Personat me aftësi të kufizuar protestojnë para kryeministrisë. Kërkojnë të mos u cenohen pagat dhe më shumë shërbime sociale. Arsimi të jetë gjithëpërfshirës dhe të mos mungojnë mësuesit ndihmës

Enida Vërça

Personat me aftësi të kufizuar kanë protestuar ditën e djeshme para kryeministrisë, duke shprehur revoltë ndaj qeverisë, pasi kjo e fundit sipas tyre i ka lënë pas dore dhe nuk u ka plotësuar as shërbimet më minimale. Qytetarët janë shprehur se ndihen të diskriminuar për shkak të aftësive kufizuese dhe deri më sot qeveria nuk ka bërë asgjë për këtë shtresë të shoqërisë. Mungesat e shërbimeve i ndjen në çdo sektor, por më të theksuara sipas tyre janë ato në administratat shtetërore. “Mungesat e shërbimeve cilësore janë në rang kombëtar. Kemi një arsim që diskutohet në legjislacionin gjithëpërfshirës, që faktikisht nuk është. Kemi një gjuhë diskriminuese nga politika, në diskutime publike. Nuk kemi aksesshueshmëri dhe standardin që plotësojnë aksesshueshmërinë, siç është edhe te ligji i aksesshueshmërisë që vetë shteti shqiptar ka përpiluar”, u shpreh një prej qytetarëve. Më tej shtoi se pagat për këta persona ka ardhur gjithmonë në ulje, duke e bërë të papërballueshme jetën, referuar shqetësimeve shëndetësore që ata kanë. “Ne duam që pagesat të jenë në rritje dhe të mos ketë ulje duke qenë që edhe shërbimi në Shqipëri janë inekzistente. Është e papërballueshme jeta, me pagesat aktuale që ne marrim. Deri më tani jemi inekzistentë edhe për vetë shtetin, as kush nuk pyet dhe interesohet për ne. Jemi të diskriminuar në çdo aspekt”, përfundoi ajo.

Shërbimet

Në këtë protestë e cila zgjati për rreth një orë, qytetarët deklaruan se po kërkojnë një trajtim të denjë institucional ashtu siç e garanton edhe Kushtetuta e Shqipërisë. Prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuar bën të ditur se fëmijët e tyre përballen me një realitet të ashpër në kopshtet publike dhe nuk trajtohen në mënyrë të barabartë me fëmijët e tjerë. “Në kopshte, fëmijët përballen me shumë vështirësi, nuk kanë ndihmë pothuajse fare. Fëmija po nuk pati ndihmë nuk ecën. Nuk duhet vetëm terapia. Mirë është ti dërgojmë në kopshte private, por mundësit ekonomike janë të pakta. Ne jemi pesë anëtarë në familje, vetëm burri më punë. Si mund të jetojmë me një rrogë 300 mijë lekë të vjetra, llogarit edhe shpenzimet e tjera. Shteti duhet të kthej sytë nga ne, dhe të na ndihmoj,mos të na lejoj të jetojmë në këto kushte”, deklaroi një tjetër qytetare e pranishme në këtë protestë.

Protestat

Personat me aftësi të kufizuar u shprehen se nëse nuk ndryshon situata dhe nuk respektohen ashtu siç e garanton Kushtetuta dhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, do të vazhdojnë protesta edhe në ditët e ardhshme. “Ky ishte një sinjalizim për qeverinë, për t’i kujtuar që ne jemi këtu dhe të pakënaqur me atë çfarë është bërë deri më sot me ne, që në të vërtetë nuk është bërë asgjë. Do të rikthehemi sërish në protestë, por si fillim urojmë që të ketë një reflektim nga ana e tyre. Po protestojmë për disa elemente bazike, për fëmijët tanë, asgjë më shumë”.

Pankarta

Pankarta ishin një tjetër element i përdorur për të shprehur gjithë pakënaqësinë e tyre ndaj politikave të ndjekura prej qeverisë. Të tilla si: “Të gjithë ne jemi të ndryshëm, po sa njësoj”; “Nuk ka shërbime, nuk ka vota”; “Në shkollë unë kam të drejtë të kem mësues ndihmës, kështu thotë ligji”; “Jo uljes së pagave”; Është e drejta e shokut tim të ketë një profesion, një jetë të pavarur dhe aktive në shoqërinë që ne jetojmë”; “Mos na diskriminoni, pranoni të drejtat që na takojnë’’; “Siguroni të ardhmen e fëmijëve më aftësi të kufizuara”; “Unë do të shkruaj dhe do të lexoj, ma plotëso këtë dëshirë”, etj.

Konventa

Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar është e ratifikuar edhe nga Shqipëria por shumë pak prej detyrimeve janë respektuar. Prej vitit 1995 në shumë vende të botës organizohen marshime duke kërkuar ndërgjegjësim dhe mbështetje për personat me aftësi të kufizuar. Parimet në të cilat mbështet konventa janë: Respektin për dinjitetin, autonominë individuale përfshirë lirinë për të bërë zgjedhjet personale, dhe pavarësinë e personit; Mosdiskriminimin; Pjesëmarrjen dhe përfshirjen e plotë dhe efektive në shoqëri; Respektin për ndryshimin dhe pranimin e personave me aftësi të kufizuar si pjesë e diversitetit njerëzor dhe humanizmit; Mundësi të barabarta; Akses;Barazi ndërmjet burrave dhe grave; Respekt për kapacitetet në zhvillim të fëmijëve me aftësi të kufizuar, si edhe respektimi i të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuar për të ruajtur identitetin e tyre.

Flash Lajme

Më të lexuarat