Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, përmes një deklarate zyrtare, bën të ditur se dje nisi një aksion për mbledhjen e ndihmave nga qytetarët me qëllim që më pas ato të dërgoheshin në zonat më të prekura nga kriza humanitare.

Nga ana tjetër, Aleanca thotë se në këto momente të dhimbjes, duhet të jeni bashkë edhe në menaxhimin e krizës. ”Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit falenderon qytetarët për besimin, i fton të ndjekin njoftimet që do të shpërndahen në formë elektronike e përmes mikrofonit në Sheshin e Teatrit dhe të japin ndihmën e tyre në çdo drejtim: me ushqime, batanije e dyshekë, mjete të higjenës, medikamente e pajisje mjekësore”.

Postimi i plotë

Tragjedia e tërmetit më të rëndë që Shqipëria ka përjetuar që prej dekadash dhe kriza humanitare e lindur befas si pasojë e saj nxiti një valë solidariteti të njohur më parë në këtë nivel vetëm në rastin e luftës së Kosovës. Shqiptarët janë të bashkuar e të bashkuar do ta përballojnë me sukses këtë krizë.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nisi dje një aksion për mbledhjen e ndihmave nga qytetarët me qëllim që më pas ato të dërgoheshin në zonat më të prekura nga kriza humanitare. Sheshi i Teatrit Kombëtar u promovua edhe në mediat e ndryshme televizive dhe të internetit si dhe në rrugë të tjera, për shembull përmes faqes së Ambasadës Italiane në Facebook, si vendi ku qytetarët të sillnin ndihmat e tyre.

Reagimi nga qytetarët ishte shumë i shpejtë dhe bujar. Rreth 2000 persona kanë sjellë deri tani ndihma dhe kontribute financiare, ndër të cilët ka pasur edhe qytetarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Aktualisht ambientet e hollit të Teatrit Kombëtar janë të mbushura me ndihma, kryesisht ushqimore si dhe batanije e dyshekë. Deri në orën 16:00 të ditës së sotme, 10 kamionë, furgonë e makina të vogla me ndihma janë çuar në: Thumanë, Durrës, Ishëm, Manzë, Pezë, Fushë-Prezë.

Procesi i mbledhjes, përgatitjes së paketave të ndihmës, sistemimit të tyre, transportit e dorëzimit në destinacion te të prekurit nga kriza humanitare, përfshin një grup vullnetarësh prej 40-50 qytetarësh që punojnë nga sheshi i Teatrit. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit falenderon qytetarët për besimin, i fton të ndjekin njoftimet që do të shpërndahen në formë elektronike e përmes mikrofonit në Sheshin e Teatrit dhe të japin ndihmën e tyre në çdo drejtim: me ushqime, batanije e dyshekë, mjete të higjenës, medikamente e pajisje mjekësore. Aksioni i ndihmës do të vazhdojë pa ndalim për aq kohë sa të ketë qytetarë në nevojë e qytetarë të gatshëm për të dhënë ndihmën e tyre. Bashkë në dhimbje, bashkë në manaxhimin e krizës!

Flash Lajme

Më të lexuarat