Xhesika Biqiku është viktima e parë e tërmetit në kryeqytet, dhe jeta e 51-të e shkëputur në mes si pasojë e lëkundjeve që përfshinë Shqipërinë mëngjesin e së martës së 26 Nëntorit.

Xhesika sapo kishte nisur ëndrrën e saj për tu bërë arkitekte, ndërkohë që tullat e rëna nga pallati i saj në Kombinat, ku jetonte së bashku me familjen i shkaktuan asaj vdekjen.

20-vjeçarja prej tre ditësh mbahej në jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, në gjendje kome, ndërsa transporti i saj drejt Italisë nuk u krye dot, për shkak se mjekët nuk jepnin garanci për jetën e saj.

Bashkë me Xhesikën, atë mëngjes të hidhur të marte mbetën të plagosura dhe nëna dhe motra e saj, ndërkohë që babai kishte rrëfyer dhe të gjithë skenën e rëndë.

Nëna e Xhesikës Rozeta e cila ka këmbën e thyer si dhe çarje në kokë. Gjithashtu dhe e motra e viktimës 20-vjeçare, Sabina 22 vjeç ka nje kembe të thyer si dhe çarje në shpatull.

Kryefamiljari, Ilia Biqiku apelonte kryeministrin Rama që ta niste drejt Italisë vajzën e tij, pasi kishte marrë dëmtime të rënda në tru, por duket se Xhesika e humbi luftën në momentet e saj të fundit.

“Xhesika është shumë rëndë, Është në reanimacioni. Dje kanë ardhur katër mjekë italianë. Një djalë u nis drejt Italisë, për tu nisur ishte edhe emri i gocës time, por nuk u nis. Po i qëndrojnë aty. Ranë tullat e katit të 5 në kombinat. Xhesi do të kishte shpëtuar, po të mos isha penguar unë. Tullat u kishin rënë sipër. U thash ku jeni mo babë? Ata më thanë se na kanë zënë tullat.

Xhesika ka dëmtime në kokë. Na kanë thënë se ka dëmtime në tru dhe ka çarje nga llamarina. U thash çojeni në Itali. Kisha thënë të kisha vdek unë më mirë. Është gocë e re është 20-vjeçe. Pallati është i pabanueshëm, i ka vënë shirit bashkia. Është ndërtuar në 72. Kërkoj që të shkojë goca në Itali të shërohet dhe të gjej një banesë, unë flej në spital. Më zë gjaku nuk hy dot ta shoh.” tha një ditë pas ngjarjes së rëndë Ilia Biqiku, babai i Xhesikës.

Flash Lajme

Më të lexuarat