Pas izolimit të pjesshëm të një prej hyrjeve të urgjencës të spitalit të Durrësit, shërbimi i urgjencës është riorganizuar nga hyrja kryesore e spitalit për të funksionuar me kapacitet të plotë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu e cila po ndjek nga afër situatën në spitalin e Durrësit tha se janë marrë të gjitha masat për t’i shërbyer çdo qytetari të lënduar.

“Është rionganizuar shërbimi i urgjencës nga hyrja kryesore e spitalit. Janë marrë të gjitha masat sipas protokolleve për të pritur çdo qytetar të lënduar dhe puna po vijon normalisht”, tha Manastirliu.

Manastirliu tha se aktualisht në spitalin e Durrësit po trajtohen 22 të lënduar, ndërsa pjesa më e madhe e të lënduarve kanë lënë spitalin.

Ministrja në një dalje të mëparshme së bashku me inxhinierin Agron Hysanbelliu tha se pas vlerësimit të godinës u vendos që spitali i Durrësit nuk ka dëme në strukturë dhe nuk përbën rrezik.

Që nga momenti i rënies së tërmetit të parë në spitalin e Durrësit janë trajtuar rreth 345 pacientë, të cilët kanë marrë shërbimin e nevojshëm mjekësor.

Flash Lajme

Më të lexuarat