Senatorja e Romës, Emma Bonino flet në një intervistë për gazetën “Shekulli”. Ajo thekson se Shqipëria ndodhet në një situatë të ndërlikuar, politikanët duhet të kenë një qasje të njëjtë dhe të arrihet në një konceptim të afërt midis maxhorancës dhe opozitës

Erjon Dervishi

Senatorja e Romës dhe Ish-ministrja e Jashtme e Italisë, Emma Bonino shprehet se, situata në Shqipëri është e komplikuar. Znj. Bonino bën thirrje për një qasje dhe një konceptim shumë të afërt midis maxhorancës dhe opozitës. Sipas Znj. Bonino qëndrimi i Francës dhe i vendeve kryesore të Bashkimit Europian për të mos hapur negociatat me Shqipërinë, ishte një vendim për të ardhur keq. Theksojmë se më 17-18 tetor 2019, Këshilli Europian i Bashkimit Europian nuk arriti që të dakordësohej për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Italia si një nga mbështetëset me të mëdha të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, e quajti vendimin e BE-së, një gabim historik.

Znj. Bonino, si e shihni situatën politike në Shqipëri?

Unë shoh të gjithë këtë situatë dhe proces një situatë të ndërlikuar, sigurisht të ndikuar edhe nga faktorë të jashtëm, të cilët duhet të tejkalohen në interes të stabilitetit të Shqipërisë dhe të gjithë rajonit, gjithmonë, siç themi ne në Itali, “mbajini të dyja këmbët në tokë”.

Çfarë mendoni për vendimin e fundit të Këshillit Europian për Shqipërinë në lidhje me integrimin në BE?

Ai ishte një vendim për të ardhur keq dhe se rrezikon të ndikojë negativisht jo vetëm në marrëdhëniet tona, por imazhin dhe besueshmërinë e vetë Bashkimit Europian në rajonin e Ballkanit. Duhet të them, edhe pse si Senatore nuk e mbështes qeverinë aktuale, se Italia ka qenë në vijë të parë në kërkimin e një vendimi që do të merret, si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut, dhe që një rezultat pozitiv të merret madje para takimit të vitit të ardhshëm në Zagreb.

Si e shpjegoni qëndrimin francez në lidhje me zgjerimin?

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dukej se ishte një i burgosur i konsideratave politike të brendshme në lidhje me faktin se shumë azilkërkues në vendin e tij janë shtetas shqiptarë dhe hapja e negociatave mund të kishte përcjellë një imazh negativ në funksion të zgjedhjeve komunale në Mars 2020 në Francë. Ai gjithashtu vendosi të përfshijë në debat çështjen më të përgjithshme për profesionin dhe aftësinë e Bashkimit Europian, me mekanizmat e saj të vendimmarrjes tashmë kaq të komplikuar dhe ndonjëherë paralizues, për t’u zgjeruar më tej. Por ky diskutim, që është sigurisht i rëndësishëm, nuk mund të mbahet në ndarjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa vendet e tjera të Ballkanit tashmë janë përfshirë në programin e negociatave të pranimit. Në këtë mënyrë, sinjali i dërguar është se ne nuk duam që ju të jeni me ne. Nga ky këndvështrim, unë përshëndeta vizitën e fundit të Presidentit të Parlamentit Europian, David Sassoli, në Tiranë dhe Shkup, dhe shpresoj që së shpejti të gjendet një zgjidhje.

Kriza politike në Shqipëri vazhdon ende. A mendoni se partitë politike kanë nevojë për një pakt të përgjithshëm?

Nuk dua të ndërhyj në debatin e brendshëm politik në Shqipëri. Mund të them vetëm se në Itali, në momentet vendimtare të integrimit evropian, ka pasur gjithmonë, të paktën deri shumë vonë, një “idem e idemit”, do me thënë një qasje dhe një konceptim të njëjtë midis mazhorancës dhe opozitës.

Flash Lajme

Më të lexuarat