“Jam një gjyshe 72 vjeç, dua që të vdes në vendlindjen time. Këto kërkesa që bëjmë, ju lutemi që t’i vlerësoni. Ka 8 muaj që kemi ardhur në kampin Al-Hol, duam sa më shpejt që nga ky vend të na largoni”, është thirrja e të moshuarës

Xhentila Gjoshi

Rasti i Alvinit 11-vjeçarit në kampet e ISIS pa nënën dhe babanë e tij, bëri që shumë shqiptarë, të cilët kanë fëmijët në Siri apo ndodhen vetë atje, të bëjnë thirrje për kthimin në atdhe. Lutjet e tyre kanë qenë në forma nga më të ndryshme. Përveç videove dhe audiove të transmetuara, dy letra janë publikuar në media, një nga një nënë 72-vjeçare dhe tjetra nga gruaja 38-vjeçare ku kërkojnë me ngulm nga shteti shqiptar që t’i largojnë nga terrori i luftës në kampin Al- Haël. Me vrasjen e Shkëlzen Dumanit në luftën krah grupit militant të shtetit islamik, e ëma, Mentije Dumani shkoi të qëndronte pranë nipit dhe mbesës në Siri, Endrit dhe Evës. Gjyshja 72-vjeçare prej 5 vitesh përballet me varfërinë e tejskajshme në kamp si dhe frikën e vdekjes për shkak të moshës. “Unë Mentije Dumani, nënshtetëse shqiptare me nipin tim të dashur Endri Dumani 11 vjeç të lindur në Tiranë, kërkojmë që të na largojnë nga Siria sa më shpejt, të kthehemi në Shqipëri se jam një gjyshe 72 vjeç, dua që të vdes në vendlindjen time. Këto kërkesa që bëjmë, ju lutemi që t’i vlerësoni. Ka 8 muaj që kemi ardhur në kampin Al-Hol, duam sa më shpejt që nga ky vend të na largoni”, shkruhet në letrën e të moshuarës drejtuar Top Channel. Ndërsa mamaja e 3 fëmijëve që u largua nga Tirana në 2014, shkruan rrezikun që i pret në ditët në vijim. “Unë Klotilda Refat Zani, nënshtetase shqiptare bashkë me 3 fëmijët e mi, Adni Etjon Zani, Jasemin Etjon Zani dhe Selma Etjon Zani ndodhemi prej 8 muajsh në kampin Al Hoël, Siri. Prej një kohe të gjatë jemi në pritje të tërheqjes sonë në Shqipëri, duke qenë në kushte të vështira jetese dhe ekonomike dhe duke menduar edhe ardhjen e shirave dhe të ftohtit që do t’a bëjnë jetesën tonë më të vështirë. Kërkoj prej jush kthimin në familje, ju lutem!”, shkruhet në letrën e 38-vjeçares. Veç këtyre letrave të ardhura nga Siria, edhe familjarët e tyre që gjenden në Shqipëri i janë drejtuar autoriteteve shqiptare. Gjyshja 70-vjeçare, Asije Shuli në një letër drejtuar kryeministrit shkruan për ankthin e pritjes prej 6 vitesh të kthimit të 5 nipërve dhe mbesave që gjenden të vetëm në Siri, pas ndarjes nga jeta të prindërve Krenarit dhe Adelinës.

Eva dhe Endri, pengje të luftës

Eva dhe Endri Dumani, 14 dhe 12 vjeç, janë dy prej shumë fëmijëve shqiptarë, të mbetur mes katër rrugëve në Siri. Babai i tyre, Shkëlzen Dumani u vra në një betejë, teksa luftonte në krah të militantëve të ISIS më 5 nëntor të vitit 2014, nëntë muaj pasi mori me mashtrim dhe pa dijeninë e së shoqes fëmijët dhe u nis drejt Sirisë. Pas udhëtimit në Siri, Dumani i ka ndryshuar emrat e fëmijëve në Sara dhe Talha. Pas vdekjes së Dumanit, me gjithë përpjekjet disa mujore të familjarëve dhe autoriteteve shtetërore shqiptare, fëmijët e tij nuk lejohen nga ISIS të kthehen në atdhe. Në një letër publike, nëna e fëmijëve Mide Dumani, kërkonte dëshpërimisht ndihmë për kthimin e fëmijëve në shtëpi. Pas dështimit të përpjekjeve personale, ajo kërkon nga shteti që t’i bëhet krah në këtë betejë për kthimin e Evës dhe Endrit. Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda i nisur atë kohë, ka zbuluar se autoritetet shqiptare ishin në dijeni të planit të Shkëlzen Dumanit për t’u larguar bashkë me fëmijët drejt Sirisë, e megjithatë nuk ndërhynë për ta penguar. Pozitat e Policisë shqiptare u rënduan edhe më tej, pas zbulimit se dy punonjës të policisë së Rinasit, njëri prej të cilëve inspektor antiterrori, ndihmuan xhihadistin për të kaluar pa probleme dy fëmijët e mitur përtej kufirit. Sipas dosjes hetimore, besimtari me origjinë nga Peshkopia ishte kujdesur gjatë për gjetjen e një mënyre për t’i nxjerrë jashtë vendit fëmijët, pa lejen e nënës së tyre me të cilën sapo kishte përfunduar në divorc. Ai arriti të largohej bashkë me Evën dhe Endrin më 1 shkurt të vitit 2014, edhe pse në atë kohë ishte nën përgjim nga Prokuroria dhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Pak ditë para nisjes, Dumani është përgjuar teksa fliste me imamin e tij, Bujar Hysa për rrezikun e ndalimit të fëmijëve në Rinas. Por Hysa, i arrestuar në fillim të vitit 2014 si organizator i rekrutimeve për luftën e Sirisë e qetësonte dhe instruktonte se si të sillej. Para se të nisej drejt aeroportit të Rinasit, Shkëlzen Dumani kishte marrë edhe masat paraprake. Me ndihmën e një noteri, ai mashtroi ish-bashkëshorten që të firmoste një prokurë për nxjerrjen e fëmijëve jashtë vendit.

Fëmijët

Eva dhe Endri Dumani nuk janë fëmijët e vetëm shqiptarë që kanë mbetur jetimë në mes të luftës civile siriane. Më shumë se dhjetë xhihadistë shqiptarë janë vrarë në këtë luftë nga viti 2012, dhe shumë prej tyre kanë marrë me vete edhe gratë dhe fëmijët e mitur. Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka zbuluar se pesë prej të vrarëve kanë lënë në mes të luftës bashkëshortet e tyre dhe fëmijët e mitur. Nga të vrarët në Siri, Hamit Myslija iku me katër fëmijët, Bledar Hamza me vajzën 2-vjeçare, Diamant Rasha me gruan dhe dy fëmijët ndërsa Hasan Korvafaj e Sherif Taushani kanë lënë pas nga 3 fëmijë. Pjesa tjetër e 31 fëmijëve shqiptarë që aktualisht ndodhen në Siri, i kanë të dy prindërit gjallë, edhe pse askush nuk mund t’u japë garanci për sa gjatë.

Flash Lajme

Më të lexuarat