Nga Jens Skapski /

Tërmeti i fundit në Shqiperi ishte një nga më shkatërrimtarët në historinë e re të këtij vendi. Magnituda e tij ishte 6,4 e shkallës Richter pasuar me disa dhjetëra viktima dhe shumë banesa të shkaterruara.

Veçanërisht shtrirja e tij në rajonet më të populluara të vendit, midis qytetit portual të Durrësit dhe kryeqytetit të vendit Tiranës e bënte atë akoma edhe më të rrezikshëm.

Duhet theksuar që ky termet nuk ishte i pari. Sinjalet e para të tij ishin ndjerë që në vitin 2018, nga i cili u shkaktuan dëme të lehta materiale.

Një shikim i shkurtër mbi origjinën dhe pasojat e tij:

Origjina tektonike

Shqipëria shtrihet në një zonë kalimtare “shkalle tektonike”(Subduktionszone) midis asaj kalabreze dhe helene, ndërsa në Veri të saj kufizohet nga zona koliduese (përplasjeje) dinarike.

Kjo e fundit formon kufirin tektonik midis pllakës Euroaziatike dhe pllakës së vogël Adriatike e cila shihet si pjesë e fundme e zgjatimit të pllakës kontinentale afrikane.

Pllaka Adriatike duke qënë nën trysnine jugore prej pllakës kontinentale afrikane krijon një zhvendosje në drejtim të Veriut dhe Veri-Lindjes duke u shtyrë drejt Sllovenisë dhe duke u përplasur në Lindje me pllakën lundruese Euroaziatike.

Nga kjo përplasje kemi një rrezatim tektonik drejt Jugut konkretisht përgjate Ballkanit Perëndimor duke dhënë dhe një goditje në drejtim horizontal. Kjo paraqitje tektonike shpjegon me ekzaktësi tërmetin me magnitudë prej 6,4 të shkallës Richter të ndodhur në rajonet e Ballkanit.

Këto dhe të tjera fenomene indirekte trysnuese të ndodhura brënda për brënda Gadishullit Ballkanik na japin këtë tablo sizmike në një rajon me ultësira, vargmale dhe ishuj që janë të vendosura paralelisht me zonat tektonike.

Aktivitetet e hershme sizmike

Shqipëria gjëndet në një nga zonat më aktive të Europes, parë kjo nga aspekti tektonik, ajo në të kaluarën e saj është përballur shpesh me këto fenomene, pavarësisht se vitet e fundit këto aktivitete kanë qënë me frekuenca më të ulëta.

Këtu duhet theksuar goditja që ka pësuar Vlora në vitin 1851 me magnitudë 6,8 që shkaktoi mijëra viktima. Të tjerë tërmete shkatërrues kanë goditur Shqipërinë dhe në vitet 1905 dhe 1967.

Domethënës është fakti se në rastin e Shqipërisë kemi të bëjmë me sekuenca prej 10 lëkundjesh të forta që kanë ndodhur në pak vite, filluar nga fundi i shek. te 19-të brënda një distance kohore të shkurtër, duke përmendur këtu tërmetet në afërsi të Himarës me dhjetëra të vdekur, në rajonet kufitare të Maqedonisë së sotme dhe tre tërmete të fortë në Durrës.

Vecanërisht rajonet e Durrësit janë më të prekurit nga ky fenomen. Qysh nga koha e Romës se Lashtë Durrësi (Dyrrachium) është përballur me rrënime masive si pasojë e tërmeteve të viteve 57-të, 334, 346, dhe 522.

Në Mesjetë rreth vitit 1270 ndodhën përsëri lëkundje të tjera sizmike mbi të cilat nuk kemi të dhëna të dokumentuara.

Por duhet thënë se asnjë fenomen sizmik nuk ka dëshmuar një magnitudë më të lartë se 7-të të shkallës Richter. Kjo do të thotë se tërmeti i fundit parë edhe historikisht ishte ndër më të fortët që ka përjetuar ky vend.

Sekuenca (gruplëkundjet) aktuale

Përafërsisht, ashtu si në paraqitjet historike, ndodhemi në ato sekuenca që ndodhi dhe tërmeti kryesor i 26 nëntorit.

Sinjalet e tij i kemi qysh në korrik të vitit 2018, që në atë kohë paraqiti një rrezikshmëri relativisht të ulët me një intensitet prej 4,9 të konstatuar në Durrës.

Ai tërmet shkaktoi natyrisht një panik masiv në popullatën vendase me sekuenca para- dhe pasgoditjesh të forta. Tërmeti shkaktoi dëme jo dhe aq të mëdha me disa dëmtime objektesh dhe ndërtesash banimi.

Një tjetër aktivitet i lehtë sizmik u ndje përsëri brënda disa ditëve të muajit mars të vitit 2019 pa shkaktuar ndonjë pasojë.

Ndërsa më i forti, krahasuar me tërmetet e mëparshëm, ndodhi më 21 shtator të vitit 2019 i cili kapi një magnitude prej 5,8 të shkallës Richter. Pasojat ishin në këtë rast më të mëdha.

Mbi 600 banesa në Durres, Tiranë dhe zonat përreth pësuan dëmtime të konsiderueshme. Rreth 130 banorë pësuan dëmtime me plagosje të lehta dhe të rënda trupore.

Dëmtimet dhe pasojat e shtatorit duket sikur u përkeqësuan akoma më shumë me aktivitetin e fundit sizmik të 26 nëntorit.

Pra edhe tërmeti i shtatorit ishte një pjese e një para- dhe pas grupgoditjesh me karakter intensiv.

Në këtë këndvështrim tërmeti i 26 nëntorit nuk ishte dhe aq i papritur, sepse sinjalet e para të tij ishin ndjerë që më datë 24 nëntor po ashtu në Durrës dhe Tiranë, sinjale të cilat sigurisht shkaktuan panik, por nga ana tjere ndoshta shpëtuan më shumë jetë njerëzore.

Zona goditëse e tërmetit përfshiu Durrësin në një gjatësi prej 20 km paralel me bregdetin duke patur dhe epiqendrën e tij në atë zonë për të qënë dhe si epiqendër e të gjitha tërmeteve paralajmerues.

Natyrisht që është e vështirë të parashikohen me saktësi goditjet kryesore në sajë të paragoditjeve, si në rastin e fundit, ku me muaj të tërë vërehej një aktivitet sizmik me lëkundje të lehta të Tokes, por ndonjëherë dhe me goditje të forta, duke u gjëndur së fundmi para një tërmeti me pasoja katastrofike.

Këto zhvillime tektonike sjellin tek njerezit ndjenja të forta pasigurie për ditët në vijim.

Parë nga një këndvështrim më i gjerë

Shëmbujt historikë kanë treguar se lëkundjet e forta brënda nje sekuence, rritjet graduale prej muajsh të aktiviteteve sizmike, pasuar me sekuenca të forta pasgoditjesh (me intensitet prej 5,5) nuk janë indikatorë se më e keqja ka kaluar.

Është e pamundur të thuash që goditja e 26 nëntorit do të ketë qënë goditja kryesore. Probabiliteti se mund të ndodhin tërmete të tjerë në ditët, muajt dhe vitet në vijim nuk është i pamundur.

Nisur nga ky fakt magnituda prej 6,4 nuk mund të quhet më e larta. Nëse të tjerë tërmete të tjerë do ta pasojnë ose jo, këtë nuk mund ta thotë askush me siguri.

Natyrisht ashtu si në këto rajone, dhe në rajone të tjera të botës të prekur nga tërmetet krijohet një konfuzion masiv informacionesh, se tërmete të tjerë priten të bien në ditët në vijim, këtu është tepër e rëndësishme që këtyre informacioneve pa bazë të mos u vihet veshi, por të ndiqen dhe te zbatohen ne mënyrë rigoroze udhëzimet zyrtare.

Nëse tërmete të tjerë do të vijojnë në të ardhmen ndihma më e mire është menyra se si njeriu të dijë si të reagojë.

Për këtë qëllim duhet të kihet parasysh rreptësisht evitimi i qëndrimit në banesat e dëmtuara më parë. Banoret është mirë të kalojnë orët e ditës mundësisht jashtë banesave të tyre për të qënë të parapërgatitur për cdo rast.

Gjithashtu duhet të kihet parasysh që në rajonet bregdetare të mos injorohet edhe rreziku i ndonjë Tsunami.

Po ashtu lëkundje sizmike mund të ketë në të ardhmen edhe ne rajonet fqinje në periferi të epiqendrës së tërmetit kryesor, këtu hyjnë zakonisht zona të caktuara, ashtu siç mund të shfaqen edhe „tërmete të rinj“ në rajone të tjera të Ballkanit të cilët zakonisht shfaqen me intensitete relativisht të ulëta.

E rëndësishme për rajonin është shpëtimi i jetëve njerëzore dhe kujdesi ndaj të dëmtuarve. Për Shqipërinë kjo ishte goditja më e rëndë sizmike ndodhur të paktën qysh prej 52 vjetësh. Ndihma ndërkombëtare tashmë është vënë në lëvizje, midis të tjerash ndihma po vijnë nga Greqia Kosova dhe Gjermania.

Me kalimin e ditëve sigurisht do të kemi një tablo edhe më të qartë mbi këtë katastrofë sizmike.

*Përgatiti nga gjermanishtja: Adrian Stefi. Marrë nga faqja: https://erdbebennews.de/2019/11/die-erdbebensequenz-in-albanien-hintergruende-und-auswirkungen

(AUDIO) Zhurma e frikshme e tërmetit të 26 nëntorit

Flash Lajme

Më të lexuarat