Termi “drejtues i përkohshëm i X institucioni”, kurrë nuk ishte dëgjuar më parë, por ka më shumë se 2 vite që në Shqipëri kjo është fraza më e përdorur.

Sot numërohen disa drejtorë institucionesh që janë të përkohshëm, ku më e rëndësishmja është Prokurorja e Pëgjithshme. Kur ky institucion drejtohet nga titullar i përkohshëm në disa të tjera, titullari mungon fare.

Tatimet, Doganat, Kadastra, ARRSH, AKU… Janë institucione shumë të rëndësishme por nuk kanë “kokën”. Dorëheqjet, largimet e shkarkimet nga detyra kanë sjellë një situatë amullie në këto institucione ku e gjitha barra bie mbi qytetarët, pasi atyre nuk u jepen shërbimet në kohë, ndërsa arka e shtetit sa shkon edhe groposet, aty ku askush nuk e di më.

Tatimet deri në korrik janë drejtuar nga Enton Duro, por Duro, qëndroi vetëm 3 muaj. Asokohe ky shkarkim u shoqërua me hije dyshimi, por tashmë në krye është Delina Ibrahimaj. Edhe tek doganat është e njëjta situatë ku pas 7 muaj në krye Arlind Gjokutaj u dorëhoq dhe në krye është emëruar Gjon Bardhi.

Situata sa shkon edhe rëndohet, kur kthejmë sytë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Brenda 1 viti në AKU janë ndërruar 3 drejtorë. Në fillim ka qenë në krye të këtij institucioni Agim Ismaili, i cili u largua nga kjo detyrë dhe u emërua Agron Hetoja. Emërimi i këtij drejtori u shoqërua me prapaskena, dhe u vu nën akuza nga mediat. Aventura e Hetosë në krye të AKU do ishte e shkurtër, pasi në 2 tetor Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi vendosi shkarkimin e tij dhe në krye tashmë qëndron Robert Lili.

Sapo harron dramën ku ndodhet AKU dhe kontrolli i ushqimeve, situata sa vjen e përkeqësohet në Autoritetin Rrugor Shqiptar. Për 1 vit, ky institucion ka ndërruar 4 herë titullarin. Pas skandalit të Unazës së Re, u shkarkua Afrim Qendro, i cili u pasua nga Sonila Qato. Nuk zgjati shumë dhe kjo e fundit dha dorëheqjen.

Kur u duk se situata u qetësua, vetëm 3 javë pas emërimit në detyrë, pasuesja e Qatos, Vasilika Vjero u largua sërish, këtë herë për arsye personale. Tashmë në krye qëndron Ergys Verdho.

Burimi /Dosja.al/

Flash Lajme

Më të lexuarat