Kostoja më e madhe e tërmetit shkatërrimtar që goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës janë dhjetëra jetët e humbura njerëzore. Pas bilancit tragjik të viktimave, Shqipëria duhet të përballet me një tjetër bilanc, atë të dëmeve të jashtëzakonshme ekonomike.

Të hënën qeveria pritet të mbajë një mbledhje urgjente për të vlerësuar fondet e nevojshme që duhen për të përballuar shpenzimet emergjente të kërkim-shpëtimit dhe strehimin e përkohshëm të banorëve. Të hënën qeveria mund të vendos rritjen e deficitit buxhetor të këtij viti përtej nivelit 2 përqind për të marrë më shumë borxh në treg.

Dhjetëra pallate të shkatërruara dhe qindra të tjerë të pabanueshëm kanë lënë jashtë mijëra qytetarë. Ajo që mbetet për tu vendosur është rruga se si do të prokurohet ndërtimi i këtyre banesave. Do të jenë me tender apo përmes procedurave të jashtëzakonshme. Një ditë më parë qeveria shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore, e cila imponoj automatikisht ngritjen e komitetit ndërministror të emergjencës civile. Pas tejkalimit të situatës emergjente, ligji e detyron qeverinë që të ngrejë komisionet lokale për vlerësimin e dëmeve. Brenda 15 ditësh këto komisione do të vlerësojnë të gjitha dëmet për familjet e prekura, përfshirë banesat, orenditë, gjënë e gjallë dhe çdo zë tjetër sipas përcaktimeve të ligjit për mbrojtjen civile.

Edhe pse procesi i vlerësimit nuk ka nisur akoma, fatura totale e tërmetit pritet të jetë e rëndë, më e madhja që Shqipëria ka përjetuar ndonjëherë nga fatkeqësitë natyrore. Edhe pse qeveria shpreson të grumbullojë sa më shumë para nga kontributet vullnetare apo ndihmat e donatorëve ndërkombëtar, pjesa më e madhe e faturës do të bjerë mbi buxhetin e shtetit.

Flash Lajme

Më të lexuarat