Plotësimi i vakancave në Kushtetuese/ Presidenti, Ilir Meta shkresë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për emërimin e anëtarit të dytë. “Pezulloni procesin. Radhën e zgjedhjes e ka Kuvendi.

Emërimet në Gjykatën Kushtetuese duhen bërë sipas ligjit”

Presidenti, Ilir Meta, ende nuk ka zgjedhur anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa në një kohë kur jemi në kufijtë e afateve ligjore, presidenti i ka dërguar një shkresë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, institucioni që ka renditur kandidatet për anëtarë që duhet të zgjedhë kreu i shtetit dhe Kuvendi. Për të gjitha vakancat kandidatët janë të njëjtë, gjë e cila e ndërlikon dhe procedurën e përcaktimit dhe emërimeve. Për Presidencën të gjitha vështirësitë kanë ardhur për shkak të procedurës që ka ndjekur KED dhe shumica në Kuvend, sipas saj në kundërshtim me ligjin. Për këtë arsye, Presidenti i ka kërkuar KED që të pezullojë procesin të paktën për institucionin e tij. Sipas Presidencës duhet të vepronte fillimisht Kuvendi dhe më pas Presidenti. Në letrën e tij Meta thekson se KED nuk ka marrë vendim kolegjial për listimin  e kandidateve të propozuar.

Njoftimi

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me shkresën nr. 552 prot., datë 08.10.2019, ka përcjellë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës “Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e shpallur për aplikim nga Presidenti i Republikës me dekretin nr. 10722, datë 07.02.2018”. Kjo praktikë dokumentare është administruar nga Institucioni i Presidentit me nr. 3534, datë 08.10.2019. Dokumentacioni i mësipërm i referohet vendit vakant të krijuar për shkak të përfundimit të mandatit të ish-gjyqtarit Sokol Berberi. Mandati kushtetues i këtij të fundit ka përfunduar në datën 25.04.2016 dhe sipas parashikimeve kushtetuese dhe ligjore, i përket për plotësim Presidentit të Republikës.

Presidenti i Republikës, pasi shqyrtoi praktikën e përcjellë nga Këshilli I Emërimeve në Drejtësi (KED), me dekretin nr. 11313, datë 15.10.2019, ka përzgjedhur dhe emëruar zotin Besnik Muçi, si gjyqtarin e parë të Gjykatës Kushtetuese. Në datë 18.10.2019, ora 18:00, gjyqtari Besnik Muçi u betua përpara Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dhe, që prej atij çasti, gjyqtari i parë i Gjykatës Kushtetuese është në detyrë. Ndërkohë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në po të njëjtën ditë, në datë 08.10.2019, nëpërmjet shkresës nr. 553 prot., datë 08.10.2019, ka përcjellë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës edhe “Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e shpallur nga Presidenti i Republikës me dekretin nr.11133, datë 04.03.2019”. Kjo praktikë dokumentare është administruar nga Institucioni i Presidentit me nr. 3535, datë 08.10.2019. Dokumentacioni i mësipërm i referohet plotësimit të vendit vakant të krijuar për shkak të përfundimit të mandatit të ish-gjyqtares Altina Xhoxhaj. Mandati i rregullt kushtetues i ish-gjyqtares Xhoxhaj përfundonte në datën 25.05.2019 dhe, sipas parashikimeve kushtetuese e ligjore, i përket për plotësim Presidentit të Republikës. Krijimi i kësaj vakance i është njoftuar Presidentit të Republikës nga Gjykata Kushtetuese me shkresë nr.79 prot., datë 25.02.2019 dhe është shpallur nga Presidenti për aplikim me dekretin  nr. 11133, datë 04.03.2019. Siç del qartë nga informacioni i përcjellë nga KED-ja, rezulton se Kryetari i KED-së, në të njëjtën datë 08.10.2019, ka realizuar procesin administrativ të dërgimit të listave pranë Presidentit të Republikës për plotësimin e 2 (dy) vakancave njëherazi.

 Nuk rezulton që KED-ja, në mënyrë kolegjiale, të ketë marrë ndonjë vendim për mënyrën dhe kohën e dërgimit të listave pranë organeve të emërtesës, por ky veprim administrativ është kryer nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili sipas nenit 226 pika 2/e, të ligjit nr.115/2016, ka si funksion vetëm të nënshkruajë aktet e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes dhe t’ia përcjellë ato organit të emërtesës. Procedura administrative e ndjekur nga Kryetari i KED-së për dërgimin e listave, siç do të sqarohet edhe më hollësisht më poshtë, krijon kushtet e një vështirësie ligjore, për të mos thënë që në një vlerësim prima facie bën logjikisht të pamundur që brenda 30-ditëve, Presidenti i Republikës të respektojë parashikimet kushtetuese që diktojnë radhën dhe alternimin e përzgjedhjes për emërimin/zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj kushtetues, respektivisht nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi, në cilësinë e organit të emërtesës. Procesi i emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duhet të realizohet në respekt të plotë me procedurën dhe radhën që përcakton neni 179 pikat 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenet 7 pika 2 dhe 86 pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Parashikimet kushtetuese dhe ligjore të mësipërme, saktësojnë në mënyrë shteruese, kompetencën, radhën kronologjike, alternancën dhe afatin kohor, brenda të cilit duhet të veprojë secili prej organeve të emërtesës, në rastet kur secilit prej tyre iu takon të emërojnë/zgjedhin më shumë se një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, në të njëjtën kohë. Neni 179 pika 2 e Kushtetutës, përcakton: Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.”  Ndërkohë që, në po këtë nen, sa i takon kompetencës së Presidentit të Republikës përgjatë fazës tranzitore të zbatimit të ndryshimeve kushtetuese në pikën 12 saktësohet: “12….. . Me krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Presidenti emëron gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, sipas nenit 136 të Kushtetutës. Presidenti plotëson vakancën e parë në Gjykatën Kushtetuese sipas paragrafit 2, të këtij neni, dhe nenit 125 të Kushtetutës.”. I gjendur para kësaj situate, me qëllim respektimin e urdhërimeve kushtetuese dhe ligjore, pas administrimit të të dy listave njëherazi nga KED-ja që i përkasin plotësimit (emërimit) të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për 2 (dy) vakanca të shpallura nga Presidentit të Republikës, me shkresën nr. 3571 prot., datë 10.10.2019, Institucioni i Presidentit të Republikës iu drejtua Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me një kërkesë për informacion mbi faktin nëse ky organ (KED)-ja i ka përcjellë ose jo Kuvendit të Shqipërisë “Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve për Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, për vendin vakant, të shpallur nga Kuvendi, në datën 12.02.2018”, si dhe “Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve për Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, për vendin vakant të shpallur nga Kuvendi në datën 04.03.2019”.

Presidenti i Republikës vlerësoi se ky informacion paraprak ishte i domosdoshëm me qëllim: Së pari, të fillonte sa më parë procesi i plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese; së dyti, ripërtëritja e Gjykatës Kushtetues me gjyqtarët e rinj, të ndjekë radhën kronologjike të diktuar nga Kushtetuta dhe ligji, ku Presidenti i Republikës të emëronte gjyqtarin e parë kushtetues, vetëm pasi Kuvendi të kishte administruar nga KED-ja listën përfundimtare me numrin e nevojshëm të kandidaturave (jo më pak se tre); së treti, sepse respektimi i kësaj radhe kronologjike të plotësimit, do të shërbejë edhe si rregull bazë për përtëritjen e tyre në të ardhmen. Përveç këtyre arsyeve, ka edhe një arsye tjetër, se përse ishte i domosdoshëm ky informacion. Në të gjitha vakancat aktuale për të cilat KED-ja ka zhvilluar procedurën e verifikimit, vlerësimit dhe renditjes, ka aplikantë, të cilët gjenden njëkohësisht në cilësinë e kandidatit qoftë në vakancat që i përkasin për plotësim Presidentit e qoftë në vakancat që plotësohen nga Kuvendi. Emërimi eventual i njërit aplikant në listën e Presidentit, afekton domosdoshmërisht edhe numrin e aplikantëve që gjenden në listën/at e Kuvendit.

KED i përgjigjet Presidentit: Ja procedurat

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i është përgjigjur Presidentit Ilir Meta, i cili kërkoi dje pezullimin e procesit për zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, pasi sipas tij, është shkelur Kushtetuta. Në përgjigjen e tij KED sqaron se “Këshilli vlerësoi ti përcjellë Institucionit të Presidentit të Republikës kopje të dokumentacionit të administruar dhe të shqyrtuar që përmban dosja e kandidimit të secilës prej 4 kandidateve të listuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese”.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, datë 07.11.2019, zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, ku në rendin e ditës ishte përcaktuar “Diskutim mbi qëndrimet e Presidentit të Republikës lidhur me procesin e plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese”. Në këtë mbledhje Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u vu në dijeni të qëndrimeve të Presidentit të Republikës të shprehura me anë të shkresës nr. 3535/2 datë 05.11.2019 , me lëndë “ Mbi zgjedhjen/emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese sipas radhës që dikton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe ligji nr. 8577/2000”, administruar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me nr. 713 prot, datë 06.11.2019. Në kushtet kur i ka përfunduar procedurat e verifikimit, vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve për katër vende vakante, dy për secilin organ emërtese, përkatësisht për Presidentin e Republikës dhe Kuvendin, duke dërguar pranë tyre edhe Listat Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve, Këshilli vlerësoi ti përcjellë Institucionit të Presidentit të Republikës kopje të dokumentacionit të administruar dhe të shqyrtuar që përmban dosja e kandidimit të secilës prej 4 kandidateve të listuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11133 datë 04.03.2019, për disponibilitetin e dërgimit të të cilave KED ka vënë në dijeni këtë organ emërtese me Raportin e Arsyetuar për Renditjen e Kandidatëve të Lejuar për plotësimin e këtij vendi vakant, përcjellë pranë institucionit të Presidentit me shkresën nr. 553 prot datë 08.10.2019.

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All