Pas tërmetit tragjik që goditi Shqipërinë në 26 nëntor, në mbledhjen e shtatë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, qeveria ka bërë një rezyme të situatës ku ndodhemi.

Ministri fuqiplotë për gjendjen e jashtëzakonshme ka thënë se strehimi ka shkuar 12 mijë persona që janë akomoduar në hotele, çadra, qendra sociale, palestra, etj.

Deri tani 4 mijë persona janë në hotele, 254 në palestra, 6.5 mijë vijojnë të qëndrojnë në çadra , 395 në qendra sociale, 769 në Kosovë dhe 436 në akomodime të tjera.

Për sa i takon dëmeve në institucionet e arsimit,  26 shkolla me 10300 nxënës kanë pësuar dëme nga tërmeti, 15 në Durrës, 2 në Lezhë dhe 9 në Tiranë.

Ndërsa objektet e dëmtuara nga tërmeti, nga 656  që janë inspektuar në Durrës 242 janë të pabanueshme, 27 për t’u prishur. Në qarkun Tiranë janë 525 pallate të dëmtuara dhe 3921 banesa dhe 146 biznese.

Në qytetin e Lezhës 400 banesa janë të dëmtuara në total nga të cilat, 138 me dëme të mesme, 53 pallate të dëmtuara rëndë, 13 institucione me dëme të rënda dhe 3 të mesme.

Çuçi tha se sot përfundon strehimi për të gjitha familjet e prekura me viktima. Gjithashtu, u bëri thirrje banorëve për durim pasi do të verifikohen të gjitha banesat. Një prioritet tjetër sipas Çuçit është hartimi i listës së ndërtuesve me dëme, dje 12 pronarë shprehën gatishmëri për rindërtimin e pallateve që nuk kanë marrë goditje në strukturë.

“Sot do të fillojmë me lejet përkatëse që të fillojnë menjëherë. Duhet një udhëzim për bashkitë e prekura për trajtim të bonuseve të qirasë deri kur të përfundojë akomodimi. 20 objekte janë shembur, deri tani në bazë të procedurave, nga akti i konstatimit te dosja procedurale, para ndërhyrjes së shembjes me fiksimin e vendit të ngjarjes dhe marrjes së provave, 8 në Thumanë dhe 12 në Durrës. Donacionet janë gjithmonë në rritje” tha Çuçi.

Flash Lajme

Më të lexuarat