga e gjetur në banesë i përkiste babait, Kujtim Toçit, i cili vuan nga një sëmundje e rëndë dhe se kokainën e përdorte si qetësues. I pyetur jashtë sallës së gjyqit, Kujtim Toçi, për vërtetësinë e thënieve të avokatit, mohoi gjithçka, madje përpara mediave ai thotë se nuk është babai i Bernardit. Gjatë seancës, avokati i Bernard Toçit, u shpreh se arrestimi i klientit të tij është bërë përpara se të merreshin deklarimit e protagonisteve të ngjarjes. Madje shtoi se ai është arrestuar pasi ka qenë i dënuar edhe më parë.

Ngjarja

Nga materialet referuese të Prokurorisë, rezulton se shtetasja Marsida Qatja jeton në një apartament në lagjen nr.2, Kavajë. Më datë 9 tetor 2019, ajo ka takuar shtetasin Bledar Toçi, me të cilin ka njohje shoqërore dhe i ka treguar për një problem të sajin në lidhje me shtetasin Dritan Haxholli. Shtetasi Bledar Toçi ka marrë përsipër zgjidhjen e këtij problemi dhe i ka thënë Marsidës se do të vinte ai te shtëpia e saj. Ndërkohë, në orët e pasdites, te shtëpia e Marsidës kanë shkuar shtetasit, Ermir Çela, Xhulio Biturku, Bledar Toçi, të cilët janë lidhje shoqërore e Marsidës dhe kanë konsumuar aty lëndë narkotike, kokainë, të cilën ua ka sjellë shtetasi Bernard Toçi. Edhe në darkë, rreth orës 20:30, shtetasi Xhulio Biturku dhe Ermir Çela kanë qëndruar në shtëpinë e Marsidës, ndërsa shtetasi Bledar Toçi ka dalë dhe është kthyer pas 30 minutash, ku ka siguruar lëndë narkotike dhe të gjithë së bashku kanë ngrënë darkë dhe kanë konsumuar pije alkoolike, birra dhe më pas lëndë narkotike. Rreth orës 00:30, te shtëpia e Marsidës ka shkuar shtetasi Dritan Haxholli, i cili fillimisht ka trokitur te dritarja e katit të parë. Shtetasja Marsida Qatja i ka hapur derën kryesore dhe shtetasi Dritan Haxholli ka hyrë brenda dhe në duar mbante një armë zjarri, automatik model 56, të cilin fillimisht ia ka drejtuar shtetasit Xhulio Biturku, duke i thënë: “… me ty kam punë pastaj“. Më pas i është drejtuar shtetasit Bledar Toçi dhe i ka thënë: “Pse ma bën ti këtë?”. Pasi ka thënë këto fjalë, shtetasi Dritan Haxholli ka qëlluar në drejtim të shtetasit Bledar Toçi, i cili ka marrë një plagë në anën e djathtë të fytit. Në vijim, edhe shtetasi Bledar Toçi, me armën e tij të shërbimit, të markës “Glock”, ka qëlluar disa herë në drejtim të shtetasit Dritan Haxholli, i cili për pasojë ka gjetur vdekjen në vend. Shtetasi Bledar Toçi ka dalë menjëherë nga shtëpia dhe me mjetin e tij ka vajtur në Spitalin e Kavajës, ndërsa shtetasja Marsida Qatja, Xhulio Biturku dhe Ermir Çela, kanë dalë jashtë banesës, në rrugë, ku shtetasja Marsida Qatja ka njoftuar Policinë.

Deklarimet

Marsida Qatja ka dhënë dëshmi kontradiktore para hetuesve dhe medias, herë duke thënë që Haxhollin e kishte shok, herë duke thënë që ai kërkonte të kishte marrëdhënie intime me të dhe e se kërcënonte çdo ditë poshtë shtëpisë së saj me armë në dorë. Ajo ka pranuar në polici se është përdoruese e lëndës narkotike dhe se edhe natën që ndodhi vrasja në shtëpinë e saj ku Dritan Haxholli i shkoi me automatik në apartament, ajo ka pirë kokainë. Por intervista e saj dhënë për gazetarët u duk më shumë si një mbrojtje ndaj Bledar Toçit, ku ajo mohoi që ai të kishte lidhje me kokainën që u gjet në shtëpinë e saj ndërkohë që tha se ai duhet të ngrihet në detyrë pasi shmangu një ngjarje që mund të ishte tragjike. Sipas saj, 41-vjeçari kërcënoi t’i vriste djalin e saj 2-vjeçar që Qatja tha se po e vinte në gjumë në divan, dhe se pikërisht në këtë moment, për vetëmbrojtje, Bledar Toçi ka qëlluar me armë ndaj Haxhollit duke e lënë të vdekur në vend.

Flash Lajme

Më të lexuarat