Refuzimi i BE-së për çeljen e negociatave Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk është pritur mirë nga analistë dhe historianë. Ata e shikojnë si një sinjal negativ edhe për imazhin e Shqipërisë, pasi vihen në pah problemet e korrupsionit dhe drogës dhe luftës për pushtet që karakterizon udhëheqësit

Lindita Bushgjokaj

Historiania Elena Kocaqi në një intervistë për “Shekulli”-n komenton vendimin e KE për mos-hapjen e negociatave Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Analistja Kocaqi shprehet kundra të drejtës së vetos, e cila është politikë e vjetër dhe nuk garanton vendimmarrje të drejtë

Si e komentoni vendimin e BE për shtyrjen e negociatave ndaj Shqipërisë? Faji i kujt është?

Ka qenë një veto e Francës dhe kundërshtimi i disa shteteve që la Shqipërinë jashtë. Faji është i politikes shqiptare që ka 30 vjet që nuk ka bërë asnjëherë zgjedhje të lira, nuk njeh institutin e dorëheqjes dhe populli nuk ka asnjë pushtet. Plus Shqipëria ka probleme ekonomike, pasi nuk prodhon por bazohet tek importet dhe çmimet janë shumë të larta dhe pagat të ulëta, pra nuk plotësojmë standardet evropiane. U deklarua nga BE që kemi probleme të brendshme, por kjo nuk është plotësisht e vërtetë pasi me zgjerimin në Lindje nuk  treguan se kishin  probleme të tilla. Ka një albanofobi me pa të drejtë në Evropë dhe ne duhet të punojmë për të ndryshuar imazhin tonë.

Çfarë e bën Maqedoninë veriut një vend model?

Maqedonia nuk është vend model pasi ka probleme të brendshme me respektimin e të drejtave të shqiptarëve. Ka lejuar shumë fenomene negative nga jashtë që ndikojnë në jetën e shqiptarëve. Nuk ka investime në zonat shqiptare. Shqipëria dhe Kosova ka infrastrukture të paktën rrugore më të mirë se Maqedonia, por Maqedonia ka shtet më të fortë. Në Maqedoni zhvillohen zgjedhje të lira, ka ekonomi tregu më të lirë, politikanet bëjnë dorëheqje, që në Shqipëri nuk i kemi. Maqedonia kësaj radhe u refuzua ngaqë u refuzua Shqipëria, pasi ata kishin mundësi të merrnin statusin pavarësisht problemeve etnike të brendshme.

Disa vende në BE nuk dëgjojnë rekomandimet e Komisionit. A është ky një shqetësim?

Po është pasi komisioni është organ teknik, ndërsa vendet marrin vendime politike. E drejta e vetos është një e drejtë që nuk duhet të jetë. Veto është vazhdim i politikës së vjetër ku të mëdhenjtë e Evropës bënin çfarë të donin me popujt e vegjël dhe kështu ajo nuk duhet të jetë më. Kërkesa për plotësim standardesh duhet të jetë për të gjitha vendet dhe jo për disa shtete. Vendimi është politik dhe disa diskriminohen.

Çfarë mund të bëj BE nëse mungon vullneti politike për reforma

BE nëse nuk ka vullnet politik për reforma të vërteta dhe jo në letër të bllokon, por nga ana tjetër popullit i duhet thënë që procesi zgjat shumë dhe nuk zgjidh problemet ekonomike të vendit. Problemet ekonomike shqiptaret do i zgjidhin vet, t’i përvishen punës dhe t’i kërkojnë llogari qeverisë. Të mos mbajnë shpresë se integrimi do i zgjidhë, sepse në ketë bote secili mbahet me punën e tij.

A po merr masa qeveria për zgjidhjen e problemeve që ka vendi

Qeveria ka mangësi të mëdha dhe nuk e di se kjo vjen pasi nuk di apo nuk do të qeverisë. Mos interesimi për popullin, përqendrimi i pasurisë në duart e pak njerëzve, dhënia e pasurive kombëtare me koncesione që paguhen direkt nga xhepi i qytetarit dhe jo nga buxheti i shtetit rëndojnë shumë gjendjen e popullit, i cili ka probleme me papunësinë pasi nuk prodhohet, plus që konsumon ushqimet e importuara nga oligarkët e favorizuar nga politika me cilësinë më të ulët dhe çmimet më të larta në botë. Qytetari jep gjysmën e të ardhurave të veta për buxhetin dhe me vendimin për koncesionet që janë me çmime sa 10-fishi i standardëve të Evropës vihet direkt dorë tek buxheti personal dhe në këtë rast qytetarit shqiptar në 30 vitet në vazhdim nuk do i mbesë e ardhur për tu ushqyer. Nuk e di sesi qeveria nuk i parashikon këto gjera, pasi po dëmtohet qytetari deri në atë pike saqë nuk do ketë më asnjë mundësi pagese dhe do detyrohet të emigrojë. Pra situata ekonomike do bëhet edhe më e rëndë nëse vazhdohet me këtë politike. Duhet investim në bujqësi, blegtori, turizëm dhe industrinë e lehtë dhe ushqimore. Pse të importohet 1 milard euro në vit mish i cilësisë së fundit nga Brazili në vend që këto para t’i kalojnë fshatarit, që të prodhojë mish bio dhe në këtë mënyrë në kemi mijëra vende pune në vend. Po në këtë rast përballë ushqimit të mijëra shqiptarëve favorizohet pasurimi dhe luksi i dy tre njerëzve që përfitojnë këtë 1 miliard euro. Pra një praktikë e hapur kundër interesit kombëtar, pasi ushqimi i popullsisë dhe mbajtja e saj në vend është interesi i lartë kombëtar se lidhet me sigurinë dhe vazhdimësinë kombëtare. Të vesh pasurimin e pak njerëzve në mënyrë abuzive para jetës së mijëra njerëzve, kjo jo vetëm është papërgjegjshmëri, por është një vepër më e rëndë se kaq. Duhet të dalë një pol i katërt në politikë me ide të reja si në Kosovë, që t’i japë fund tranzicionit dhe korrupsionit galopant 30 vjeçar në vend, që vitet e fundit ka kaluar në përmasa të paimagjinueshme. Partitë politike duhet te jenë më konstruktive dhe të flasin me një zë, pasi integrimi është interes kombëtar dhe nuk ka vend për të gëzuar kur Shqipëria dështon.

Flash Lajme

Më të lexuarat