Përmes një deklarate për shtyp, partia ZGJDHJA, e drejtuar nga Koço Kokëdhima ka reaguar për veprimin e kryeministrit Rama një natë më parë, i cili ju ngriti gishtin disa protestuesve.

ZGJIDHJA shkruan se kryeministri Rama duhet t’ju kërkoj ndjesë shqiptarëve për gjestin e bërë.

“Partia ‘Zgjidhja’ e dënon shfaqjen e turpshme të kreut të qeverisë, që u shtohet të gjitha turpeve që ia ka bërë në kurriz të shqiptarëve”, shkruhet ndër të tjera në deklaratë.

Deklaratë shtypi e partisë ‘Zgjidhja’

Rama t’u kërkojë falje shqiptarëve

Kryeministri i Shqipërisë u tregoi mbrëmë gishtin disa dhjetra të rinjve që protestuan në sheshin ‘Skënderbej’ kur Bashkia Tiranë po ndizte dritat e pemës së fundvitit. Aktivistët me një pankartë në formën e bredhit, ku ishin pamje nga rrënimi i banesave pas tërmetit të 26 nëntorit vetëm thirrën “nuk është koha për zbukurime kur ka shkatërrime”, duke i kujtuar qeverisë ata mijëra njerëz që nuk kanë çati mbi kokë. Rama nuk u mjaftua me sharje dhe përdorimin e Gardës për t’i larguar, por bëri edhe gjestin e ulët, në një shesh ku kishte qindra fëmijë.

Partia ‘Zgjidhja’ e dënon shfaqjen e turpshme të kreut të qeverisë, që u shtohet të gjitha turpeve që ia ka bërë në kurriz të shqiptarëve.

Ai është bërë armik i betuar i fjalës së lirë dhe zërave të protestës, raportimeve të medias së pavarur dhe kritike, sepse ato e nxjerrin cullak përpara opinionit publik. Ai do që ta harrojmë dramën e tërmetit, nuk pranon asnjë vërejtje, apo kritikë, sepse çdo fjalë dhe imazh nxjerr në pah paaftësinë e qeverisë së tij për të drejtuar.

‘Zgjidhja’ i bën thirrje publike Ramës që të kërkojë ndjesë publike, edhe pse është e bindur se ai nuk do të dëgjojë askënd veç lajkatarëve të oborrit, që lëvdojnë çdo gjest dhe marrëzi të kryeministrit.

Flash Lajme

Më të lexuarat