Një banesë është vjedhur nga tre persona të maskuar. Autorët kanë vjedhur një shumë parash mbi 300 mijë euro. Grabitësit janë prezantuar si efektivë policie dhe se kërkojnë djalin e të moshuarve Xhevahir Shabanin.

Ky i fundit ndodhet në burg në Itali, por sipas tyre ishte arratisur dhe po e kërkonin në Shqipëri.

Diamila Leka

Tre persona kanë hyrë në banesën e Taf Shabanit pasditen e së martës në Fushë-Milot. Autorët kanë vjedhur një shumë parash që ndodhej në kasafortë. Ndërkaq, rasti i grabitjes së parave është denoncuar në polici nga Shabani duke u shprehur se shuma që i vodhën është mbi 300 mijë euro. Këto para sipas tij ishin kursime të djemve në Itali prej 30 vitesh dhe kursime të vajzës e cila ndodhet në Tiranë. “Morën mbi 300 mijë euro”, mësohet të jetë shprehur, por si ndodhi vjedhja. Në banesë ndodhej e zonja e shtëpisë, Hume Shabani e cila ka treguar edhe në media për ngjarjen. Sipas kësaj të fundit, ajo është shprehur se autorët kanë qenë tre por pa armë. Ata ishin të maskuar ndërsa janë prezantuar si efektivë policie dhe se ishin në kërkim të djalit të saj Xhevahir Shabani, i cili ndodhet në burg në Itali. Por sipas tyre ishte arratisur dhe po e kërkonin në Shqipëri. Hume Shabani është shprehur se autorët i kërkonin që të tregonte se ku e kishte djalin dhe ku i kishte fshehur armët. Ky ka qenë preteksti që ata kanë kthyer banesën përmbys duke kontrolluar gjithçka kishte deri në momentin që kanë gjetur kasafortën dhe kanë marrë lekët që ndodheshin në të. Autorët pasi kanë marrë paratë dhe disa sende me vlerë janë larguar, ndërsa zonja e shtëpisë thekson se nuk arriti që t’i njihte pasi ka probleme me shikimin. “Hapën derën dhe thanë ku e ke djalin, më thanë ku e ke futur se ka braktisur burgun? Unë thashë, jo nuk kam djalë këtu. Kontrolluan dhomat ku i ka armët djali dhe ku e ka dhomën. Njëra nga dhomat ishte mbyllur dhe tjera çelur.

E hapën derën duke e thyer me shkelm dhe morën çfarë gjetën letrat e shtëpisë dhe gjithçka. Nuk e di sa lekë kanë qenë. Lekët e kalamajve që kanë punuar 30 vite në Itali dhe vajzës në Tiranë. U thashë si e gjetët shtëpinë time pa një operativ që erdhën nga Tirana. Unë nuk shoh mirë, por njëri e hoqi maskën dhe e vendosi prapë. Kasafortën e prenë me gurë fresibel, u thashë çfarë jeni diversantë apo? Ishte rreth orës 05:00 pasdite kur ndodhi. Burri ishte duke pirë kafe te lokali. Nuk më lanë me lajmëruar burrin. Nuk e di a kishin armë. Vetëm thonin ku e ke djalin, se ka ikur, dhe ku i ka lënë armët, ata donin lekët dhe jo armët, e kuptova mbrapa. Kur ikën morën çfarë patën dhe më pas lajmërova burrin dhe dola jashtë. Lajmërova burrin ishte duke u dridhur.

Pasi lajmëruam policinë erdhi. Djali është në burg, e kapën e futën në burg, nuk e di pse. Djali im (Xhevahir) ka një vit e gjysmë në burg ata thanë e ka braktisur dhe ka ikur” tha e moshuara, Hume Shabani. Autorët duket se jo vetëm që ishin në dijeni të faktit se në banesën e Taf Shabanit kishte para të dërguara nga djali i tyre, por edhe të gjendjes shëndetësore të zonjës së shtëpisë që kishte probleme me shikimin duke përfituar dhe hyrë në momentin që i zoti i shtëpisë nuk ishte i pranishëm. Sipas burimeve nga policia deri tani janë disa persona të shoqëruar, ndërsa po punohet për të identifikuar dhe arrestuar autorët. Pse autorët kërkonin Xhevahir Shananin? Në datë 24 korrik të vitit 2015, ai është përfshirë në një ngjarje në Tiranë në zonën e “Xhamllikut”. Makina e tij u gërvisht me një motoçikletë e cila drejtohej nga Emiljano Tasho ndërsa xhevahir Shabani zbriti nga makina duke e ofenduar. Drejtuesi i motorit Emiljano Tasho sapo dëgjoi fjalët e Shabanit nxori pistoletën dhe e qëlloi dy herë në bark.

Ngjarja në vitin 2015  

Të shtëna me armë zjarri u dëgjuan në Tiranë rreth orës 14:30 minuta në rrugën “Hoxha Tahsim”, pikërisht në vendin e quajtur “Xhamlliku”. Sipas policisë ngjarja ndodhi si pasojë e një konflikti banal, ku i plagosur mbeti 26-vjeçari nga Miloti, Xhevahir Shabani. Ky i fundit ishte duke lëvizur me një makinë tip “Golf 6” ngjyrë gri me targa të huaja, dhe ishte duke ecur paralelisht me një motoçikletë. I pari që ka ndaluar ka qenë 26-vjeçari ku fillimisht ka ofenduar rëndë personin që ndodhej në motoçikletë e më pas ka vëzhguar makinën nëse kishte pësuar gërvishtje ose jo, pasi mësohet se nuk ishte në pronësi të tij. Pikërisht në këtë moment, drejtuesi i motoçikletës i cili ka dëgjuar ofendimet ndaj tij, ka ndaluar shpejtësinë dhe menjëherë ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar mbi 26-vjeçarin. I riu nga Miloti u qëllua me dy plumba në bark, ndërsa autori i ngjarjes u largua me motoçikletën tip “Kawasaki” me ngjyrë të zezë. Ndërkohë, policia e cila mbërriti në vendin e ngjarjes i dha ndihmën e shpejtë të plagosurit, si dhe nisi punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, për identifikimin, gjetjen dhe vënien në pranga të autorit, duke ngritur postblloqe të shumta policie. Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan 2 gëzhoja të një pistolete si u morën në pyetje persona të cilët ndodheshin aty në momentin e ngjarjes. Po ashtu, policia sekuestroi edhe kamerat e disa bizneseve aty pranë për të identifikuar personin që lëvizte me motoçikletë, pasi ishte edhe pa kaskë mbrojtëse.

Dëshmitarët

“Dëgjova dikë që ishte duke kërkuar ndihmë. Dola nga dyqani dhe pashë një djalë të ri që rrinte i shtrirë në tokë”. Kështu u shpreh një grua rreth të 40-ve e cila punonte në një lavanteri aty pranë. Gruaja e cila ndodhej e tronditur nga ngjarja në fjalë tha se nuk kishte dëgjuar asnjë të shtënë si pasojë e zhurmës që kishte në dyqan, ndërsa plagosjen e kishte marrë vesh nga një person i cili kishte hyrë në dyqan nga të shtënat. “Në dyqan hyri një person i cili më tha i tronditur: “Hyra këtu se dëgjova të shtëna”. Pas këtyre fjalëve dola dhe aty para (bën me shenjë vendin ku ndodhi ngjarja) pashë një djalë të ri i cili ishte i gjakosur dhe bërtiste: “Ju lutem më ndihmoni. Më çoni në spital se jam duke vdekur”. Në këtë moment erdhi policia dhe një burrë e ngriti djalin dhe e futi në një makinë për ta çuar në spital”, tha gruaja.

 

Flash Lajme

Më të lexuarat