Gjykata e Shkodrës ka marrë vendimin, arrest me burg me afat 40 ditor për Marrash Arrën, i dyshuar për vrasjen e kushëririt të tij Lazer Arra.

Vendimi u dha nga gjykata e Shkalles se Pare në Shkodër, nën kryesimin e gjyqtares Ermira Dedja.

Ndërkohë pritet vijimi i hetimeve, ekspertiza e rrobave dhe prova të tjera plotësuese.

Ndërsa i dyshuari për vrasjen e 55-vjeçarit, në sallën e gjyqit nuk ka pranuar akuzat, duke thënë se nuk ka lidhje me ngjarjen.

Ngjarja në fjalë ndodhi të hënën në fshatin Shosh të Dukagjinit. 55-vjeçari Lazër Arra kishte shkuar në fshat për të mbledhur ushqimet e dimrit, por është ekzekutuar me armë zjarri. Ai është qëlluar për vdekje, teksa ka qenë duke transportuar me kuaj disa produkte ushqimore nga arat e fshatit drejt rrugës kryesore të makinave.

Kujtojmë se një ditë më parë policia bëri me dije se kjo ngjarje dyshohet të ketë ndodhur për shkak të konflikteve të mëparshme mes familjeve.

 

Flash Lajme

Më të lexuarat