Meqenëse nuk arriti që të bindë fondacionet, të cilët kanë grumbulluar miliona euro në ndihmë të të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit që të bashkojnë në një shumë të vetme paratë e grumbulluara dhe për të shmangur ndonjë përplasje mes tyre, qeveria vendosi që të ndajë gjeografikisht zonat e operimit të secilit fondacion.

Sipas ndarjes së bërë publike në mbledhjen e dytë të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit fondacionet do të përqendrohen në zonat rurale të Tiranës, Durrësit, Krujës, Laçit dhe Lezhës.

“Mund të bëjmë një ndarje me tre fondacionet më të mëdha në gjithë këtë, që të mos shpërndahen, që të kenë territore të fokusuara për banesat individuale. Kur të bëhen komplekse të mëdha pastaj janë të mirëpritur që të marrin pjesë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

Por jo të gjithëve do t’u rindërtohet shtëpia aty ku e kishin. Kryeministri sinjalizoi se duhet shfrytëzuar mundësia që ndërtimet të bëhen me plan urbanistik, ku shteti do të bëhet pjesë vetëm përmes infrastrukturës, ndërsa banesat do t’u lihen në dorë fondacioneve. Për të bindur banorët për t’u zhvendosur sipas planeve urbanistike që do të miratohen, Rama kërkoi ndihmën e fondacioneve. Zonat rurale përreth Thumanës iu besuan fondacionit “Firdeus” të Elvis Naçit. Ky i fundit premtoi transparencë maksimale në shpenzimin e fondeve të mbledhura prej këtij fondacioni dhe nuk përjashtoi përfshirjen edhe tek ndërtimet e pallateve. Qëndrimi i Elvis Naçit për transparencë u mbështet nga përfaqësuesi fondacionit “Fundjave Ndryshe”, Arbër Hajdari, të cilit iu besua Tirana, ndërsa zonat rurale në Durrës e një pjesë të Lezhës iu besuan fondit “Rrënjët Shqiptare” të Marin Memës.

Qeveria nga ana tjetër tha se do të vendosë në dispozicion 200 milionë dollarë nga buxheti i vitit të ardhshëm. Shuma do të jetë e auditueshme, sipas Arben Ahmetajt, nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ahmetaj, si kryetar i Komitetit të Rindërtimit deklaroi gjithashtu se projektligji për rindërtimin i jep instrumentat Qeverisë që të mos kufizohet vetëm tek emergjenca, por të reagojë edhe në afatgjatë ndaj përballimit të pasojave të emergjencave. Po në këtë mbledhje, Rama udhëzoi si ministrat e tij, ashtu edhe fondacionet që për çdo ndihmë për informacion mbi procesin e rindërtimit të adresohen tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

“Për anëtarët e kabinetit dhe të tjerët, Komiteti është struktura programuese që bën të gjitha propozimet, ndërsa struktura ekzekutive është Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Për çdo nevojë dhe informacion ta kemi të përqendruar informacionin. Fondi po ndërton një regjistër, ku të gjithë edhe japin informacionet e tyre, edhe marrin. Fondi do të jetë koordinuesi i të gjitha institucioneve, planifikimi e të tjera. Secili në pjesën e vet merr atë që do dhe jep atë që ka të bëjë me atë fushë”, u shpreh Rama.

E gjithë mbledhja e dytë e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit nxori në pah jo vetëm mosbesimin e fondacioneve tek Qeveria sa u takon shpenzimeve të fondeve të grumbulluara për pasojat e tërmetit, por edhe trajtimin që Kryeministri Edi Rama u bëri këtyre fondacioneve, sikur të ishin shtojcë e kabinetit të tij qeveritar. Fondacionet jo vetëm që do të rindërtojnë sipas buxheteve dhe zonave përkatëse gjeografike që ranë dakord, por do të kenë akses tek të dhënat shtetërore të të dëmtuarve dhe tek kontrolli dhe verifikimi sesi qeveria shpenzon paratë e taksapaguesve shqiptarë për pasojat e tërmetit, një detyrë që në një situatë normale do të duhej ta kryenin institucionet e tjera shtetërore që paguhen për këtë punë. Në këmbim të pavarësisë për të menaxhuar vetë fondet e grumbulluara dhe të aksesit tek mënyra sesi do të shpenzojë paratë e saj për viktimat e tërmetit, fondacionet duket se kanë pranuar ndarjen gjeografike të bërë nga Qeveria. /Xh.Sh

Flash Lajme

Më të lexuarat