Qeveria shqiptare shpalli sot gjendjen e jashtëzakonshme pas tërmetit të së martës që la pas vetes 27 të vdekur dhe 650 të plagosur ndërsa po vazhdojnë kërkimet në gërmadhat e ndërtesave të shembura.

Në mëngjesin e së mërkurës, kryeministri Edi Rama mblodhi qeverinë duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

“Ashtu si kushtetuta dhe legjislacioni e shpjegojnë dhe duke nisur nga natyra e problematikës dhe situatës do të jetë një gjendje e jashtëzakonshme në perimetrin e dy rajoneve ku plagët janë më të hapura në Durrës dhe Tiranë. Gjendja e jashtëzakonshme nuk është thjesht çështje financash, por është një seri masash. Nuk e di a janë të gatshëm ata që e predikonin për t’iu nënshtruar këtyre masave. Kjo ka qenë arsye që ne kemi reflektuar, sepse gjendja e jashtëzakonshme përkon me marrjen ose krijimin e një niveli të ri të qeverisjes së situatës për një periudhë 30 ditëshe”, tha kryeministri Rama. Shqipëria u godit të martën, nga një tërmet u fuqishëm, me magnitudë 6.4, që tronditi thuajse të gjithë vendin, duke shkaktuar të paktën 24 viktima, dhe disa qindra të tjerë të plagosur. Bilanci erdhi duke u rënduar gjatë gjithë ditës. Në mbrëmje vonë, nëna e një vajze 8 vjeçare e cila humbi jetën nën rrënoja në Durrës, nuk mundi t’i rezistojë plagëve, duke u shuar në spital. Ndërsa një i ri në Thumanë, i mbetur nën urat e pallateve të shembur në Thumanë, ku mbijetoi për gati 17 orë, nuk arriti të dalë i gjallë. Dëme të shumta janë rregjistruar në ndërtesa, shtëpi dhe godina shërbimesh kryesisht në zonën e Durrësit, Thumanës dhe Tiranës. Mbi 40 persona u nxorrën nga rrënojat e banesave dhe pallateve të shembur nga lëkundjet e forta. E mërkura është shpallur zi kombëtare. Në ndihmë të autoriteteve shqiptare kanë mbërritur ekipe të specializuara nga Kosova. Italia, Greqia e shumë vende të tjera që u solidarizuan menjëherë..

Flash Lajme

Më të lexuarat