Prej datës 11 nëntor Agim Kajmaku është shpallur në kërkim. Ndonëse janë kryer në kontrolle nga policia Kajmaku vazhdon të mbetet në arrati. Si i shpëtoi 13 aksioneve të policisë

diamila leka

Ish-kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku vijon të qëndrojë në arrati. Në datën 11 nëntor, u zyrtarizua shpallja në kërkim me vendim gjykate. Ndërkohë, që prej asaj date, Kajmaku i ka shpëtuar më shumë se 13 aksioneve policore për kapjen e tij. Kontrolle të forcave të policisë janë kryer në zonën e Fushë-Prezës dhe rrethinat e Prezës por nuk kanë pasur sukses. Sipas uniformave blu, pretendohet se është bërë përpjeke maksimale për të vënë në pranga Kajmakun por kanë dështuar. Ndërkaq, dyshimet janë se kushti i vetëm që Kajmaku të dorëzohet vullnetarisht dhe të vihet para drejtësisë, është nëse atij i sigurohet që hetimet do të ndiqen në gjendje të lirë. Kjo gjë vihet re pasi avokati i ish-kreut të Bashkisë së Vorës, ka apeluar vendimin e gjykatës së Tiranës, duke kërkuar një masë më të lehtë për klientin e tij. Paradoks në këtë histori është fakti që Kajmaku i shpëtoi arrestimit të Forcave Operacionale Speciale, ndërsa në fshehtësi të plotë arrin para noterit të lëshojë prokurën e tij për të bërë apelimin e vendimit, “arrest me burg” të dhënë nga Shkalla e Parë.

Edhe më herët Prokuroria dhe Policia kanë negociuar për të bërë të mundur dorëzimin vullnetar të Kajmakut, i cili u zgjodh më 30 qershor nga radhët e mazhorancës për të drejtuar Bashkinë e Vorës. Kajmaku cilësohet si kryebashkiaku më jetëshkurtër që ka mbajtur atë post, pas denoncimeve publike që bëri Partia Demokratike. Nga hetimet rezultoi se 48-vjeçari nuk kishte raportuar në formularët e dekriminalizimit se ishte në një proces gjyqësor në Greqi. Prokuroria pohon se Kajmaku është nën hetim edhe për ushtrim të funksioneve pas dhënies fund të detyrës duke qenë se, ka shkarkuar dy nënkryetarë të Bashkisë pikërisht ditën kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ndërpreu mandatin si edhe ka shpërdoruar detyrën. Ende mbetet mister se kush nga instancat shtetërore vuri në dijeni 48-vjeçarin që t’i shpëtonte drejtësisë, pasi ndaj tij kishte një urdhër arresti nga gjykata e Tiranës. Për këtë arsye, po verifikohen nga Sh.Ç.B.A., oficerët e policisë gjyqësore si edhe zinxhiri komandues i policisë Tiranës nëse ka pasur rrjedhje të informacionit për rastin Kajmaku.

Mandati

I zgjedhuri socialist në bashkinë e Vorës e humbi mandatin më 1 nëntor, për shkak se nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit ndalimin dhe hetimin e tij në Greqi nën emrin Jorgo Toto për veprën penale të përdorimit të parave false. Megjithatë, pozita penale e Kajmakut duket se është rënduar nga veprimet e kryera prej tij pas vendimit të shkarkimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Më 1 nëntor, Kajmaku ka shkuar për gati një orë në zyrën e tij dhe ka firmosur shkarkimin e dy nënkryetarëve të Bashkisë së Vorës, Laureta Omeri dhe Hekuran Brahimaj. Në vend të tyre, Kajmaku ka emëruar shefin e tij të kabinetit, Gentian Picari, duke tentuar kështu që të ruajë kontrollin e tij mbi Bashkinë e Vorës edhe pas shkarkimit nga detyra.

Ligji për vetëqeverisjen vendore parashikon në pikën 5 të nenit 61 që në rastet kur mandati i kryetarit përfundon para kohe, funksionet e tij i kryen nënkryetari i Bashkisë. Dy nënkryetarët e “shkarkuar” të bashkisë së Vorës, Omeri dhe Brahimaj mësohet se kanë bërë kallëzim kundër Kajmakut në Prokurori, çka mesa duket ka sjellë edhe procedimin e Kajmakut për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “ushtrimit të funksioneve pas dhënies fund të detyrës”. Agim Kajmaku është njëri prej tre të zgjedhurve lokalë nga Partia Socialiste, që u akuzua nga Partia Demokratike në opozitë për të shkuarën e fshehur kriminale, që bie ndesh me ligjin e dekriminalizimit. Kajmaku mohoi fillimisht akuzat se kishte qenë i ndaluar në Greqi, por akuzat e Partisë Demokratike u vërtetuan nga Prokuroria e Përgjithshme përmes krahasimit të gjurmëve të gishtave.

Denoncimi

Agim Kajmaku u denoncua fillimisht nga Partia Demokratike më 26 gusht si person që ka gënjyer në formularin e pastërtisë së figurës së firmosur prej tij, ndërsa është zgjedhur kryebashkiak ndërkohë që ishte person i shpallur në kërkim në Greqi. Kajmaku fillimisht hodhi poshtë denoncimin si të pavërtetë. “Unë s’jam arrestuar dhe s’jam dënuar në Greqi po kam bërë punë me emër tjetër si gjithë shqiptarët”, deklaroi ai në 27 gusht në Facebook. Nga ajo kohë, Kajmaku, 48 vjeç, ka heshtur mbi problemin ndërsa Prokurorisë së Përgjithshme iu deshën disa muaj për të kryer procedurën e verifikimit. Sipas saj, Kajmaku ka përdorur edhe emrin Jorgo Toto në Greqi, me të cilin është arrestuar në Greqi, para se të arratisej nga drejtësia greke në vitin 2004. Vepra penale për të cilën Kajmaku është akuzuar në Greqi, përdorimi i monedhave të falsifikuara, nuk përfshihet në listën e veprave penale që e ndalojnë një person të garojë për poste publike në Shqipëri, por mosdeklarimi i këtij fakti përbën njëkohësisht arsye për shkarkimin e tij nga detyra dhe vepër penale “falsifikim dokumentesh”.

Sekuestrimi

Policia i sekuestron celularin nënkryetarit të Bashkisë së Vorës. Ky i fundit është emëruar në postin e nënkryetarit nga ish-kryebashkiaku i shkarkuar Agim Kajmaku, në ditët e fundit të detyrës. KQZ e shkarkoi Kajmakun për shkak se Prokuroria arriti te vërtetonte se ai ka qenë i arrestuar dhe dënuar në Greqi për falsifikim parash. Agim Kajmaku është shpallur në kërkim prej disa ditësh, por nuk dihet vendndodhja e tij. Pasi KQZ e shkarkoi, Kajmaku u zbulua se ai vetë kishte shkarkuar dy nënkryetarët e bashkisë, duke emëruar në këtë post vetëm Gentian Picarin. Ky i fundit ka bërë kërkesë ne Prokurori që t’i rikthehet celulari.

 

Flash Lajme

Më të lexuarat