Xhentila Gjoshi

Sot është fillimi zyrtar i SPAK-ut dhe GJKKO-së. SPAK është Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërsa GJKKO, është Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Qysh herët në mëngjes, janë vënë re ndryshime në godinën e ish-Krimeve të Rënda. Në hyrje të Gjykatës, ishin vendosur tabelat me emërtimet përkatëse të institucioneve të mësipërme. Bosh, kishte mbetur vendi për BKH, Byronë Kombëtare të Hetimit. Kjo strukturë pritet të ngrihet në vijim.

Gjyqet

Ditën e sotme nuk kanë munguar as zhvillimi i gjyqeve nga ana e Gjykatës Speciale. Lista ishte e pakët në numër, pasi shumica e dosjeve që gjykoheshin në ish-gjykatën e Krimeve të Rënda, janë dërguar në gjykatat e rretheve. Tashmë në Gjykatën e Posaçme do të gjykohen vetëm dosjet e grupeve të strukturuar kriminale dhe korrupsioni. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Prokurorinë e Posaçme, e cila do të hetojë dosjen për korrupsion dhe grupet kriminale.

Togat

Me ndryshimin e strukturës së Gjykatës, kishin ndryshuar edhe uniformat e gjyqtarëve që gjykonin dosjet e caktuara. Në uniformën e gjyqtarëve, ishte e shkruar emri i institucionit: Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ndërkohë, dy ditë më parë Këshilli i Lartë Gjyqësor ngriti në detyrë 12 gjyqtarë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe 6 të Gjykatës së Apelit, duke i bërë ata gjyqtarë të posaçëm. Gjykata e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar filluan punën sot, ndërsa zyrtarisht, dy gjykatat e Krimeve të Rënda u shkrinë.

Në kushtet e pushimit së funksionuari të Gjykatave për Krimet e Rënda, vendosi transferimin e gjashtë gjyqtarëve, konkretisht Fehmi Petku, Gjovalin Përnoca, Gurali Brahimllari, Idriz Mulkurti, Dhurata Haveri (të Gjykatës së Apelit) dhe Luan Hasneziri (i Gjykatës së Shkallës së Parë), pranë disa Gjykatave të Apelit apo të Shkallës së Parë me juridiksion të përgjithshëm, duke filluar nga data 19.12.2019 dhe deri në përfundimin për ata të procesit të rivlerësimit kalimtar përpara Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ku në rast të konfirmimit në detyrë nga ky i fundit, gjyqtarët e transferuar gëzojnë të drejtën e zgjedhjes për t’u transferuar në çdo pozicion që do të jetë i lirë në atë moment apo që pritet të bëhet i lirë brenda gjashtë muajve, respektivisht në Gjykatat e Apelit apo të Shkallës së Parë me juridiksionin të përgjithshëm. Në përfundim, po për shkak të pushimit të funksionimit të Gjykatave për Krimet e Rënda, Këshilli vendosi edhe transferimin e gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, z. Dritan Hallunaj, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, detyrë, ushtrimin e së cilës e fillon pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar si anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, i zgjedhur nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatave të Shkallës së Parë të Tiranës.

Gjyqtarët e Posaçëm

Apeli

Albana Boksi

Nertina Kosova

Saida Dollani

Dhimitër Lara;

Sokol Binaj

Nure Dreni

Gjykata e Shkallës së Parë

Daniela Shirka

Etleva Dede

Flora Haredinaj

Ilirjana Olldashi

Irena Gjokaj

Marsela Balili

Miliana Muçaj

Ardit Mustafaj

Bib Ndreca

Fran Prendi

Klodian Kurushi

Sandër Simoni

Flash Lajme

Më të lexuarat